MENU
klinika

Mentor Nazarko

Ju tregoj ku takohemi me arvanitët, origjinën e Himarës dhe të Enriko Kuçia-s

27.03.2017 - 14:53

Mentor Nazarko– Si ju duket kjo ceremoni në pikëpamje të ringjalljes së përkatësisë arbëreshe këtu?

Mateo Mandala– Duket fantastike, po ringjalljen ne e kishim prej kohësh, tani më pas i kemi shtuar pak fatin. Janë marrëdhënie shumë pozitive, besoj për të dyja palët, edhe për ato arbëreshe, por edhe për shqiptarët dhe shpresoj që në të ardhmen t’i fuqizojmë këto marrëdhënie. Duhet të kemi akoma më shumë shkëmbime kulturore, sidomos në fushën e ekonomisë, e sidomos të turizmit.

Mentor Nazarko– Unë kam bërë një refleksion për rolin e futbollit në ringjalljen e ndjenjës kombëtare përkatësisht te diaspora e Shqipërisë, diaspora e re diaspora e vjetër. Ju çfarë mendimi keni për këtë, më konkretisht për rolin e futbollit?

Matteo Mandala– Sigurisht që futbolli, si të gjithë sportet, është një nga mjetet që bashkon njerëzit, pavarësisht nga vendet ku jetojnë, nga puna që bëjnë, nga idetë politike, nga ato ndarje shoqërore që normalisht njerëzit i largon. Sporti është kryevepra njerëzore që i bashkon njerëzit. Fakti që sot këtu në një fshat të vogël të Siçilisë janë bashkuar shqiptarë nga të gjitha viset e botës ku jetojnë, është një mrekulli në vetvete. Jemi me të vërtetë shumë të lumtur për këtë ngjarje që sot po jetojmë.

Mentor Nazarko – Po një reflektim për imazhin, ju e patë tifozerinë shqiptare në Francë, çfarë ndikimi ka kjo në imazh?

Matteo Mandala– Është një ndikim i madh pozitiv, sepse tregon se shqiptarët, kur janë tifozë, shfaqin një dashuri të madhe ndaj sportit, por edhe ndaj vetes, që na bën krenarë dhe ka lartësuar imazhin e Shqipërisë. Kjo ka vlerë të veçantë, sidomos këtu në Itali, ku për një periudhë të gjatë pati disa paragjykime që kanë dëmtuar imazhin e Shqipërisë. Sot mund të themi që Shqipëria ka fituar pikë, ka ndryshuar dhe sot mund të themi që imazhi i Shqipërisë fluturon lart sa shqiponja.

Mentor Nazarko– Pse, një arbëresh sot ka më shumë motive për të thënë që unë kam lidhje me atë Shqipërinë atje?

Matteo Mandala– Po, sigurisht, ata nuk e kanë mohuar kurrë. Të gjithë shqiptarët në fillim të viteve ‘90 në Itali, ne i kemi mikpritur e i kemi mbajtur si vëllezërit tanë edhe sot e kësaj dite ka qindra familje që jetojnë në fshatrat tona arbëreshe si në Siçili edhe në Kalabri. Kjo domethënë që s’ka pasur kurrë një ndërprerje ndjenjash. Ne i dinim shkaqet e rebelimit shqiptar në ato vite të vështira, nuk kemi pasur kurrë paragjykime ndaj shqiptarëve dhe sot mund të themi me plot gojën që ne arbëreshët kemi qenë ura e perëndimit për Shqipërinë.

Mentor Nazarko– A ka sot më shumë arbëreshë që flasin shqip, ose të gjakut arbëresh që flasin shqip, apo më pak?

Matteo Mandala– Sigurisht që ky është një problem të cilin tani do e përballojmë se nuk kemi ç’bëjmë tjetër. Duhet që të bëjmë kurse në shkolla, duhet që të kemi media në gjuhën arbëreshe dhe instrumente të tjera. Ndihmat që i kemi kërkuar qeverisë italiane nuk na kanë mbërritur dhe po përpiqemi t’i kërkojmë një mbështetje politike qeverisë shqiptare sepse jemi të bindur që bashkësia arbëreshe është gjithmonë e Shqipërisë, si para shumë vitesh dhe presim shumë që të kemi përgjigje pozitive.

Mentor Nazarko– Papas Belushi ka bërë një studim për arvanitasit në Greqi, ju çfarë mendoni për trajtimin e tyre në këtë studim…?

Matteo Mandala– Nuk dua të flas për studimet e Papas Belushit. Sigurisht që prania e shqiptarëve në Greqi është një shembull tjetër i shpërndarjes shqiptare në mesjetë dhe arvanitasit do duhet të kenë të njëjtat të drejta që po gëzojnë arbëreshët si në Itali ashtu dhe në Evropë

Mentor Nazarko– Kaq duhet të kenë?

Matteo Mandala– Sigurisht, Greqia është pjesë e BE-së dhe BE-ja e ka miratuar qëndrimin themelor, dokumentin themelor, që është karta e të drejtave njerëzore, ku një nga pikat kryesore është njohja dhe ruajtja e gjuhëve të ndryshme kombëtare, ku dhe Greqia është e detyruar t’i njohë të drejtat arvanitasve. Atje ku flitet albanikishtja duhet të mbrohet ashtu siç është mbrojtur këtu.

Mentor Nazarko– Si shpjegohet, sipas jush, kjo sjellje e Greqisë?

Matteo Mandala– Nuk është vendi këtu për t’i thënë këto, janë debate dhe shkaqe polemike diskutimi, dua të them diçka tjetër, dua të them vetëm se ka disa probleme që duhen kapërcyer dhe për të mirën e Greqisë.

Mentor Nazarko– A ka lidhje midis këtyre dy komuniteteve arvanitas dhe arbëresh në dijeninë tuaj?

Matteo Mandala– Për shumë arsye, lidhje kulturore, lidhje shkencore, po se po, ka qenë.

Mentor Nazarko– Po prejardhja? Arbëreshët e Siçilisë nga cilat zona vijnë më shumë në studimin tuaj?

Matteo Mandala– Arbëreshët e Italisë vijnë shumica, pjesa dërrmuese, nga jugu i Ballkanit, një pjesë e mirë nga Morea.

Mentor Nazarko– Nga Morea. Pra kjo është pjesa e përbashkët midis jush dhe arvanitasve?

Matteo Mandala– Po, po, kemi marrëdhënie të përbashkëta, kemi prejardhje të përbashkët.

Mentor Nazarko– A ka, sipas jush, prejardhje prej zonës së Himarës në pjesën arbëreshe të Italisë?

Matteo Mandala– Sigurisht që po.

shpetim nazarko

Mentor Nazarko– Sepse ju e dini që…

Matteo Mandala– Të të them diçka, mbiemrat më të përhapur këtu në fshat janë Kuça që vijnë nga Kuçi si Mal, Matranga. Ka aq shumë, është e vështirë të t’i them tani, është Skiro që vjen nga jugu, ka Pilura për shembull që është një fshat tjetër (Piluri juaj). Kemi marrëdhënie të ngushta dhe është vështirë t’i themi tani për dhjetë sekonda. Himara sigurisht është një nga bashkësitë arbëreshe, që pastaj kaloi në jugun e Greqisë dhe pastaj ka ardhur këtu

Mentor Nazarko– Cili është shpjegimi juaj filologjik për greqishten e Himarës? A është një greqishte e ndikuar?

Matteo Mandala– Nuk është një greqishte e vjetër, e para. Nuk ka tipare të greqishtes së vjetër sepse do të ishte një çudi që të ishte ashtu. Sepse përndryshe nuk kuptohet pse shqiptarët nuk kanë fjalë të vjetra të greqishtes së vjetër. Është një dialekt i cili është vendosur në një komunitet grek në mesjetën e vonë. Nuk është shumë e lashtë, por sigurisht kanë ardhur aty shumë kohë më pas ardhjes së shqiptarëve. Këtë e tregojnë toponimet ku janë shkruar sipas ligjeve fonetike të zhvillimit.

Mentor Nazarko– Nga studiuesit grek, greqishtja e Himarës mbahet e rëndësishme për shkak të pranisë në të të fjalëve të greqishtes së vjetër. Pra në greqishten e Himarës ka elemente të greqishtes së vjetër.

Matteo Mandala– Ka studime edhe të kryera nga studiues shqiptarë që janë grekofonë, që përpiqen të vërtetojnë me disa fjalë që ka gjurmë të një lashtësie gjuhësore që lidhet me greqishten klasike. Por në fakt nuk kanë një mbështetje, është një kënetë, nuk është një terren i sigurt. Kështu që asnjë nga studiuesit nuk pranon se këto dialekte greke në viset e Himarës të jenë aq të lashta sa ç’thuhet.

Mentor Nazarko– Domethënë ju mendoni që greqishtja që ata flasin nuk është e vjetër, dhe se ata janë shqiptarë greqishtfolës apo janë grekë të ardhur?

Mateo Mandala– Jo, nuk kemi të dhëna dokumentare. Hipotezat hidhen në terren në momentin kur gjen mbështetje diku, nga pikëpamja gjuhësore por edhe nga pikëpamje antropologjike. Dihet që mesjeta në Ballkan ka qenë një rrëmujë totale, ku popujt zhvendoseshin nga një vend në një vend tjetër dhe shqiptarët janë shembull i qartë i këtij nomadizmi që do vazhdojë për shekuj me radhë. Ne kemi familje që vijnë nga veriu i Shqipërisë, Rrioli (Rrjolli).

Kemi familje me këtë mbiemër. Kemi trajta gjuhësore që janë njësoj me atë që quhet gegërishtja, kjo domethënë që dikur shqiptarët ishin të përhapur, më të bashkuar gjuhësisht, se sa janë sot. Në atë kohë, po të kishte pasur bashkësi grekofone, në ato vise do të kishim pasur gjurmët të Greqisë.

Mentor Nazarko– Nuk i kemi?

Matteo Mandala– Nuk i kemi as ne, nuk i kanë të folmet shqiptare në zonën e Himarës, po për më tepër nuk ke dialektet greke.

Mentor Nazarko– Po pse është quajtur kjo Piana dei Greeci? Apo për shkak të fesë?

Matteo Mandala– Ka lindur një ngatërresë këtu. Ne në fillim quheshim kështu sepse për shkak të fesë ne na quanin grekë.

Mentor Nazarko– Ortodoksë…

Matteo Mandala– Siç quanin edhe sllavët, edhe ata që vinin nga Ballkani, për italianët, ishin grekë. Me kalimin e kohës përveçse arbëreshët këtu e kanë quajtur veten arbëreshë, me kalimin e kohës, u vendos emri i ri, më duket se ishte viti 1934, u vendos përfundimisht emri Piana degli Albanesi.

Mentor Nazarko– Vetëm një pyetje të fundit: ne kemi një portal në të cilin i kemi kushtuar vëmendje figurës së Enriko Kuçës dhe meqë ju ma përmendët, cila është origjina e tij?

Matteo Mandala– Origjina e Enriko Kuçës është nga një fshat afër Mezzoiussos. Një fshat i themeluar nga arbëreshët dhe mbiemri Kuça atje është shumë i përhapur. Ai ka lindur në një familje që ishte e italianizuar tashmë, nuk dinte më as shqip, as dinte për prejardhjen e tij shqiptare, kështu që kur e kam pyetur nuk dinte të më thoshte dhe as munda të mësoja diçka më shumë.

Mentor Nazarko– Andreoti mua më ka thënë që ai e pranonte përkatësinë shqiptare.

Matteo Mandala– E pranonte në mënyrë konfidenciale, Nuk e thoshte publikisht. E njëjta gjë është dhe për Stefano Rodotta.

Mentor Nazarko– Nga e ka prejardhjen fisi i Kuçave?

Matteo Mandala– E sigurisht nga fshati Kuç, që është në rrëzën e Vlorës e Himarës,

Mentor Nazarko– Domethënë këtu ka dhe prurje nga ai fshat?

Po, sigurisht.

Matteo Mandala– Po.