MENU
klinika

Mentor Nazarko

Kryetari i Besës: Siguria kombëtare e Maqedonisë është në pikëpyetje!

29.04.2017 - 14:37

Intervistë/ Dy ditë pas dhunës në Kuvendin e Maqedonisë ka reaguar dhe kryetari i partisë Besa, Bilal Kasami. I pyetur dy ditë më pas në lidhje me situatën dhe në plotësim të intervistës që u zhvillua ekskluzivisht për Konica.al, Kryetari i Besës ka shprehur qëndrimin e tij.

Ai ka dënuar dhunën ndaj deputetëve dhe gazetarëve dhe ka vënë theksin që Maqedonia nga kjo situatë rrezikon më shumë se demokracinë, tashmë rrezikohet siguria kombëtare.

Nazarko: Cili është qëndrimi i Lëvizjes që ju drejtoni për situatën që u zhvillua në parlament? A keni droje se mund të përsëritet prapë?

Kasami: Pas incidenteve të mbrëmshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kur huliganë të mbështetur nga VMRO-DPMNE e sulmuan institucionin më të lartë ligjvënës në vend, Lëvizja BESA konstaton se Maqedonia tashmë është jo vetëm në krizë politike të demokracisë, por edhe në krizë të sigurisë. Kjo flet për faktin se në Maqedoni tashmë janë rrënuar vlerat e demokracisë, si sundimi i shumicës, dhe tash për fatin e shtetit vendosin disa huliganë të përfaqësuar nga VMRO-DPMNE-ja.

Pas saj që ndodhi mbrëmë e dënojmë ashpër dhunën ndaj deputetëve dhe gazetarëve, ndërsa në veçanti i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë z. Ziadin Sela, duke u solidarizuar njëherazi edhe me anëtarësinë dhe aktivistët e LR-PDSH-së.

Me këtë rast duam të shpjegojmë se pesë (5) deputetët e Lëvizjes BESA kanë qenë në sallën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë derisa është zhvilluar seanca për zgjedhjen e z. Xhaferi, me çka e kanë legjitimuar zgjedhjen e tij, madje për këtë janë falënderuar edhe nga z. Xhaferi edhe nga z. Zaev. Nëse do të flisnim për numrat, Lëvizja BESA e mbështeti shumicën parlamentare që e zgjodhi z. Xhaferi për kryetar Kuvendi, duke mos e lënë të rrezikohet procesi nga mungesa e kryetarit të BDI-së.

Përkitazi me këtë i ftojmë të gjitha institucionet e vendit që ta respektojnë këtë zgjedhje dhe të sillen konform këtij vendimi.

Këtu duam të shpjegojmë edhe një moment që i kanë lënë shije të keqe këtij procesi: ne nuk ishim të informuar për skenarin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe kjo na gjeti të papërgatitur, por – pavarësisht kësaj – ne, ashtu siç kishim premtuar, qëndruam në sallë dhe e ndihmuam dhe legjitimuam procesin. Shpresojmë se paskëtaj do të vazhdojnë të themelohen edhe institucionet e tjera të shtetit dhe vendi të kthehet në gjendje normale.

Meqë jemi akoma në gjendje të rënduar të sigurisë, u bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve që ta ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të kujtdo qofshin, sepse lëndimi i sigurisë së vendit është pikërisht dëshira e atyre që dje e sulmuan edhe Kuvendin, ndërsa detyra jonë duhet të jetë që të ndihmojmë bashkërisht që vendi të kthehet në gjendje normale.

Vijon…