MENU
klinika

Mentor Nazarko

Perusti, me dy këmbë?

03.04.2017 - 14:17

Marrëveshja e re PS dhe LSI ngjan se është farkëtuar në linja të përgjithshme në nivel liderësh dhe Tirana e pallateve të politikës dhe mediave apo e kateve të ndryshme të njëjtit pallat si thotë Lubonja, po gumëzhin për të njohur përmbajtjen e saj. Me gjasë dhe kjo s’ka për t’u marrë vesh kurrë sakohë që nuk u mor vesh as ajo e 1 prillit të 2013. Edhe Tirana e çadrës gjithashtu është në një mister të frikshëm: iluzioni i një aleance të re me LSI-në ngjan se mori fund.

Marrëveshja ngjan se mbërriti në termat kryesore fiks në dy prill, fiks kur skadonte marrëveshja e vjetër katër vjeçare, dhe në një Restorant peshku në Pazar të Ri, por pa mediatorë privatë si ajo 4 vjet më parë. Vështirë se kush e ka organizuar takimin nuk ka menduar për koincidencat. Meta me siguri ka dashur të konfirmojë njëlloj mitologjie të përgjithshme se ai respekton marrëveshjet dhe afatet e tyre. Fiks katër vjet kur skadoi marrëveshja e parë, ngjan se po arritet në marrëveshjen e re. Dhe nëse për të parën ushqimi i përdorur ishin ngjalat, dhe për të dytën, duhet te ketë qenë peshku, asortimenti kryesor.

Por pa u përfshirë në kërkimin e kurioziteteve kulinare, apo të tipit kronikë, dhe as në përmbajtjen e marrëveshjes reale, larg deklaratës dypalëshe të principeve që mund të bëhet publike, ka një kënd shikimi prej të cilës mund t’i qasesh asaj. Ai i interesit publik.

Integrimi dhe vetingu prioritet. Por dhe dhënia fund e feudeve

Nga këndvështrimi i interesit publik një marrëveshje e re qeverisjeje ka dy detyrime kryesore kombëtare.

Së pari të përgatisë vendin për një marrëveshje me BE –në, për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kjo marrëveshje është premtuar qoftë prej institucioneve europiane (Mogherini), qoftë prej shteteve të (zyrtarë të lartë të Kancelares Merkel). Me gjasë perspektiva e ndikimit rus në rritje e sipër e ka bërë më bujare BE-në. Nevoja për ekuilibër midis faktorit serb dhe atij shqiptar, bën që ecja e Shqipërisë drejt BE-së të jetë dhe më e shpejtë dhe e sinkronizuar.

Së dyti, realizimin e vetingut dhe prej tij, të fillimit të një procesi historik në modernizimin e shtetit shqiptar, reformën tërësore në drejtësi.

E në këtë perspektivë, a e garanton një marrëveshje e re PS-LSI, këto dy objektiva? Me gjasë, një aleancë tjetër, ajo e PD me PS-në, një lloj qeverie e pajtimit kombëtar, njëlloj qeverie e integrimit euroatlantik, sipas modeleve kroatë, etj mund të garantonte përparim më të shpejtë në këtë drejtim. Por si duket, me praninë e Berishës ende në kontroll real të drejtimit të PD-së, kjo duket e pamundur. Kjo qeveri mbase mund t‘i sillte kosto të rëndë vetingut apo reformës për drejtësi. Por gjithsesi një marrëveshje pajtimi kombëtar do duhet edhe nëse s’ka koalicion PD-PS. Ndërkohë sikur të bëhej, Meta dhe faktorë të tjerë do ta helmonin në start një koalicion si ky, i cili ose do ta zbehte opozitën në vend, ose mund ta rilindte atë në formën e subjekteve të rinj, edhe më të rinj se partizat e vogla që kanë lindur.

Por nëse koalicioni PS-PD mund të kishte njëlloj kostoje aministuese për vetingun (kushtet e PD-së që ka hyrë në çadër për ta vonuar atë), kjo nuk do të thotë se koalicioni i rikonfirmuar PS –LSI e garanton vetingun me ritmet e parashikuar nga sponsorët e tij. Duket qartë se në ecurinë e tij të shpejtë dhe LSI pengon, e pse jo dhe vetë segmente të caktuar të PS-së.

Në kuadër të këtyre dy objektivave, por jo vetëm këtyre, para një koalicioni të ri ka një imponim tjetër.

Problemi më i madh i qeverive shqiptare, i institucioneve tona, është koordinimi. Brenda qeverisë, brenda institucioneve, ministritë, apo entet e ndryshme funksionojnë si feude, si parcela pushteti. Në këto parcela, partitë bëjnë politikat e tyre të kuadrit, mbështetjen financiare të ndërmarrjeve apo bizneseve që duan, etj, etj. Kjo duhet të marrë fund në shekullin e 21-të. Është fatale që për programe, projekte që kursejnë para, që modernizojnë shtetin, që e shohin shtetin si një i tërë, të jetë pengesë fakti se në krye të një ministrie, është një titullar i një partie tjetër të koalicionit, i cili i ndjerë i përjashtuar nga menaxhimi i burimeve financiare, ta pengojë projektin. Po e përkthejmë më thjesht nevojën e koordinimit, apo të unitetit qeverisës. Me pak fjalë, pasi partitë bien dakord për programin qeverisës, ministritë do duhen të kenë unitet në politika, projekte të mëdha, në administrim burimesh njerëzore, etj.

Për të qenë më konkretë : Shqipëria është shumë e vogël për investime të mëdha. Mund të ndodhë që asaj t‘i ofrohen investitorë të mëdhenj që e shohin atë si një e vetme, për projekte të tilla ndërdikasteriale si portet, menaxhimi i mbetjeve urbane, turizmi, ndriçimi, etj, por pikërisht ndarja feudale, në ministri, apo pushtet qendror-pushtet lokal, alias ndarja partiake, krijon bllokime të mëdha deri në mosrealizim projektesh.

Në shumë raste, ministrat e LSI-së, nuk i janë bindur parimit të unitetit qeverisës dhe drejtues të shtetit veçse në disiplinimin e deklarimeve publike (rasti i Manjanit ishte përjashtim).

Pavarësisht se në dukje, Meta është përpjekur të tregojë se pranon autoritetin e kryeministrit në largimin ose jo të një ministri, vetëm muret e dinë sesa shumë negociata duhet të jenë bërë për të larguar gjithsecilin prej atyre që është larguar. Letrat BE-së kundër vetingut, kanë ardhur nga brenda qeverisë dhe kjo nuk ka qenë së jashtmi dëshmi e unitetit qeverisës.

Autonomia është e nevojshme, por harmonia është e domosdoshme. E kjo ngjan se ka munguar sistematikisht në gjithë qeveritë shqiptare. Problemi i ngjashëm është dhe midis institucioneve të tjera dhe qeverisë : brenda autonomisë së gjithsecilit, nevojitet një harmonizim absolut i pjesëve të shtetit me njera tjetrën.

Problemi me gjasë mund të jetë më i thellë sesa kaq, kur në koalicion mund të përfshihen më shumë sesa dy parti, pra kur koalicioni vërtet të ketë 3 bashkëkryetarë si ka thënë shpesh taktikisht Rama, duke nënkuptuar dhe përfshirjen me dinjitet të PDIU-së në koalicion, e pse jo dhe me një ministri.

E në darkë morën pjesë vetëm dy bashkëkryetarë, që tregon se problemet brenda koalicionit me 3 bashkëkryetarë megjithatë nuk janë zgjidhur. Perustia qeveritare do ketë dy apo tre këmbë, që të jetë e qëndrueshme ? S’dihet ende nëse kontratat e reja do të jenë 4 vjeçare, apo mitologjia e respektimit të tyre do konfirmohet sërish.