MENU
klinika

Mentor Nazarko

Marrëveshja, prelud i ndryshimeve kushtetuese

19.05.2017 - 17:14

Duke u ndalur tek Vettingu, Nazarko shprehet se kjo është një arritje e krahut të majtë duke e renditur këtë proces si më të rëndësishmin e kësaj marrëveshjeje. Duke folur për rolin e LSI-së, Nazarko thotë se kjo forcë politike është më e pakënaqura e mëdha duke marrë shkas edhe nga intervista e Petrit Vasilit.

Nazarko shton se kjo është një Republikë e re, i cili mund të sjellë ndryshimin e Kushtetutës. Editorialisti Nazarko shton se është dhe një moment tjetër që tregon një qeverisje mes PD dhe PS. Sipas tij kjo pikë tjetër është angazhimi për institucionalizimin e dialogut mes pozitës dhe opozitës.

Konica.al

“Po shtrohet pyetja e Vetting-ut. Unë mendoj se Vetting-u ishte një nga kushtet që u imponua nga bashkësia perëndimore, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe Partisë Socialiste në pushtet. Kjo ngjan se ishte një nga arritjet e krahut të majtë në mënyrë që opozita ta ‘ulte kurrizin’ dhe të pranonte votimin e Vetting-ut. Ka edhe zëra të cilët thonë se dy palët duhet të kenë arritur një lloj marrëveshje të përbashkët për amnistimin e udhëheqësve të caktuar nga përndjekja penale.

Unë nuk dua ta besoj këtë, por besoj që një klimë e re politike si kjo që krijohet në vend është atmosfera më e mirë. Institucionet e drejtësisë që do të dalin nga Vetting-u do të punojnë me qetësinë më të madhe, do të zbatojnë ligjin dhe do të ndëshkojnë secilin prej atyre që e ka hak për t’u ndëshkuar. Unë mendoj që nuk është dhënë asnjë garanci apo amnisti për të korruptuarit, qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë brenda politikës.

Mendoj që Vetting-u është një e arritur e madhe e kësaj marrëveshjeje. Një tjetër e arritur e madhe është që Rama nuk lejoi që zgjedhjet të shtyheshin më shumë sesa një javë. Ky është një moment interesant në pikëpamje taktike, sepse të gjitha këto avantazhe që iu dhanë opozitës ishte që institucionet e rëndësishme të mos jenë në kontrollin e njërës palë ose tjetrës. Ky është një interpretim i ngushtë i marrëveshjes, meqë zgjedhjet nuk u shtynë edhe tepër, sepse afatet janë ato që i japin jetës institucionale procedurë dhe pikërisht këto e dallojnë një organizim shtetëror prej një sistemi anarkik. Disa pyesin nëse LSI do të hyjë tani në çadër. Unë nuk dua të besoj këtë. Në atë çfarë tha zoti Vasili kishte sinqeritet, kur tha që Basha e Rama hynë për të përdorur formulën e McAlister-it, por dolën me një BigMac, duke dhënë idenë e një hamburgeri të madh, që në këtë rast është LSI. Kjo, pak a shumë, tregonte pakënaqësinë e LSI-së që nuk u përfshi në bisedime, me gjithë përpjekjet e saj për një gjë të tillë. LSI është e pakënaqura e madhe.

Do të doja të komentoja disa prej pikave të kësaj marrëveshjeje për të treguar pse kjo marrëveshje është historike dhe e tipit afatgjatë dhe pse ajo vendos trasenë e bashkimit historik mes PS-së dhe PD-së. Uroj që ky të jetë bashkëpunim edhe për partitë e tjera dhe zërat e tjerë politikë që janë të interesuar të bëhen pjesë e një shndërrimi të republikës sonë. Kjo që po lind është vërtet republika e re dhe nëse do zoti Basha, mund të themi se me këmbënguljen dhe çadrën e tij qesharake inicoi një proces të ndryshimit të republikës.

Kjo është një republikë e re, sepse, së pari, po instalon precedentin e një qeverie teknike disa muaj para zgjedhjeve. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, i cili nënkupton me siguri edhe ndryshim kushtetues. Pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese për miratimin e themeleve të reformës në drejtësi, parashikohet ndryshim i madh nenesh kushtetuese edhe sa i takon KQZ-së, Avokatit të Popullit, reformës zgjedhore, reformimit tërësor të prokurimeve publike.

Ky, pra, është momenti i cili, po u analizua me vëmendje, tregon për një bashkëpunim afatgjatë mes palëve. Ka edhe një moment tjetër që tregon se ky është themeli i një bashkëpunimi dhe një procesi bashkëqeverisje mes PS-së dhe PD-së, kur thuhet se dy palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes pozitës dhe opozitës. Nëse e shikojmë ndarjen e atyre pikave të marrëveshjeve, kemi një moment të diskutueshëm sa i përket dekretimit të datës së zgjedhjeve. Si do të ndodh kjo? Pra do të kemi një vendim të Kolegjit Zgjedhor që do t’i hapë rrugën presidentit për ta bërë këtë.

Pikëpyetja e parë është se si do të arrihet kjo. Mund të themi se kjo pikë është edhe shkelje e marrëveshjes, sepse të dyja palët zotohen se presidenti do të dekretojë 25 qershorin si datën e zgjedhjeve. Nuk parashikohet fare rruga ligjore se si do të arrihet kjo. Pika e dytë, përkatësisht pjesa e zgjedhjeve, ka shkaktuar dëshpërim te partitë e vogla saqë po e quajnë këtë si pazar të njërës apo tjetrës palë”, deklaroi ai.