MENU
klinika

Mentor Nazarko

Elitat shqiptare ta zgjidhin krizën pa ndërkombëtarët (Video Ekskluzive/Pjesa e tretë)

29.04.2017 - 14:18

Intervistë/ Vijon nga Pjesa e dytë…

Kërkesat e Lëvizjes “Besa” për të qenë pjesë e qeverisë maqedonase (Video Ekskluzive/Pjesa e dytë)

Një ditë më parë shpërthimit të krizës në Maqedoni, një ekip i Konica.al u gjend në Shkup. Për të kuptuar më mirë arsyet e krizës, ne ju drejtuam zërave jokonvencionalë, që zakonisht thirren nga Tirana për të dhënë përgjigje.. Ne folëm me Bilal Kasamin, kryetarin e Lëvizjes Besa, i cili tha shumëçka për krizën, por dhe për origjinën e partisë së tij, për Nënë Terezën dhe Skënderbeun, nëse është partia e tij, parti e islamit politik, lidhjet me platformën e Tiranës dhe Edi Ramën, etj. Megjithëse Kasami është ekonomist, biseda ka shkuar më së shumti për tema të tilla, që duket sikur okupojnë gjithë jetën publike në Maqedoni.

Intervista ekskluzive e editorialistit tonë Mentor Nazarko do të botohet me pjesë në Konica.al. Ne biseduam gjithashtu dhe me Visar Ademin, ekspert ekonomie, i cili zhbëri mitet për Maqedoninë si një realitet ekonomik funksional dhe efektet shkatërrimtare të qeverisë teknike.

Mentor Nazarko: Ju vetë si e shihni krizën? Thatë që LSDM-ja duhet ta bëjë të qartë meqë është partia kryesore apo partia mandatare. Ju çfarë do t’i propozonit?

Bilal Kasami: Ne do kishim dashur që Zoran Zaev të kishte një strategji të qartë për daljen nga kriza. Strategji e cila nëse e kërkon përkrahjen tonë do të duhet të ulet ta konsultojë edhe me ne. Nënkuptohet, se edhe ne kemi ide që t’ua prezantojmë për t’ua bërë sa më të mirë strategjinë e tillë. Vërtetë që vendi është në një krizë të thellë para një humnere. Gjithsesi, një strategji e tillë e koordinuar edhe me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian; kjo strategji duhet t’i prezantohet edhe publikut, ku vlerësoj se VMRO do të vendosej para aktit të kryer të pranojë ose jo një strategji të tillë. Elementet e kësaj strategjie do duhet të ishin në elemente të zhbllokimit të parlamentit, në drejtim të ofrimit të mekanizmave se si mund të merret mandati që pastaj të mund të nisin bisedimet në kuadër të kushtetutës së Maqedonisë për formatimin e qeverisë së ardhshme. Qeveri e cila në të gjitha rastet në parlament do duhet të prezantojë programin qeverisës dhe aspektin kadrovik apo ministrat ose pozicionet tjera qeverisëse të cilët do duhet ta realizojnë këtë program qeverisës.

Deri sot fatkeqësisht ne nuk kemi në dorë një ide, një dokument, një strategji të tillë. Fatkeqësisht deri sot Zoran Zaev nuk e ka parë të arsyeshme që të ulemi të gjithë kryetarët e partive politike të cilët e bëjmë shumicën dhe të diskutojmë për hapat e mundshëm për dalje nga kriza. Fatkeqësisht nga lideri i BDI-së kërkohet takim i liderëve të cilin e vlerësoj shumë të rrezikshëm në situatën në të cilën gjendemi sepse kjo i jep shpresë VMRO-DMPN-së se ka ende mundësi që të rikthehet në skenën politike. Veçanërisht, pas zgjedhjeve të  11 dhjetorit kur në Maqedoni kemi një rezultat të qartë. Kemi në një anë shumicën që bëjnë 67 deputetë dhe në anën tjetër kemi një pakicë parlamentare dhe nuk ka kuptim kërkesa e VMRO-së për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje për krizën në të cilën gjendet Maqedonia.

Mentor Nazarko: Ka një moment që është i përbashkët në Ballkan, Shqipëri dhe Maqedoni, që është çështja e reformës në drejtësi e cila tek ju është parë vetëm si krijimi i Prokurorisë Speciale, tek ne është më e plotë: prokuroria speciale, gjykata speciale dhe institucione të reja si një mënyrë për të spastruar elitën politike e cila për dy mandate apo tre mandate apo më shumë mandate e arrin që të kontrollojë jetën tonë politike. Këtu shikohet arsyeja se pse Gruevski apo establishment-i i tij duhet të largohen nga pushteti. Ju e shikoni amnistinë që në një mënyrë të zhbllokohet situata politike?

kolana e librave

Bilal Kasami: Unë vlerësoj se amnestia do ta thëllonte edhe më shumë krizën. Në fakt, përvoja e deritanishme e politikanëve të cilët kanë përdorur pozitat e tyre publike por në asnjë moment nuk kanë dhënë llogari e solli Maqedoninë në këtë situatë në të cilën gjendemi. Prandaj vlerësoj që tani ne nuk duhet të tolerojmë situata të tilla. Patjetër që është momenti më kritik në të cilën gjendet vendi që politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar duhet të japin llogari. Nëse edhe tani ua falim vlerësoj së Maqedonia nuk ka më potencial ekonomik dhe shoqëror që të mbartë në të ardhmen politikanë të tillë të korruptuar. Prandaj Lëvizja BESA që në fillim të shfaqjes së krizës politike kërkoi që bashkë me Prokurorinë Speciale të formohet edhe Gjykatë Speciale që u tregua si një kërkesë e patjetërsueshme për situatën e Maqedonisë. Po e shohim se Prokuroria Speciale pa Gjykatë Speciale nuk arrin të jetë e plotë.

Mentor Nazarko: Ju e shihni modelin e Shqipërisë si një model funksional për Maqedoninë?

Bilal Kasami: Unë vlerësoj se dekriminalizimi i shoqërisë është problem i përbashkët i vendeve të Ballkanit.

Mentor Nazarko: Po përdorimi i drejtësisë me mbështetje ndërkombëtare për qarkullimin e elitave?

Bilal Kasami: Po, patjetër që në mungesë të kapaciteteve të brendshme që sistemi të funksionojë edhe këtu ku jemi, në veçanti sistemi juridik që nënkupton që edhe politikanët të jenë në pozitën e një qytetari ordiner kur të bëjë një shkelje të ligjit duhet të përgjigjet; atëherë vjen në shprehje mbështetja nga jashtë. Unë vlerësoj që përkrahja nga jashtë do të jetë në këtë drejtim, në drejtim të mbisundimit të ligjit. Kemi problem me sundimin e ligjit veçanërisht për politikanët të cilët kanë mundësi që t’i ikin llogaridhënies për veprimet e tyre.

Mentor Nazarko: Një pyetje e fundit. Në Shqipëri  ka një lloj krize politike e cila dje kulmoi me pranimin e një negociatori ndërkombëtar. A nuk ju duket e shpërpjesëtuar përfshirja e ndërkombëtarëve në Shqipëri nga atë në Maqedoni ku problematika është më komplekse? Dhe cila është ajo këshillë meqënëse këta të Shqipërisë ju japin këshilla juve, ndoshta është edhe rasti që ju të jepni ndonjë këshillë?

Bilal Kasami:  Unë vlerësoj që politika shqiptare ka mundësi që t’i zgjidhë problemet edhe pa impenjimin e faktorit ndërkombëtar. Mesa duket, pozicioni i të qenurit një shtet ku problemet politike  nuk kanë një dimension etnik ku Shqipëria është e tillë siç është. Ndoshta komoditeti i tepruar i politikanëve para interesit kombëtar në këtë rast është edhe interes shtetëror i shtetit Shqiptar të vendosin interesin e tyre partiak. Sikur elitat politike në Shqipëri mbi interesin partiak të vendojnë interesin kombëtar apo shtetëror unë vlerësoj do të kenë potencën e mjaftueshme që problemet e brendshme të mos i ndërkombëtarizojnë.