MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Shqipëria e vjetër ka rënë…

20.02.2017 - 10:51

Përsëritur shpesh, e ca më shumë nga komunistët e vjetër prej origjinës të së cilëve vijnë dhe tri partitë tona kryesore. Në një letër që i shkruante Engelsi mikut të tij të vjetër i thoshte: “Më në fund e kuptova kyçin e Lindjes së lashtë – mungesa e pronës private. Atje vinte një bandë nga mali me parullat; t’i heqim hajdutët, poshtë qelbësirat, etj”.

Pas disa vitesh vinte një bandë tjetër nga mali me të njëjtat parulla. Prisnin tre a katër koka dhe loja riniste nga e para. Lindje e lashtë? Jo!

Njëzet e pesë vjet më parë ndërruam sistemin me parullën – këta kanë vjedhur arin. Në 1996, Gambelli anglez shkroi mbi qeverinë e gansterëve. Në 1999, Berisha kërkoi t’i vëmë rruspat hajdutëve. Në 2001, Nano kërkoi katarsis për të shpëtuar nga hajdutët. Në 2005, Berisha luan me motivin “Me duar të pastra”. Me të njëjtat parulla deri tani te çadrat në bulevard.

Kemi bërë përparime, thua? Janë të njëjtë njerëz dhe duhet të jesh vërtet i marrë të besosh që me të njëjtat eksperimente të shpresosh të marrësh përfundime të ndryshme. Kanë djegur Shqipërinë nja dy a tri herë, u kanë humbur paratë njerëzve nëpër piramida të formave të ndryshme, kanë zhdukur pyje e ujëra dhe kanë prishur prona e mjedis. Kanë lënë njerëzinë të paarsimuar dhe vijnë vërdallë duke ricikluar thëniet e bandave të Lindjes së lashtë.

A mundet të themi kanë ndryshuar? Jo, unë thjesht mendoj që kanë vdekur së paku politikisht. Së pari, PD-ja pas 2013-s. A është kjo çudi? Pse duhet të vdesin?

Po, humbi partia e Andreotit dhe Kraksit që themeluan Italinë moderne. U zhduk Valesa dhe partia e tij që vërtet ishte antikomunist i dorës së parë. Iku Haveli i madh që i quante njërëzit më të këqinj në botë komunistët e konvertuar në antikomunistë.

E pse duhet të mbijetojnë këta tanët? Sa më shpejt të ikin aq më mirë e kemi. A do na mungojë opozita vërtet? Këta mund të jenë çfarë t’u dojë qejfi, por me opozitën nuk kanë asnjë punë. Ku ta gjejmë opozitën reale?

Shqipëra e varfër që e shkatërruan deri në qelizë, PD-ja dhe PS-ja bashkë-po të doni, me gjithë varfërinë, ka çuar djem e vajza nëpër shkolla, brenda e jashtë vendit. Ka çuar me qindra mijëra të tjerë për punë e eksperiencë atje ku vërtet punohet e jetohet si njeri.

Ç’thua, mo? T’i lëmë këta? Po këta vetëm votim të rregullt kërkojnë. Unë nuk e besoj këtë. Besoj se nuk bëjnë këtë gjë veçse përsërisin lojën e vjetër më të keqe se ajo e Enver Hoxhës. Ai luante me parullën “Populli voton, partia numëron”. Këta janë shumë parti dhe një popull. Duan të lozin po prapë ashtu, pra populli të votojë dhe partitë të numërojnë. Duan të jenë të gjithë nga pak Enver.

Le të ikin se shpëtojmë. Nëse mendojnë se do fitojnë prapë për të mbajtur status-quo-në e neveritshme, më mirë të vdesim të gjithë.

Ç’i duam! Lërini në fatin e vet – në çadër a në bulevard, në shi a në diell – ku t’u dojë qejfi. Nëse vërtet duan votime të rregullta, le të qërojnë partitë nga numërimi i votave. Le t’i numërojnë votat ashtu si numërohen në të gjithë botën. Atëherë, vërtet, edhe unë do të shtrihesha bashkë me ta në bulevard nëse nuk do t’u plotësoheshin dëshirat. Dhe vetëm atëherë mund t’u japim një dorë me shpresën se tani në pleqëri mund edhe të kenë mësuar ndonjë gjë. Përndryshe them… lërini në shi, e shihni punët tuaja.