MENU
klinika

Video

Intervistë e Shpëtim Nazarkos në News24

17.03.2017 - 17:14

Intervistë/

Gazetari: Jemi në rubrikën “Opinion” do të diskutojmë për aktualitetin politik në vend. Me ne është zoti Shpëtim Nazarko, i cili tashmë drejton portalin Konica.al.

Gazetarja: Zoti Nazarko, me siguri i keni ndjekur zhvillimet e ditës së sotme dhe jo vetëm, sepse lajmet i pasqyroni në Konica.al. Sot ka qenë seanca parlamentare në të cilën ka pasur një fjalim të fortë nga zoti Blushi, një kundërreagim më pas të zotit Meta në lidhje me ministrat e shkarkuar. Po ashtu, ka patur një tjetër takim të zotit Basha me ambasadorët. Një tjetër drekë pune ku ai pohoi se më në fund ndërkombëtarët mund të marrin informacion të saktë e të pamanipuluar. Nga ana tjetër, vijon protesta e opozitës në ditën e 28-të. Në çfarë situate jemi?

Shpëtim Nazarko: Fillojmë nga kjo e dyta. Kur unë pashë që Basha lajmëroi që “Kauza jonë po shkon drejt fitores”, mendova që një njeri që merret minimalisht me politikë ose është i vëmendshëm, e kupton që vendimet e mëdha përgjithësisht nuk vijnë kur kryetari i një partie mbledh njëzet ambasadorë, zakonisht vendimet e mëdha diplomatike bëhen jo mbi tavolinë, por nën tavolinë, pastaj shpallen, se ndryshe diplomacia do të humbiste çdo lloj kuptimi. Më duket se Basha e ka përsëritur dhe nja dy herë këtë thirrjen e ambasadorëve. Ajo duhet parë si kurajë që i jep mbështetësve të vet se nuk i ka humbur pikëlidhjet. Siç thashë, në qoftë se ka gjëra shumë serioze, shumë të mëdha, ato nuk duken në tavolinë.

Në qoftë se do të ishte në ndonjë takim të Bashës me njërin prej ambasadorëve të fuqishëm ose që nuk e shohim ne, veprimet e mëdha kur duken në tavolinë e kanë mbaruar efektin, pra nuk pritet të krijojnë më efekt ose të krijojnë efekte te përkrahësit për të mbajtur gjallë optimizmin. Kështu që, në këtë përsëritje të katërt që Basha iu bëri ambasadorëve, pasi i thërret ai, nuk e thërrasin ata, se edhe kjo do të kishte një farë rëndësie, sepse ata mund të tërhiqnin vërejtjen ose mund të shprehnin një qëndrim të caktuar. Duket se diplomacia është pezull ose ende nuk mund të flasim për gjëra të vërteta.

Në lidhje me Blushin mbi atë që ndodhi në parlament sot, unë mendoj se Blushi, për llogari të partisë “Libra”, kërkon t’i komentojë hesapet sipas dëshirës së vet. Pavarësisht se LSI-ja është një nga lojtaret e rëndësishme, Rama e quan Metën bashkëkryetar më shpesh se duhet, prapësëprapë ajo është një parti me marzh shumë të kufizuar. Në të gjitha këto përpjekjet për vetingun, pas PD-së është LSI-ja ajo që ka pasur probleme me komunitetin ndërkombëtar dhe jo vetëm në deklaratat e Metës kundër ambasadorit të tanishëm, por dhe përpjekjet e letrave të kualifikuara që tregon Vasili, i cili nuk është ekspert drejtësie, po duket që ka nga mbrapa lojtarë të hollë. LSI-ja nuk e ka marzhin aq shumë të madh të manovrës, të paktën në çështjen themelore të Vetingut tek ndërkombëtarët, po edhe tek vetë popullata.

Pavarësisht se ai është një pjesëtar shumë i rëndësishëm i koalicionit, nuk mund të ndikojë aq shumë sa të prishë ekuilibra të mëdhenj, edhe pse “legjendat e klubeve” thonë që mund të bëjë rokadë brenda koalicionit. Këto janë përralla që nuk kanë ndonjë vlerë. Mendoj që Blushi nuk ka të drejtë. Meta nuk ka fuqi që të ndikojë mbi Ramën, madje tani, më shumë sesa dy vitet e mëparshme, marzhi i tij i manovrës është pakësuar. Megjithatë qëllimi mund të ngelet i njëjtë, në koalicionin e ardhshëm me PS-në, në këtë situatë të turbullt ku Meta luan rolin e ekuilibruesit, mund të kërkojë të rrëmbejë sa më shumë, por vetëm kaq.

Gazetari: Ndërkohë ne kemi një protestë të vazhduar të Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës që është në koalicion. Ndryshimet e fundit në qeveri Kryeministri deklaroi që “nuk i bëra për opozitën”, por opozita nuk i pranon. Si do të shkojë? Jemi tashmë tre muaj para datës së caktuar nga Presidenti për zgjedhjet. Si janë parashikimet?

Shpëtim Nazarko: Në qoftë se mbani mend, në momentin që u hoq Tahiri, në çadrën e opozitës pati valle. Unë po marr më të mirën që i shkon për shtat opozitës, se Ramën e kanë detyruar ndërkombëtarët për të hequr Ministrin e Brendshëm, po pranoj edhe se Rama e maskoi shkarkimin e tij në mënyrë të dobët. Po fakti që u hoq Ministri i Brendshëm, pra ai që akuzohej që mund t’i manipulonte zgjedhjet nëpërmjet kanabisit, nuk e gëzoi Bashën, përkundrazi e bëri më agresiv; kjo tregon se ekziston një gjë më e rëndësishme mbrapa. Për mua është vetë kriza e PD-së që ka vendosur ta kryejë “vetëvrasjen” e vet politike në bulevard, në vend që t’iu drejtohej zyrave të saj në buzë të Lanës, që janë shumë të mëdha. Përfytyroni një moment se ngjarjet këtu nuk do të kishin as histori Vetingu, as histori të qeverive teknike, po do shkonin normalisht. Në 25 vitet e fundit PS-ja bashkë me LSI-në (e majta e bashkuar), ka pasur rregullisht vota më shumë sesa e djathta dhe po t’i shtosh këtij koalicioni edhe PDIU-në edhe FRD-në, e kuptojmë që me zgjedhje, praktikisht, PD ka humbur. Ky është një problem i madh. PD-ja nuk e di çfarë do të bëjë në 18 qershor, nëse s’do të ketë nga këto gjëra. Për mua, edhe nëse do të shkonim në qeveri teknike, në të gjitha rastet PD-ja është e humbur.

Gazetarja: Ju mendoni që PD-ja është e papërgatitur?

Shpëtim Nazarko: Parti të tilla në Lindje, praktikisht kanë shërbyer për të rrëzuar komunizmin dhe pastaj kanë ikur në punë të vet. Për shembull partia e Les Valesës, që e rrëzoi komunizmin në Poloni, që ishte i përkrahur nga Papa dhe e gjithë bota, mbas dy-tre vjetësh iku, mori një 1.5%. Dhe kjo ndodhi sepse në Poloni, ndryshe nga gjithë vendet e Lindjes, ka pasur dhe parti agrare, ka pasur njëfarë pluralizmi. Pra aty ka pasur shtresa të caktuara shoqërore që e kanë përdorur Les Valesën, siç i përdorin minatorët, dhe pastaj gjithsecili ka shkuar në vendin e vet. Po e njëjta gjë ndodhi në Çeki. PD-ja si dhe e PS-ja vjen nga e njëjta origjinë, ka zgjatur më shumë se duhet, sepse këto nuk kanë përfaqësuar shtresa të caktuara shoqërore ose grupime të caktuara të industrisë, etj. PS-ja e ka vazhduar më shumë ekzistencën e saj duke qenë së është parti më e vjetër, ka arritur që të krijojë atë nipin, atë mbesën, atë lidhjen shoqërore.

Kurse partitë e këtij lloji që vazhdojnë të ekzistojnë, duke mos përfaqësuar asnjë lloj grupimi realist, megjithëse kanë thënë herëpashere se mbrojnë kategorinë e ish-të përndjekurve, këto parti kopje të ish-partive komuniste janë të destinuara “të vdesin” ose të ikin bashkë me ikjen e liderit që i ka krijuar ato. Për të dhënë një provë të kësaj që themi, mund t’i referohemi vitit 2011. Në qoftë se e mbani mend, PD-ja ka humbur praktikisht në të gjitha bashkitë, madje dhe te ajo e Tiranës, ku u shpall fitore tjetër në dy muaj. Njëlloj si tani në mes të bulevardit, ku tërë bota shikonte se si njeriu që i rinumëronte votat u bë pastaj zëvëndësi i ish-kryetarit të bashkisë së atëhershme ose kryetarit të partisë së sotme. Këto shaka banale janë përsëritur më shumë seç duhet…

Kjo situatë më kujton vitet 1991- 1992 kur PP-ja e dikurshme fitoi në fshatra dhe humbi në të gjithë qytetet e rëndësishme, pra humbja e plotë e PD në 2011 ishte e afërt dhe këtë ne e pamë në 2013. Ishte një tregues shumë i rëndë sepse ky sistem zgjedhor që kemi zgjedhur ne nuk të jep diferenca të këtij lloji që reflekton tani në Parlament. Ky është një sistem zgjedhor që mund të lejojë humbje 72 me 68, 71 me 69, maksimumi 75 me 65, po jo që fituesi të ketë 85 deputetë. Kjo do të thotë që sistemi është shkatërruar sepse nuk ekziston ajo që ti e quan opozitë ose ajo është duke degraduar.

Rrezikshmëria e situatës së tanishme është kjo që e gjithë bota e qytetëruar thotë që “një minutë se nuk po futet opozita në parlament”, ky është një problem shumë i madh dhe serioz që mund të justifikojë qëndrimin 28 ditë, 265 ditë, sa të dojë. Vetëm se ata që janë në çadër nuk arrijnë që të kuptojnë një gjë, ambasadorët që rrinë këtu dhe që informojnë Parlamentin Evropian, e informojnë në mënyrë të ftohtë. Kemi të bëjmë me një parti të tillë, që e ka bërë këtë për arsye të caktuara. Praktikisht kemi Vetingun përpara, kemi dhe ca shifra që këta i nxjerrin zero në të gjitha drejtimet, kështu që ambasadorët janë të ftohtë në këto kalkulime.

Gazetarja: Në bazë të analizës që ju bëni, edhe të asaj që shtuat, pasi me siguri që opozita e di këtë që po bën, në fund të ditës përse po e bën, atëherë?

Shpëtim Nazarko: Po nuk ka variant tjetër më të mirë se kaq.

Gazetarja: Për të treguar çfarë dhe kujt?

Shpëtim Nazarko: PD ka zgjedhur mënyrën më interesante për t’u “vetëvrarë” politikisht në bulevard sepse ajo është një parti që e ka krijuar Berisha dhe si të gjitha partitë lindore nuk përfaqësojnë grupe të caktuara shoqërore dhe ikin bashkë me liderin e vjetër, normalisht. Nuk përfaqësojnë asgjë. Iku Valesa, iku Haveli etj., siç dhe i përmenda. Çfarë duhej të bënin ata, në qoftë se nuk do t’i kishim këto trazira tani, nëse nuk do ta kishim këtë historinë e Vetingut që qepet keq me këtë të qeverisë teknike? Thuhet që një parti që nuk do korrupsionin, nuk dashka as Vetingun. As Shveiku nuk i lidh dot këto ide të ndryshme. Partia Demokratike është përpara problemeve shumë të mëdha, ish-deputetët e vjetër që i ka caktuar dikur Berisha, të cilët mund të mos i dojë Lul Basha, po ka edhe deputetë të rinj që mund t’i dojë Lul Basha, por mund të mos fitojnë asgjë në zgjedhje. Ky është problemi i madh. Po të llogaritësh dhe numrat, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje ku ti e di një të vërtetë dhe nuk mund të përballesh dot me të.

Ky është problemi që PD-ja nuk arriti ta zgjidhte më parë. Mendoi se mund ta zgjidhte me përgatitje të zakonshme për katër vjet, por siç përtojmë ndonjëherë, mobilizohemi vetëm atë vitin e fundit. Siç e kam përmendur edhe më parë, në PD iu është dukur vetja si në zbor, kanë zbërthyer dhe rripat e mesit dhe rrinin si në pushim dreke. Tani kanë rënë boritë “Alarm”. Ky alarm e gjen PD-në të papërgatitur. Është e papërgatitur edhe në brezin e deputetëve të vjetër edhe në brezin e deputetëve të rinj dhe ka gjetur një mënyrë e cila vërtet është shumë interesante në pamjen e parë sepse ti thua:”Nuk po futet opozita në parlament, tmerrohet Evropa”. Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë këtë tjetrën, që ambasadorët janë shumë më të ftohtë se opozita.

Dreka e sotme e Bashës ishte e thirrur nga Basha. Fjala e Berishës kundër Sorosit, si armik, më kujtoi disa histori të kohës së komunizmit të vjetër se këta vijnë nga e njëjta origjinë, nga Partia e Punës, kur të tërë ankoheshin te amabsadori Ivanov ose Sokolov andej nga vitet 1948-1950. I flisnin atij për një armik të madh që i afrohet shokut Enver. Këtu Berisha i ankohet Trump-it për armikun i cili është Sorosi.

Gazetari: Po si e shikoni këtë pasi kjo është dhe në Maqedoni edhe në Shqipëri, marrëdhënie me akuza të forta nga disa senatorë në Amerikë që po i mëshojnë gjithashtu kësaj çështjeje?

Shpëtim Nazarko: Duhet të mos ngatërrojmë lobimin me diplomacinë reale. Diplomacia reale është ajo që thatë ju. Në Maqedoni u thanë që “Shikoni, rrini urtë, se ambasadori këtu përfaqëson Presidentin”. Në lobim vemi edhe unë edhe ti, vëmë ca para ose krijojmë një grup senatorësh, lobingu lejohet në Amerikë, por është tjetër gjë diplomacia reale. Se po të ishte se fitohej vetëm me lobim, Amerika nuk do të ishte perandori botërore, mund të ishte perandori tregtare, por jo botërore.

Kurse kjo që ka bërë Berisha është e tillë që secili sjell në histori atë që ka nga e kaluara e vet. E mbaj mend edhe Enver Hoxhën që i ankohej Mao Ce Dunit që të ka tradhtuar ky Titoja, dalë nga binarët e marksizmit do të bëjë këtë, është histori e vjetër e Partisë së Punës. Imagjino t’i thuash Trumpit tani që “shiko se duhet të hetohet Sorosi”. Sorosin e ke pasur këtu, tani që foli Trumpi e gjete ti që qenke armiku i Sorosit? Edhe vetë Berisha i shkretë po plaket edhe nuk e di ç’të bëjë, po gjithsesi do t’i referohet eksperiencës së vet. Ai e di dhe vetë që në pleqërinë e thellë fillojnë të kujtohen ato të fëmijërisë. Këto janë histori, siç thashë, përsëriten. Dikur i ankoheshin me radhë Sokolovit, që ishte një armik i madh i Stalinit, që ishte herë Enveri e herë Tito. PD-ja ende ka shanse, por të tjera. Duke pasur zyra shumë të mëdha në Lanë dhe duke qenë se përfaqëson një pjesë të madhe të opozitës, ka marrë 500 mijë vota në zgjedhjet e fundit, si një parti serioze duhet të shkojë e t’i diskutojë çështjet e veta dhe të përballet me të vërtetën e madhe.

Gazetarja: Ku t’i diskutojë?

Shpëtim Nazarko: T’i diskutojë në zyrat e veta. Këtu nuk ka për të fituar asgjë.

Gazetarja: T’i thonë “stop” protestës? Të dalin nga çadra?

Shpëtim Nazarko: Po dhe sikur mos të dalin nga çadra, por të lënë një pjesë aty. Ndërkaq, pjesa tjetër më e rëndësishme duket të vejë tek ato zyrat e Lanës dhe të përplasen me njëri-tjetrin e të shikojnë të vërtetat e mëdha në sy. Sepse kjo parti praktisht ndjen atë humbjen e madhe që filloi në zgjedhjet e 2011-s. Në realitet ky është një qëndrim konstant i imi për një parti që e ka mbaruar me kohë misionin e vet historik edhe për një shkak, sepse ka kopjuar në mënyrë të shëmtuar Partinë e Punës, duke caktuar një lider pas ikjes të të cilit mund të vijë dhe qameti. Po kjo ishte zgjdhja e PD-së dhe nuk i hyn në punë njeriu.