MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kombëtarja përfaqëson kombin! Është jashtë çdo feje dhe mbi çdo fe!

25.03.2017 - 14:35

Raporti midis imamëve, apo priftërinjve me sportistët e shquar që përfaqësojnë kombin, një raport që duhet studiuar për t’u ndërtuar drejt. Episodi i fundit i videos ku përfliteshin klerikët e ndryshëm, duhet të na fusë në mendime, nëse duhet një lloj debati për këtë lloj raporti dhe duhet përcaktuar një kod etik

Episodi gjysmë humoristik ku u përfshinë tre lojtarë të kombëtares dhe një imam në zë i Komunitetit Mysliman, kapërceu ashtu si pritej kufijtë e humorit, të futbollit dhe të Shqipërisë. Për gjithë implikimet e tij, por për të kuptuar origjinën e tyre ia vlen të bësh disa pandehma. Apo të vendosësh dritë mbi disa imponime që bëhen të domosdoshme.

Episodi në fjalë tërhoqi vëmendje të jashtëzakonshme, pse jeta private e futbollistëve ka një treg të madh të interesuarish. Ky treg, afërmendsh, është bërë akoma dhe më i madh, është bërë panshqiptar, madje dhe global, pse sot futbollistët e Kombëtares kanë arritur sukses të madh si grup dhe luajnë në vende të ndryshme. Kështu që ka një larushi audience për veprat e tyre brenda dhe jashtë fushe, si episodi në fjalë. Futbollistët janë njerëz me ndjekje të madhe në rrjetet sociale dhe media. Çdo detaj i jetës së tyre sapo bëhet publik, krijon ndjekshmëri. Ata shndërrohen bash për këtë arsye modele shoqërore, modele veshjeje, sjelljeje, raporti me të mirën, të keqen, shtetin, fenë, etj., tek brezi i ri veçanërisht.

Pse i afrohen imamët futbollistëve?

Kjo ngjan se është arsyeja pse në kampingjet e futbollistëve tanë të Kombëtares po afrohen imamë apo klerikë gjetiu. Për shembull, duke shfrytëzuar popullaritetin e futbollistëve, rrisin të tyrin. Suksesi i futbollistëve, popullariteti i tyre, publiciteti rreth tyre, afëria me ta rrit dhe popullaritetin e imamëve apo të klerikëve, të cilët kanë për të shitur një mall specifik, shpirtëror, por jo vetëm, ndryshe nga futbollistët që shesin talent. Si tregonte Andi Lila në bisedën e bërë publike në videon në fjalë, edhe priftërinjtë ortodoksë afrohen në Greqi tek lojtarët, madje dhe tek lojtarët e klubeve. Duke vepruar kështu, imami apo kleriku siguron krijimin e modelit tek mbështetësit, tifozët, veçanërisht të rinj. Nëse një futbollist i dashur për lojën që bën, për rezultatet e tij, është i lidhur me fenë x, kjo rrezaton në audiencën respektive që dhe ata ta përqafojnë fenë, ta ndërrojnë atë, apo t’i përkushtohen më shumë. Në kohërat e sotme, kur fetë kërkojnë sa më shumë ndjekës, proselitë, rënia në kontakt e një kleriku me një figurë popullore si futbollisti i Kombëtares krijon ngjarje, krijon ndjekje të re, për arsye të reja. Klerikët që janë më llogaritës se futbollistët, i mbledhin me shumë përunjësi, dhe modesti dhe më në fund i publikojnë fotot apo videot në mediat sociale ku janë me futbollistë. E gjitha kjo krijon pëlqyeshmëri shtesë për profilet e tyre si njerëz të fesë, teologë, etj. Afërmendsh që figura popullore si Mavraj, Sadiku, Lila, etj., janë të përkryer për qëllimet e një imami që të rrisë numrin e ndjekësve, nëpërmjet kontaktit me ta, kontakt i bërë publik në çdo detaj. Prania e imamëve, klerikëve në përgjithësi në momente të caktuar të jetës, së gëzimeve, të hidhërimeve, e rrit ndikimin e tyre, jo thjesht tek futbollistët, por nëpërmjet tyre dhe tek tifozët e futbollistëve. Kështu kemi parë foto të lojtarëve të caktuar në Mekë, të shoqëruar nga imamë të ndryshëm, etj., etj. Kemi parë për shembull dhe garë në Facebook të imamëve për numër ndjekësish, shikuesish të predikimeve të tyre video, etj. Kemi parë përpjekje të imamëve të caktuar për të krijuar ndjekje jashtë kufijve të Shqipërisë, në Maqedoni, Kosovë, në diasporën shqiptare në perëndim, nëpërmjet leksioneve, predikimeve, në një network global tashmë. Më në fund pamë një video, ku përfliteshin klerikë të një feje tjetër, megjithëse të vendosur në Greqi. Videoja u bë virale. Kaloi kufijtë dhe debati u ndez.

Po futbollistët, pse i afrohen imamëve?

Po futbollistët? Futbollistët përbëjnë një grup social, të cilët përtej nxitësve tipikë si origjina, ngjarje të caktuara, etj., krijojnë vetëvetiu një raport të fortë me fenë. Dëshira për sukses, për karrierë, pafuqia për të patur sukses gjithnjë-për të shënuar gola për shembull, i nxit ata të bëhen besimtarë. Madje i nxit dhe të vënë baste, domethënë të besojnë tek fati, fataliteti si përcaktues në ngjarje jetësore. Jeta, shpesh e izoluar, mungesa e shkollimit të mirë, dëshira për të kuptuar dhe shpjeguar më mirë dukuritë jetësore, por pa u lodhur në lexime « me sy », i nxit ata të orientohen kah besimit nëpërmjet leksioneve «me veshë». Përpjekja për t’i dhënë jetës së tyre një kuptim; për t’ i dhënë asaj një sërë rregullash, si kontrast me jetën pa rregulla që bëjnë për shembull në raport me femrat; për të krijuar ndjekës edhe jashtë sportit, janë faktorë të tjerë. Imitimi i shembujve të lojtarëve të tjerë, larg dhe afër kampingut të tyre, Kombëtares së tyre, është shtysë gjithashtu. Shpeshherë ndjekja e fesë bëhet në grup, si ishte rasti i frekuentimit të xhamive nga ana e lojtarëve tanë, apo të Kosovës, para ndeshjes me Islandën, frekuentim i publikuar në çdo hap. E kështu ngjan se përkatësia fetare barazohet me atë kombëtare

Deri këtu jemi në lirinë e besimit, si liri universale, pavarësisht se ndryshe nga vende të caktuara që kanë fe kombëtare, ne nuk kemi.

Pasojat e asaj që ndodhi

Por ajo që ndodhi, brenda kësaj afrie, këtij raporti special të klerikëve me sportistët, apo dhe shfaqje të tjera publike të ndikimit (me një kahje: klerik -sportist) të nxit të reflektosh.

shpetim nazarko

A mos e teproi imami Ahmet Kalaja me regjistrimin e kësaj bisede, dhe pastaj publikimin e saj? A ishte ai i vetëdijshëm për pasojat e këtij publikimi, veçanërisht në nxitjen e debatit ndërfetar në një vend të ekuilibruar mirë, por që dhe mund të çekuilibrohet lehtësisht? Llogjikisht, po. Përndryshe nuk do të ishte imam i mirë, nëse nuk do llogariste pasojat e veprimeve të veta.

Gjithsesi, në favor të mirëbesimit të tij, domethënë të mungesës së një qëllimshmërie negative të tij për ta nxitur këtë debat, janë dy elemente. Gjatë bisedës së regjistruar ai u pa duke nxitur një lojtar tjetër si Sadiku për të thënë diçka në kontekst negativ për hoxhallarët. Pra, për të vendosur ekuilibër. Më në fund, kur u bë zhurmë për videon, ai ofroi ndjesën e vet, anipse kur debati mori dhenë. Por mediat greke u përfshinë pavarësisht kësaj: Lila është personazh tërheqës për to.

Ndërsa futbollistët vetë nuk e vranë mendjen për të thënë diçka tjetër. Ata nuk arsyetojnë si imamët, dhe as nuk thellohen për të kuptuar shumë këto lloj çudish.

Disa sugjerime korrigjuese

Pavarësisht këtyre elementeve, duke llogaritur fuqinë ndikuese të futbollistëve, përmasat e mëdha të debatit që krijojnë ngjarje si këto që kanë topkëmbësat në qendër, ndoshta ia vlen të merren disa masa parandaluese.

Futbollistët e përfaqësueses kanë popullaritet të madh, sepse ata mishërojnë ngjyrat e kombit, pavarësisht origjinës, fesë, seksit të mbështetësve të tyre. Pra i përkasin tërë kombit. Rreshtimi i tyre, afirmimi publik dhe me forcë i përkatësisë së tyre fetare, krijon- duam apo nuk duam-, një lloj preteksti për debat, brenda një popullsie të përbërë nga disa besime. Madje dhe brenda ekipit vetë. Aq më tepër video si ajo. Për më shumë, ka patur një rast tjetër, kur me gjasë pikërisht nën ndikimin e leximit të realitetit konkret, apo global, me syzet e ndonjë imami, prej futbollistëve kemi patur qëndrime që gjithashtu krijojnë debat. I tillë ishte rasti i një qëndrimi të Mavrajt, një futbollist i jashtëzakonshëm, një model në sjellje njerëzore, sipas gjithë atyre që e njohin. Mavraj dha një lexim të çuditshëm për masat e sigurisë që u morën në ndeshjen me Izraelin.

Ky lexim i tipit konspirativ, minimizonte rrezikun e terrorizmit në atë ndeshje, duke e vënë gishtin tek ndonjë skemë globale, apo e frymëzuar nga vetë Izraeli për të frenuar tifozerinë shqiptare. Leximi në fjalë shkonte ndesh me gjithë njoftimet e medias ndërkombëtare, mjaft e mirinformuar, madje dhe me prononcime ambasadorësh, kongresmenësh amerikanë, se në Elbasan po përgatitej realisht një atentat që kërcënonte jo vetëm publikun, po dhe jetën e futbollistëve. E po ky lexim nuk krijon simpati njëlloj si mbrojtja dhe golat e tij, si me Francën në miqësore. Mavraj madje tha diçka përçmuese dhe për Izraelin para ndeshjes. A i ka Mavraj ide të vetat, apo ide të induktuara, në sintoni me ato leksionet zanore që jepen nëpër xhami?

Jemi në dilemën klasike: feja apo kombi janë përcaktues në identitetin që shpërfaq një individ, në rastin konkret, një futbollist? Më saktë, cila përkatësi dominon, apo është e para në raport me tjetrën? Me topin, me talentin e vet në stadiume, futbollisti shpërfaq kombësinë. Futbollistët janë thirrur të jenë përfaqësues të Kombëtares, domethënë të Kombit, por nuk do ishte mirë të shtyhen të bëhen vetëm të një feje. Nëse futbollisti vendos fenë në plan të parë, nëse ai e shpërfaq intensivisht në publik këtë përkatësi si ndonjë veprimtar fetar, nëse ai bën të vetat pozicionet më sektare të fesë së vet, për fetë e tjera, për shtete të caktuara, ai do hidhërojë mbështetësit e vet jashtë fesë së tij. Do të krijojë probleme me bashkëlojtarët. Do nxisë debate të pafrytshme në shoqëri, etj., etj. Mund të na krijojë probleme ndërshtetërore. Na cënon potencialisht imazhin kombëtar.

Mirëpo në këtë gjë, futbollisti thjesht pëson. Janë imamët, apo dhe priftërinjtë (nëse ka raste të ngjashme) farkëtuesit e bindjeve fetare. Ata duhen të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e tyre, për formën që i japin ndërgjegjes së qytetarëve, të futbollistëve, të rinjve. Kështu ndoshta do ishte mirë që ata të mbaheshin pak më larg Kombëtares, sepse nëse kemi të bëjmë me klerikë që vendosin fenë para kombit, kështu do të ndodhë dhe me futbollistët. Vija ndarëse e ekstremizmit fetar dhe përjetimit paqësor, privat të fesë kalohet nëse dikujt i thua se para se të jesh shqiptar, je mysliman.

Nuk e dimë nëse ky është rasti i Imamit Kalaja apo ndonjë imami tjetër. Por dimë se ku është kufiri midis ekstremistit dhe një besimtari të devotshëm dhe patriot. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm, sepse një figurë publike, futbollist ose jo, ndikon shumë.