MENU
klinika

Mentor Nazarko

Personazhet që bëjnë dhe nuk bëjnë, në emisionin tim

11.03.2017 - 16:26

Mentor Nazarko: Italia ka rastin e një njeriu, që është Beppe Grillo. Ai formoi një parti, ishte protagonist i varietesë politike të angazhuar, natyrisht me popullaritet të madh.Ti e mendon ta bësh ndonjëherë këtë?

Ermal Mamaqi: Ta them pa ndrojtje që më kanë propozuar disa segmente ose formacione politike që të bëhem pjesë…

Mentor Nazarko: Si protagonist?

Ermal Mamaqi: Sigurisht, ata atë duan, por nuk kam pranuar…

Mentor Nazarko: Të jesh kryetar partie po flasim…

Ermal Mamaqi: Jo, jo deri në këto nivele, sepse nuk mendoj që i vetmi protagonist është kryetari i partisë.

Mentor Nazarko: Për shembull, të jesh pjesë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, si Jul Deda.

Ermal Mamaqi: Jo, unë jam pjesë e Këshillit Kombëtar, por për hir të vërtetës nuk kam shkuar asnjëherë atje, se e kam menduar dhe kam bërë një lloj reflektimi, nisur nga pozicioni im si njeri biznesi por edhe si drejtues programi, dhe më duhet të ndjek një linjë më neutrale, kështu që e kam provuar këtë mundësi, më është dhënë kjo mundësi, dhe nuk kam pranuar dhe besoj se për shumë kohë, nuk do ndodhë kjo, derisa të ndodhë diçka që të ma kthejë mendjen.

Mentor Nazarko: Unë do të të bëj një kërkesë për të na bërë një lloj epitafi apo epigrami për politikanët. Për shembull, çfarë mendon ti për Sali Berishën? Ai të erdhi në emision, mos ki frikë se ti po ta shash nuk të vjen në emision, kështu që mund të jesh sa më i sinqertë.

Ermal Mamaqi: Po të jap një ilustrim që tregon se ça mendoj unë për këto të dyja, nëse i vë në një darkë, ato në çdo 10 minuta janë duke u puthur dhe në çdo 10 minuta janë duke u therur.

Mentor Nazarko: Po për Ed Ramën nuk na the ndonjë gjë, shikoji nga ky këndvështrim, sa aktrojnë në ligjërimet e tyre?

Ermal Mamaqi: Është artist, mbetet artist, arti ose ndjenja e protagonizmit është ajo që i duhet për ta bërë këtë popull për vete, domethënë, ai, shpesh, në daljet e tij, konkuron me shoëmen-ët më të mëdhenj, jo vetëm të Shqipërisë.

Mentor Nazarko: Po ‘like’ kush mori më shumë, Edi apo Saliu në emision?

Ermal Mamaqi: Unë.

Mentor Nazarko: Po pas teje?

Ermal Mamaqi: Nuk e di, duhet ta shoh.

Mentor Nazarko: Po ky Luli në çadër, është i mërzitshëm apo tërheqës, aktron mirë edhe ky?

Ermal Mamaqi: Nuk mund ta them atë që mendoj pasi mund të shkaktoj reaksione.

Mentor Nazarko: Diçka duhet të thuash, ti je njeri i lirë. Duam të dimë si të duket ty? Pozitë agresive, kërcënuese?

Ermal Mamaqi: Për mua kjo që ndodhi me çadrën ishte diçka e vonuar, nga pikëpamja e ‘të bëjmë diçka për opozitë’, në aspektin e opozitës ishte një fillim i mirë për t’u dukur.

Mentor Nazarko: Ai vetë fiton si lider, apo jo?

Ermal Mamaqi: Sigurisht, ajo gjë do e ndjekë gjithë jetën, nuk do shpëtojë nga ajo, por në këtë që bëri ai po bëhet ekzistent, pra është diçka e mirë.

Mentor Nazarko: Po Ilir Meta ka humor? Domethënë, a mund të rrinte gjatë këtu dhe pa qenë i mërzitshëm?

Ermal Mamaqi: Dyshoj, është një njeri i qetë dhe emisionit tim i duhen njerëz më shumë impulsivë që të funksionojë.

Mentor Nazarko: Po Hashim Thaçi?

Ermal Mamaqi: Mendoj që Hashim Thaçi është një Ilir Meta atje ku është.

Mentor Nazarko: Po ky Isa Mustafa?

Ermal Mamaqi: Nuk dua të prononcohem për këtë sepse nuk njoh shumë detaje të tij.

Ilnisa Agolli: Po Blushi?

Ermal Mamaqi: Blushi më ka lodhur në një intervistë që unë po bëja më të, në Digitalb, dhe zemra ime fluturoi mbi antenat e Digitalb kur ai pas gjysmë ore qeshi për herë të parë. Të parë dhe të fundit.

Mentor Nazarko: Po nga Kosova kë ke patur dhe të ka pëlqyer?

Ermal Mamaqi: Bexhet Pacolli, për hir të së vërtetës, ka qenë një personazh që ka sjellë shumë audiencë, dhe vetë pozicioni i tij, statusi që ai mban, e çonte bisedën përpara.

Mentor Nazarko: A nuk e banalizove pak ti me atë buxheti-bexheti, me ata njerëzit që mblidhnin lekë, që bënin një truk të tillë, mos e banalizove pak?

Ermal Mamaqi: Ndoshta, po jemi prapë tek ajo pjesa që unë duhet të bëj njerëzit që janë duke na ndjekur të thonë: “Si s’ia tha këtë” dhe më mirë të armiqësohem me Bexhetin sesa me 2 milion e 80 mijë vetë.

Mentor Nazarko: Po nga femrat që merren me politikë, kush të tërheq? Që ka inteligjencë, që flet bukur.

Ermal Mamaqi: Majlinda Bregu, i njeh limitet dhe të ndihmon për të integruar bisedën në humor.

Mentor Nazarko: Të kesh sukses duke bërë humor, është pushtet, dhe është pushtet mbi audiencën dhe mbi femrat. Çfarë raporti ke me femrat? Je monogam?

Ermal Mamaqi: Patjetër që po, si mund të jem ndryshe? E shfrytëzoj pjesën e humorit mbi femrat për të fituar përfitime të ndryshme që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me atë që quhet tradhti bashkëshortore, kjo nuk do të thotë që ua rregulloj shokëve.

Mentor Nazarko Të falenderoj!

Ermal Mamaqi: Faleminderit!

Ermal Mamaqi: Suksese në portalin Konica.al që u krijua pas asaj tentativës që ti dhe unë të bashkoheshim në një portal tonin.

Mentor Nazarko: Mund të bashkohemi. E di cila është e keqja e portaleve? Po e mbyll me këtë gjë pak serioze, serioze është e gjithë biseda në fakt. Paradoksalisht ne kishim shumë gazeta, dhe mendohej që me pjekurinë e shoqërisë të bashkoheshin pronarët, të kishte shoqëri aksionere. Ti do rrije me ne në qoftë se do ndanim mirë aksionet?

Ermal Mamaqi: Në qoftë se jam maxhoritar, po.

Mentor Nazarko: Audienca është mbreti i botës.

Ermal Mamaqi: Ai është klienti, klienti është mbreti, klienti ka gjithmonë të drejtë.

Mentor Nazarko: Të falënderoj shumë.

Ermal Mamaqi: Faleminderit juve.