MENU
klinika

Mentor Nazarko

Mamaqi i përgjigjet Halil Matoshit për Linda Morinën. Ja ç’mendoj unë vërtet për Noyzin, Encën dhe Era Istrefin

11.03.2017 - 16:20

Mentor Nazarko: Meqë Ilnisa vjen nga fisi i Agollëve dhe meqë Dritëroi është nga njerëzit që ka bërë shumë në jetën time, dhe ende jemi nën atë ndikimin e humbjes së tij, por ai ka qenë një nga baballarët e humorit shqiptar nëse mund ta quajmë kështu.

Ermal Mamaqi: Po, kam dëgjuar…

Mentor Nazarko: Dhe mbaj mend kur po ndiqte një shfaqje nga ato të kohës komunizmit, të humorit, edhe i lejoi vetes, pasi kishte mbaruar estrada, siç quhej atëherë kjo varieteja e shfaqjeve komuniste, një konsideratë të tillë. Po flasim pak gjatë por thjesht nuk po bëj humor, thjesht po citoj Dritëroin. Humori është si kjo historia që do të tregoj unë, tha. Dhe tregoi një histori që kishte diçka vulgare në mes, por po e them.

“Diku në një fshat ishte një gungaç dhe gjithë ata që vinin nga fshatrat e tjerë, u tregonin si kuriozitet gungaçin. I tregonin këtë gungaçin dhe thonin: ja, ne kemi dhe këtë gungaçin. Dikush që ishte kurioz papritmas e pyet: po mirë, ti kështu ke lindur? Po, tha ai, kështu kam lindur. Ah ç’do ketë hequr ajo satëme, kur ke lindur ti”. Ja ky është humori, tha Dritëroi.

Ermal Mamaqi. Ky është humor i zi…

Mentor Nazarko. Me një fjalë, ti bën humor edhe me vulgaren, vetëm për të krijuar të qeshurën, për të krijuar sukses?

Ermal Mamaqi. Varet ku jam. Nëpër tavolina si kjo, jo. (qeshin të gjithë). Po meqë kaloi 8 marsi edhe jemi te këto historitë e çuditshme, që se di a mund ta them këtë, por po e them. Në qoftë se nuk shkon po e heqim në montazh, mund ta bëjmë me piip atë momentin.

Burri merr gruan në telefon dhe i thotë: Hë moj grua ku je? Hajde mor ku je, hajde në shtëpi, se më ke hyp nervat. Dëgjo, dëgjo i thotë ky, a ke bërë ndonjë gjë për të ngrënë? Kam bërë. Po ça ke bërë? Kam bërë një m*t i thotë kjo. Ah dëgjo, se unë për këtë të mora. Mos bëj shumë, se unë do dal me shokët…

Mentor Nazarko. Kjo puna e vulgares në fakt, doja të gjeja një kështu për të trajtuar këtë temën e suksesit. Jo thjesht në humor por edhe në muzikë, se ti je edhe i muzikës. Domethënë ti gjen vulgare te këto femrat që këndojnë, por dhe meshkujt janë të shëmtuar kur duan të ekzaltojnë atë fiziçitetin e tyre. Ti gjen diçka vulgare?

Ermal Mamaqi. Ata janë më të shpifur. Mentor unë mendoj që pyetja është më e madhe se kaq. A kanë vlera antivlerat? Unë mendoj se po. Sepse në momentin që ajo shitet dhe gjeneron të ardhura, ajo është një vlerë shumë e madhe, dhe antivlera merr një vlerë më të madhe se vlera. Unë s’do përmend…

Mentor Nazarko. Ke lexuar dhe Marksin më duket, Kapitalin…

Ermal Mamaqi. Jo për këtë intervistë… Ideja e antivlerës është që të gjithë këta njerëzit të përndritur dhe të shkolluar, e gjuajnë, e shënjestrojnë. Në fakt, ajo zë një vend shumë të madh në shoqëri. Dhe ka rrezik që edhe të asimilojë vlerat.

Mentor Nazarko. Qartë .

Ermal Mamaqi. Sepse kur unë shoh njerëz shumë profesionistë, njerëz të famshëm që shkojnë drejt asaj për t’u afruar me masën, edhe bëjnë një lloj kompromisi që do t’i lejojë ata të penetrojnë në biznes.

Mentor Nazarko. Ja ti mund të japësh një leksion të mirë. Si është shmangur, që mos të shkasësh tek antivlerat .

Ermal Mamaqi. Për mua? Ajo që kam bërë unë? Jepi popullit ushqimin që do dhe pak nga pak hidhi një pluhur drite. Sepse është njësoj sikur ti të fillosh dhe të bësh atë që duhet të dëgjojë publiku, por ti trembesh që në fillim.

Mentor Nazarko. Po ja ky Noizy këndon mirë apo jo?

Ermal Mamaqi. Noizy është në rrymën e vet, është pothuajse këngëtari më i mirë, që gjeneron, është numri një.

Mentor Nazarko. Po Enca?

Ermal Mamaqi. Dhe Enca, po ashtu .

Mentor Nazarko: Po ja, Era di të këndojë?

Ermal Mamaqi: Tani ajo është në majë të New York-ut, domethënë kanë dalë, janë bërë ndërkombëtarë. Tani këta kanë firmosur, p.sh., Noizy dhe Enca, para një muaji kanë firmosur me Universal Music. Ata firmosin me Universal Music, arkëtojnë shuma marramendëse, Noizy ka Ferrari.

Mentor Nazarko: Ti ke Ferrari, apo jo?

Ermal Mamaqi: Jo, nuk kam, po…

Mentor Nazarko: Ti s’do ta blesh.

Ermal Mamaqi: Nuk qëndron pika këtu. Tani… do të thuash që Noizy

Ilnisa Agolli është më i zgjuar se mua…

Ermal Mamaqi: … s’ka vlerë, pse nuk këndon këtë rrymë për të cilën elita ka vendosur që të jetë kjo muzika e vërtetë…

Mentor Nazarko: Qartë!

Ermal Mamaqi: Edhe këtë ma konfirmoi edhe Pirro Çako që vjen nga kasta e profesionistëve, atyre që kanë bërë historinë e muzikës shqiptare, edhe thotë jo, ajo është muzika që pëlqehet për momentin. E njëjta gjë ndodh edhe me humorin, me emisionet, me filmat, me komeditë, me portalet.

Mentor Nazarko: Domethënë, ti s’gjen asgjë vulgare tek një pjesë e këtyre që këndojnë, as te Linda Morina, për shembull?

Ermal Mamaqi: Mentor, ta thashë, ai është një diskutim komplet tjetër, sepse në momentin që ti ke dalë për të bërë art, është e njëjta gjë që ndodh me artin kontemporan, që shumë njerëz nuk e kuptojnë, domethënë, ka një masë të limituar.

Mentor Nazarko: Domethënë, ti po thua se kjo Linda po bën art kontemporan?

Ermal Mamaqi: Jo, por mund ta krahasojmë me këta njerëz që kanë zgjedhur të bëjnë artin kontemporan. Tani, Linda ka një aftësi të çuditshme për të…

Mentor Nazarko: Për të gjeneruar popullaritet…

Ermal Mamaqi: Po, për të gjeneruar popullaritet, të ardhura. Ajo merr 3000 euro për një koncert dhe ka shumë ftesa.

Mentor Nazarko: Ti nuk mërzitesh po të të citoj një nga gazetarët që është kontrovers, por shkruan bukur, ose për shkak të paditurisë sime në filozofi, ai më pëlqen shumë për qasjen e tij në filozofi, Halil Matoshi. Ai të kritikonte mirë ty për faktin se ti kishe marrë Lindën në një emision të fundvitit.

Ermal Mamaqi: E di.

Mentor Nazarko: E ke lexuar shkrimin e tij?

Ermal Mamaqi: Jo, por e di se ai nuk është i vetmi që më ka kritikuar.

Mentor Nazarko: Ai është ndoshta më i kualifikuari ndër këta kritikuesit e tu, sepse ai e interpreton nga këndvështrimi filozofik. Thoshte “Ermali e thirri atë sepse Ermali sheh te Linda veten e vet”. Ermali në njëfarë mënyrë-thotë ai-është si një si sëmurë dhe sheh te sëmundja e saj veten e vet.

Ermal Mamaqi: T’i jap përgjigje kësaj?

Mentor Nazarko: Po.

Ermal Mamaqi: Atëherë, ne jetojmë tani gjithnjë e më tepër në një globalizëm. Domethënë, bota po bëhet globale, ti bën një vepër tënden, e poston dhe e merr vesh ai që është në Alaskë ose në Australi.

Mentor Nazarko: Ti fansa ke atje, në Alaskë, apo jo? Ka ndonjë shqiptar në Alaskë?

Ermal Mamaqi: Ka, patjetër.

Ermal Mamaqi: Tani, në qoftë së ne shohim dikë ose diçka, ose nëse ne do merremi me këtë, patjetër do shohim dikur diçka të vetes tonë. Ose ky…

Mentor Nazarko: …Halil Matoshi.

Ermal Mamaqi: Ok. Qoftë me shëndet, që nuk e njoh se kush është, nuk e di se çfarë bën…

Mentor Nazarko: Nuk mërzitesh ti, apo jo!

Ermal Mamaqi: As nuk më intereson fare, përkundrazi jam shumë i gëzuar që ky person, që besoj duhet të jetë dikush me vlerë, ndonjë intelektual… Si ka mundësi që ky person, që është ky që është, merret me mua edhe me Lindën dhe ne të dy as nuk e dimë fare se kush është ky dhe çfarë bën, pse po e harxhon ajrin. Tani, kush nga ne të tre, ose më saktë, kush midis meje dhe Lindës dhe atij (unë po bëhem palë me Lindën meqë unë jam si ajo).

Mentor Nazarko: Për solidaritet…

Ermal Mamaqi: Unë me Lindën, apo ky personazhi, ky Matoshi. Kush nga ne të dy grupet, do thuash ti, vlen më shumë për t’u pasur shokë ose për të bërë një biznes ose për të bërë një rrugë deri në Dhërmi, ose për të thënë që unë jam miku i filanit, ose për të bërë një bashkëpunim që nesër, pasnesër do ndiqet nga masa.

Sepse po flasim për pjesën publike, për atë që ne prodhojmë për të tërhequr njerëz. Ky është biznesi i Lindës, që të thithë fansa.

Kim Kardashian që tashmë është gruaja e një prej personazheve më të famshëm të muzikës botërore, s’bëri asgjë tjetër më shumë sesa Linda. Absolutisht, nëse do ta studiosh familjen Kardashian, vuri kamera në shtëpi dhe thjesht thanë unë jam kjo, po shkoj në banjo, po shkoj në kuzhinë edhe e fitoi. Tani, hajde merru me atë e cila ka blerë tre ishujt deri para një jave.

Mentor Nazarko: Shiko, ai ndoshta e kishte për këtë që, priste prej teje që të bëje një emision gjithëpërfaqësues, nga Kosova të ishte më i miri…

Ermal Mamaqi: Ata kanë një hall shumë të madh, që ata vërtet thonë, ata të Kosovës thonë jemi një, por ndjenja e inferioritetit që ata përçojnë në të gjitha pikëpamjet…

Mentor Nazarko: Disa prej atyre…

Ermal Mamaqi: Kjo është një lloj ndjenje inferioriteti, atëherë, nuk jemi një, jemi dy. Sepse ti thua nga Kosova mora këtë, pse s’thua, pse do ti të përfaqësohesh me Lindën. Po përveç kësaj, për t’iu përgjigjur shumë shkurt këtij incidentit të Vitit të Ri, sepse u duk sikur unë ftova Lindën që të përdhosja figurën kosovare. Tri personazhe, të cilët unë i ftova, e anuluan ditën e fundit dhe ngeli ajo që ngeli dhe kaq.

Mentor Nazarko: Prapë të ka ngelur merak edhe ty. Po si arrin ti, një djalë Tirane, me formim të krishterë, je i pëlqyeshëm dhe në Kosovë, si mendon ti, se humori yt është urban…

Ermal Mamaqi: Humori është universal.

Mentor Nazarko: Ose çfarë thonë kosovarët për ty, ça u pëlqen, mos u pëlqen pamja jote ndoshta?

Ermal Mamaqi: S’e besoj, nuk e mbaj veten si bukurosh. Që nga 2003 e deri tani është i njëjti model flokësh dhe nuk e heq, pavarësisht se njerëzit më thonë ndërroje modelin. Nuk e kuptoj pyetjen tënde, sepse do të kundërvihem unë tani. Pse mos të më pëlqejnë mua ata, ça kanë ata ndryshe nga këta të Shqipërisë?

Mentor Nazarko: Unë vë re, për shembull, ata shihnin Portokallinë, jo kur ishe ti te Portokallia. Ata o qeshnin me vonesë, ose pëlqenin vetëm disa prej atyre, se nuk e kuptonin.

Ilnisa Agolli: Të drejtë kanë, në fakt. Qan ti, Ermal?

Ermal Mamaqi: Qaj… kur duhet qaj, po, njësoj si ty.

Mentor Nazarko: E thamë, ajo është instinktuale, sigurisht që…

Ermal Mamaqi: Jo, po nuk është se mbahem kështu si njeri i fortë, prekem shpejt, prekem, qaj kur shoh një film, ashtu siç qaj kur më kujtohet diçka edhe jam në vendin e duhur me muzikën e duhur edhe po kujtoj gjënë e duhur për të qarë.

Mentor Nazarko: Shiko, ti mund të bëhesh si Kosova, me gjithë ato diferencat që kemi për shumë arsye. ata prodhojnë një parti që vinte nga njerëzit e humorit, por që ishin njëkohësisht edhe njerëzit e network-ut. Ti mund ta bëje një parti të tillë, apo nuk do kishte sukses?

Ermal Mamaqi: Unë e di si është krijuar ajo parti edhe nuk është, jo, nuk është në objektivat e mia, as në qëllimin tim sepse ajo ishte thjesht një shaka kolektive për të ironizuar.

Mentor Nazarko Po sofistikim ishte ajo prapëseprapë…

Ermal Mamaqi: Po sigurisht, por nuk kam kohë të merrem me këto gjëra, as kohë, as ndonjë lloj thirrje për t’u rebeluar ose për të thënë, akoma s’e kam.

Mentor Nazarko: Unë e kam kot si një aksiomë, si vetëpërkëdhelje, s’do të thoja si masturbim ideor. Kam një lloj aksiome që humor, zakonisht, kanë ata popuj, ose ato kolektivitete, ato qytete, që s’e kanë qejf punën. Për shembull, humori urban, është një humor tipik tavoline, ku njerëzit rrinë gjatë, s’kanë çfarë bëjnë, rrinë i tregojnë disa herë historitë, i përsëritin ose i tregojnë më bukur, apo jo?

Ermal Mamaqi: Po, por nuk do të thoja që ne përfaqësohemi nga këto veçori, sepse mendoj që, e para, ti e di shumë mirë që njerëzit me humor, që e duan humorin dhe që janë me prirje për të krijuar humor, janë patjetër njerëzit inteligjentë.

Mentor Nazarko: Pa diskutim, shiko, shkodranët kanë shumë humor, por nuk i mbajnë për njerëz fort punëtorë, i mbajnë të qejfit. Ka humor gjerman, ke dëgjuar që ka humor gjerman?

Ermal Mamaqi: Jo, nuk kam dëgjuar për humor gjerman, por unë kam dëgjuar për humor anglez (po). Do thuash që janë dembelë anglezët?

Mentor Nazarko: S’e di, s’e di, aksioma mbase s’është me vlerë universale.

Ermal Mamaqi: Ajo që e diferencon, po themi, atë që bëjmë ne nga humori urban, është që, pra është një nivel më lart humori, është sarkazma. Kur ti ironizon edhe ngre probleme edhe shqetësime, edhe godet nëpërmjet humorit fenomene të ndryshme, edhe padrejtësi që ndodhin, që nga politika deri te ai më i thjeshti që përfiton nga hapësirat boshe të sistemit. Kjo është përtej kuptimit të dembelizmit, pra që të qeshim edhe të kalojmë një kohë të mirë.

Mentor Nazarko: Jo, unë e di që ti je punëtor në vetvete, por ata që janë konsumatorët e humorit tënd, këtu e kisha fjalën.

Ermal Mamaqi: Me thënë të drejtën, mund të ketë diçka të vërtetë, por nuk dua të jem unë ai që e marr përsipër autorësinë e kësaj.