MENU
klinika

Mentor Nazarko

Zëri i trashë: A sjell vota?

10.04.2017 - 14:58

Dje kreu i opozitës Lulzim Basha arriti njëfarë piku, ose njerin ndër piket më kulmimantë të përdorimit të gjuhës së ashpër politike qoftë ndaj kryeministrit, qoftë ndaj kreut të KQZ-së, një koleg i tij jurist. Themi njëfarë piku, apo njerën ndër piket, pse përgjithësisht gjatë gjithë qëndrimit në çadër, Basha ka përdorur një gjuhë të ashpër.

Kjo lloj gjuhe në të vërtetë është krejt e ndryshme nga gjuha mesatare që ai ka përdorur që kur në vitin e largët 2004, Basha u shfaq në jetën publike të vendit. E bash për këtë arsye, kjo gjuhë meriton vëmendje : a është ajo gjuhë efektive politikisht?

Kush e kujton Bashën në momentet e para si solist politik, e mban mend mirë elegancën me të cilin mundi Blushin në një nga debatet në Opinion në vitin 2004. Basha i shfaqur për herë të parë në një debat publik, me formimin prej juristi, me trajnimin në klubet studentorë të debatit me qetësinë, butësinë e tij, me njohjen e funksionimit të administratës ndërkombëtare, kapërceu modelin prej oratori me formim kryesisht letrar të Blushit që funksiononte nëpër banaqe debati.

Basha fitoi me lehtësi mandatin e tij të deputetit në një zonë të Tiranës, dhe po ashtu arriti një rezultat të shkëlqyer përballë Ramës, po të mendohet mungesa e tij e eksperiencës dhe përballja me një elefant si kreu i PS-së. Shumëkush kujton mobilizimin e qeverisë së PD-së në favor të tij, truket e përdorura, madje dhe të ashtuquajturat vota në kuti të gabuara. Edhe duke i llogaritur ato, Basha arriti një rezultat shumë të mirë. Gjuha e përdorur ishte e njëjta si në fillim, duke mbetur besnik i stilit të tij të komunikimit: i qartë, koherent, deri diku konstruktiv, njeri që shikonte përpara, propozues dhe më pak kritik, apo kurrë denoncues, kumtues efektiv i mesazhit politik, madje dhe dinak nëpër debate të ndryshme me gazetarë, por kurrë fyes i tyre.

Basha i këtij stili shquhej në komunikimin politik. Në planin e brendshëm, ky imazh i Bashës me siguri ka qenë tërheqës për rininë, për shtresën e mesme, apo dhe për elektoratin gri. Ai kishte një imazh me gjasë të mrekullueshëm tek të gjithë të huajt, megjithëse në një raport të ambasadorit amerikan John Uithers, publikuar nga Wikileaks, ai konsiderohej si njeri me aftësi të vogla manaxheriale. Nuk tregoi rezultate të ndritshme në punë si ministër transporti, apo i brendshëm, por me gjasë si ministër i jashtëm ka ofruar një imazh të mirë personal dhe të vendit të tij.

Për gjithë këto arsye, Basha ngjante më tërheqës dhe më bindës sesa i ndjeri Olldashi në garën për pasaardhës të Berishës. Ai përfaqsonte në pikëpamje të komunikimit publik, thyerje, ndryshim tradite. Rivali i tij, ishte një variacion i Berishës, por pa talentin e tij letrar, apo dhe erudicionin. Basha nuk tregonte erudicion, lexime të thella, por stili i tij prej shkollari korrekt, ishte bindës.

Pse ndryshoi Basha?

E tani, pse ky ndryshim ? Pesha e të rinjve në votë është rritur, për arsye fiziologjike të ndryshimeve demografike. Ambasadorët mbeten njëlloj të rëndësishëm për jetën tonë politike si më parë.

Me këtë stil komunikimi që arriti pikun që thamë para dy ditësh, me intransigjencën e tij, me luhatjet e tij, Basha ka humbur sharmin e tij tek të huajt. Sipas një paradigme, politikanët shqiptarë, mendojnë se pasi të fitojnë zemrat e votuesve të tyre, domethënë pasi të fitojnë zgjedhjet, do të arrijnë t’i imponohen si kundërpalë, të huajve. Pra dhe të rifitojnë zemrat e tyre. Mbase dhe Basha mendon këtë. Po a fiton dot ai me stilin e ri zemrat e një mase kritike shqiptarësh që mund ta sjellin në pushtet ?

Me fatalitetin e treguar ndaj LSI-së, domethënë bindjen e konsoliduar e që duket qartë publikisht se pa të nuk mund të fitojë, gjuha e Bashës qëllimisht nuk përfaqëson një gjuhë pajtuese të dikujt që don të fitojë i vetëm mbi 50%. Ai që don të fitojë shumicën e shqiptarëve, duhet të ofrojë një qasje që të jetë e projektuar para, kah e ardhmja, që të jetë i pranueshëm për të rinjtë dhe të vjetrit, burrat dhe gratë. Gjuha si ajo që pamë nga hapja e çadrës e këtej me një vijimësi tronditëse, nuk është gjuhë e mesme, por gjuhë ekstremesh, apo ekstremi. Me të Basha mund të tërheqë, të motivojë militantët e partisë së tij, të ngjajë si lider i tyre, por kurrë s’mund të përfitojë votues të lëkundur, pjesën gri, etj, etj. Pa folur që kjo egërsi në gjuhë, vetëm me Ramën, ndërsa nuk po e bën këtë me Metën, e dëshmon qartë mungesën e parimësisë . Premtimet që po bën, edhe para çadrës dhe para saj, janë me karakter populist,nuk ngjajnë të mundshëm në qeverisje.

Dikur kemi thënë se Basha është duke imituar Trumpin në përdorimin e kësaj gjuhe, pra për t’u paraqitur njëjtë si ai, si fitues, si i fortë, si populist, etj.

Në këtë krahasim, ngushtësisht retorik, pa llogaritur kontekstet specifike të vendeve tona, Trumpi përdori një gjuhë të tillë për të tërhequr një votues i cili tradicionalisht nuk ishte votues republikan. Pra e shtriu gjuhën, u sintonizua me populistët europianë, duke zhurmuar me frikërat popullore ndaj emigracionit, etj, etj. Po Basha kë do të afrojë me gjuhën e re?

Po pse ka ndryshuar gjuhë Basha? A është kjo përpjekje për të afirmuar veten si lider i vërtetë brenda PD-së, si trashëgimtar real e vijim natyral i Berishës? Me gjasë, po. Kësisoj votat besnike të PD-së dhe mund të kompaktësohen. Militantët e kësaj partie dhe mund t’ i referohen Bashës si Zoti i ri. Po vështirë se me këtë stil të ri, do të tërhiqet votë e re, nga pjesa gri e votuesve, apo nga votuesit e herës së parë, etj.

Po a është autolezionizëm kjo sjellje e Bashës? Dmth dëmtim i vetëdijshëm ose jo, i bërë nga dikush (Basha konkretisht) për të tërhequr vëmendje, për të shkarkuar gjendjen e errët emocionale, apo dhimbjen së jashtmi, etj. ? Nuk e dimë nëse mund të kualifikohet kështu, por një gjë e dimë. Autolezionizmi apo ky ndryshim për limitet e të cilit Basha është i vetëdijshëm, po përcjell së jashtmi, një gjendje shqetësimi të tij. Nëse Basha është i shqetësuar, atëherë, pse Basha është i shqetësuar?