MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Ku të çon kjo rimartesë?

03.04.2017 - 14:27

Në shumë prej komenteve të kohëve të fundit i jam përmbajtur një fjalie që është e ngjashme me titullin e një libri të Remarkut që titullohet « Asgjë e re nga fronti i perëndimit ».

Nuk kam pasur shumë dyshime se, pavarësisht manovrave, puna përsëri do të shkonte në një aleancë mes PS dhe LSI. Favoret e saj për PS-në ishin dhe janë të dukshme. I dhanë mundësi, pavarësisht ngjyrimeve taktike me të cilat u shoqëruan, për të bërë, apo filluar, një pjesë të rëndësishme të reformave, që duhen për t’u shkëputur nga e kaluara, që këtu e quajnë për të qenë në rregull me dogmat teorike, si tranzicion.

Rama e përmendi prapë domosdoshmërinë e aleancës me LSI-në në një nga forumet e partisë së tij, duke përdorur prapë termin reformë. Mund ta ketë bërë edhe për efekt të pakësimit të një krize politike që po krijohet nga PD, apo për qëllime individuale, kjo është temë që analizohet dhe mund të kemi sa të duash përfundime të ndryshme nga njëri-tjetri. Unë po i mbahem gjykimit tim.

Në disa pika, ka të drejtë. Nëse reforma për drejtësi ka marrë njëfarë forme, përsëri është larg nga realizimi i qëllimit përfundimtar. Pa ndihmën e LSI-së, edhe sot, ashtu si dje, është thuajse e pamundur të sigurohen numrat e domosdoshëm. Po të llogaritësh edhe qëndrimin e tanishëm të PD-së, realizimi i saj duket akoma më larg. Natyrisht, për pjesën militante të PS-së, kjo që bën Rama, nuk është kënaqësi e madhe. Në gjendjen që është PD-ja, mundësia e PS-së për të fituar e vetme është më e madhe se më parë.

Po a mund të ketë vlerë kjo fitore? Nuk është vetëm reforma në drejtësi ajo që duket ende larg për t’u realizuar në pikëpamje praktike. Në një sfond që nuk sheh si aktorë vetëm politikën shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare, apo një nga faktorët më të mëdhenj mbështetës për Ramën, i cili mund të pakësohet po me të njëjtën mënyrë si u krijua, është pikërisht fakti si i mbledh ai të tjerët rreth tij për realizimin e reformave. Është ndoshta nga pikat më të forta të Ramës, që veç të tjerash, forcon akoma më shumë izolimin ndërkombëtar ndaj PD-së. E ndoshta kjo sjellje e Ramës që shkon kundër dëshirave të PD-së, që shpresonte thyerjen e brendshme PS-LSI dhe jo aleancën me këtë të fundit, do ta nxjerrë më shpejt sesa duhet vetë PD-në nga çadra ku është ngujuar.

Një reformë më e rëndësishme se ajo e drejtësisë, për mua, është ajo e territorit, e cila vetëm sa është shtruar për realizim praktik. Ajo bëhet thuajse e pamundur nëse në lojë nuk është veç PS e LSI, edhe pjesa tjetër e spektrit politik.

Nisur nga kjo analizë, sado lëshime të bëjë PS ndaj aleatit të saj, favoret më të mëdha i përfiton po prapë ajo. Çështja përsëri duket se i mban larg militantët e PS apo LSI nga çfarë u tha më sipër, po në një plan më të thjeshtuar gjykimi, mund të shprehemi edhe kështu, veçanërisht për ata që kanë qejf shembujt elementarë për të kuptuar se çfarë ndodhi me ish-vendet e Lindjes komuniste.

Mund t’i referohemi procesit të lyerjes së një shtëpie, proces që herë pas here i duhet të bëjë e zonja e saj. Ajo e pastron apo kruan sipërfaqen e lyer dhe përpara i shfaqet ajo paraardhëse…

Kur Aleksandër Vuçiçi fitoi sot, m’u duk se serbët iu drejtuan filozofisë së Titos së vjetër. Mjeshtër i manovrave shumëplanëshe që lidhej dhe me perëndimin dhe me lindjen njëherësh. Këtë bëri praktikisht dhe Vuçiçi​ si në një lojë të thjeshtë shahu. Dhe shumica e popullsisë, në mënyrë instiktive, e ndoqi në këtë filozofi, duke kujtuar po instiktivisht se periudha e Titos ishte ajo më e qeta, po ndoshta më frytdhënësja për ta.

Në të njëtën mënyrë mund të shohësh edhe vendet që ishin dikur në ish-perandorinë austro- hungareze… Shembujt më afër nesh dhe më domethënësit, ndoshta, do të ishin Kroacia dhe Sllovenia.

Rënia e gëlqeres së vënë në periudhën e komunizmit në Shqipëri, të çon drejpërdrejt në periudhën turke. Pavarësisht se shumica e quajnë edhe zyrtarisht periudhën që po kalojmë tranzicion, më duket se ajo më shumë mban erë feudalizëm tipik i periudhës turke. Kështu mund ta quajmë periudhën e viteve të qeverisjes Nano – Berisha që zgjati deri në vitin 2013. Elemente të kësaj mund t’i shohim edhe në periudhën e tanishme që po flasim.

Nëse flet për militantët apo kritikët e Ramës, ai sillet ndryshe nga LSI, që favorizon apo kujdeset më shumë për ata që bëjnë pjesë në radhët e saja… Është parë jo vetëm në fillim apo dhe deri tani vonë, në radhët e militantëve socialistë janë shfaqur pakënaqësi. Kjo jo vetëm në lidhje me ndarjen e pushtetit me aleatin e tij LSI në administratën lokale apo pushtetin qendror. Me manovra në favor të militantëve ishte PD e para dhe PS-ja e Nanos, që shkurtoi periudhën e qeverisjes së saj politike dhe pas saj dhe vetë LSI që praktikon shpesh një rrugë të tillë, duket se shkon po drejt një fundi po të tillë.

Nëse Rama do të përsëriste si dy pika uji atë që bënë parardhësit e tij, që sunduan po në stilin e Hoxhës, jo në teori, por në praktikë, periudha e tij qeverisëse do të ishte më e shkurtër se e paraardhësve. Vëzhgues i hollë i natyrave njerëzore, Rama, nëpërmjet sjelljeve personale në praktikë, po përpiqet të shkëputë pikërisht ato marrëdhënie feudale, apo po të doni, të tipit komunist të së kaluarës.

Pikërisht në këtë frazë të fundit, kam mbështetur gjithnjë idenë se marzhi i manovrës së LSI-së për të penguar aleatin apo për të rritur avantazhet e saj ndaj tij, është thellësisht e kufizuar.

Të mbështetësh këtë tezë vetëm në filozofi për filozofi, pa dyshim që mund t’i bësh të tundin kokën jo vetëm kritikët e Ramës, por dhe të tjerë. Po në një rrafsh praktik problemi është më i thjeshtë. Shumica e popullit shqiptar ka dalë jashtë këto njëzet e pesë vjet, e di si rrjedhin ngjarjet andej. Janë thelbësisht të ndryshme nga ato që shohim këtu. Po ashtu, shumica e popullit e di mirë se problemet me pronat, me rrëmujën territoriale e me atë të energjisë, janë produkte të krijuara këto njëzet e pesë vjet dhe nuk mund të zgjdhen duke bërë të njëjtat sjellje si dikur.

Kritikët mund të thonë se Rama këto i bën për të forcuar pushtetin personal. Në formë ato mund të ngjajnë me atë parullën e famshme të Nanos dikur që thoshte: Të lëshojmë pushtet për të bërë shtet.

Po parulla ishte vërtet e thënë prej tij, por në praktikë ai nuk e kaloi kurrë kufirin e një bejlurcine të vogël, që asnjëherë nuk u përball me vështirësitë. E të njëjtat përfundime mund t’i nxjerrësh edhe për Berishën.

Nëse Rama, për të shtuar pushtetin personal, prish me mijëra shtëpi pa leje, shtrëngon njerëzit të paguajnë energjinë, apo kërkon reformë territoriale a në drejtësi, kjo nuk dihet se ku të çon. Mund të thuash se rrit pushtetin personal, por mund të thuash se është përpjekje sado e vogël apo e madhe për të bërë shtet. Ky është kyçi i suksesit të tij.

E në këtë sens do parë dhe ripërtëritja e aleancës së re me LSI. Mundet, siç do të dëshironte një pjesë e militantëve, të fitonte i vetëm. Mundet, por nuk e di sa do të ishte jetëgjatë ky lloj pushteti. Për mua do të ishte shumë më i shkurtër dhe vetëm një përsëritje banale e gjithë atyre që kemi parë në të kaluarën.