MENU
klinika

Mentor Nazarko

Mustafa: Nuk duam unione doganore me Serbinë

07.06.2017 - 08:55

Nazarko: z. Mustafa, Kosova po hyn në zgjedhje e përçarë në tri blloqe politike të cilat konkurojnë me një skenar i cili prapë në fund të zgjedhjeve ka gjasë ta mbajë Kosovën në destabilitet. Cili është vlerësimi juaj për këtë?

Mustafa: Unë mendoj se jemi kthyer pakëz prapa sa i përket zgjedhjeve, por edhe sa i përket ambientit politik, sidomos strukturimit të subjekteve politike. Një strukturim të tillë, ne e kemi pasur vetëm në vitin 2004, dhe jo më vonë. Për fat të keq erdhëm te një rigrupim i partive politike.

Nazarko: Në vitin 2004 e keni fjalën për bllokun e luftës?

Mustafa: Blloku i luftës dhe blloku i paqes. Tani ka ardhur prapë te një rigrupim tjetër i cili nuk është i dobishëm për ne, sepse mendoj se ne patëm kapërcyer ata kufij dhe ato pengesa të cilat ishin pengesa të komunikimit, pengesa të zgjidhjes së problemeve, por edhe pengesa të krijimit të një rruge të përbashkët rreth synimeve tona, programeve dhe gjetjeve të mënyrave më të mira të zgjidhjes së problemeve të Kosovës. Por, konsideroj se edhe tani duhet të gjejmë mënyrën se si ta kapërcejmë këtë situatë. Konsideroj se është e domosdoshme që zgjedhjet të jenë të rregullta, transparente, të mbahen në një ambient normal dhe pastaj pas zgjedhjeve të shihet se çfarë do të jetë rezultati dhe si mund të qeveriset ky vend.

Nazarko: A është shoqëria e Kosovës e ndarë ende 18 vjet pas luftës në njerëz që identifikohen me luftën dhe njerëz që identifikohen me rrugën paqësore, pra rugovistë dhe UÇK-istë?

Mustafa: Unë mendoj se jo. Mendoj se si shoqëri nuk jemi të tillë. Më tepër jemi si politikë ose si organizim politik, sepse tek qytetarët është kapërcyer ajo fazë në të cilën njerëzit kryesisht kanë anuar në njërën ose tjetrën anë. Tani qytetarët më tepër janë të interesuar rreth zgjidhjes së problemeve konkrete, rreth zhvillimit ekonomik, punësimit, arsimit më të mirë, lëvizjes së lirë brenda por edhe në suaza të Bashkimit Evropian.

Nazarko: Mos është hija e Gjykatës Speciale e cila e imponoi këtë ndarje?

Mustafa: Tani nuk mund të them me siguri nëse është ajo. Por, mund të them se është bërë një gabim që u futëm shumë shpejt në zgjedhje, që nuk e vlerësuam mirë. Vlerësoj se Partia Demokratike e Kosovës organizoi gjithë këtë skenar të shkuarjes së parakohshme në zgjedhje, duke menduar se do të përfitojë. Megjithatë, po shihet se nuk përfiton askush dhe të gjithë do të jemi humbës …

Nazarko: Sipas jush çfarë e motivoi këtë tërheqje të partnerit tuaj, PDK, nga qeveria?

Mustafa: Tash nëse e marrim situatën objektive, ne kishim një trend të mirë në disa fusha. Ishte një trend shumë i mirë i zhvillimit ekonomik dhe pati edhe rritje ekonomike. Kishte një stabilitet sa i përket ardhjes së investimeve të huaja direkte, zvogëlim i numrit të papunësisë e cila ishte shumë e lartë, pra trendet ishin drejt rënies së normës së papunësisë. Ishim mjaft mirë edhe sa i përket bashkëpunimit në institucionet e Bashkimit Evropian në shumë fusha, jo vetëm në fushën e liberalizimit të vizave, por edhe në fushat e tjera, sepse ne nënshkruam Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, nënshkruam pastaj marrëveshje të veçantë për programet e Bashkimit Evropian të cilat do të implementoheshin në Kosovë.

Nazarko: Këto janë arsyet që Qeveria të mos bjerë, por cilat janë arsyet që ajo të bjerë?

Mustafa: Unë mendoj se këto ishin arsyet që Qeveria të bjerë sepse në një konkurencë të brendshme, vlerësoj, se PDK-ja u frikësua nga këto rezultate sepse ato pastaj do t’i përshkruheshin LDK-së në fund, meqenëse unë isha si kryeministër i LDK-së në Qeveri. Por mund të them se në Qeveri nuk jam sjellë si kryeministër i një subjekti politik, por jam sjellë si kryeministër i Kosovës duke respektuar të gjitha subjektet që kanë qenë brenda koalicionit. Konsideroj se kjo ka qenë arsyeja kryesore, tjera arsye nuk mund tani t’i paragjykoj. Mund të jenë edhe të tjera, por kjo ishte themelore.

Nazarko: A mund të jetë njëra nga arsyet ajo që përmend njëri nga kandidatët tuaj në këto zgjedhje, që thotë se ministri i Financave, z.Hoti, ka ndërprerë disa nga ato që ishin lidhje të pashëndetshme të politikës së krahut tjetër me biznese të caktuara lidhje preferenciale, lidhje oligarkike?

Mustafa: Po lidhje të tilla janë ndërprerë edhe në fusha të tjera, jo vetëm në administratën tatimore, doganore, por edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pastaj edhe në atë të Infrastrukturës. Ka pasur po ashtu ndërmarrje dhe orientime që të ndërprehen veçmas pozitat monopolistike të disa firmave të cilat ishin krijuar përpara në Kosovë. Masa të tilla u ndërmorën edhe te Agjencionet e Pavarura, sepse edhe Agjencioni Kosovar i Privatizimit është konsoliduar shumë mirë. Kemi një Bord atje të shkëlqyeshëm i cili nuk i ngjanë fare bordeve të mëparshme…

Nazarko: Nuk kontrollohet nga Partia Demokratike e Kosovës?

Mustafa: Konsideroj se nuk kontrollohet nga askush. Është një bord i pavarur i cili po punon shumë mirë, po punon në bazë të ligjit dhe po i kontribuon një procedure të drejtë edhe të privatizimit por edhe të përmbushjes së detyrimeve të cilat i ka pasur AKP-ja ndaj punonjësve, por edhe në lirimin e pronave të cilat për 17 vjet kanë qenë të uzurpuara. Është hera e parë vitin e kaluar që është filluar me lirimin e pronave të uzurpuara nga AKP-ja.

Nazarko: Ka një moment i cili është me karakter të përgjithshëm dhe jo partiak që është respektimi i marrëveshjeve politike, sidomos atyre me garanci ndërkombëtare. Duket se Kosova nuk a ka këtë traditë. E kam fjalën për marrëveshjen që u arrit midis jush, z.Thaçi, z. Pacolli, ambasadorit Dell për një reformë zgjedhore për zgjedhjen e presidentit nga populli, që janë momente që mendohet se do sillnin më shumë stabilitet dhe do të duhet imagjinuar që pas këtyre zgjedhjeve prapë skena politike kosovare do të këtë destabilitet, sepse rezultatet janë ato që nuk sigurojnë qeverisje të qëndrueshme. Cili është gjykimi juaj?

Mustafa: Unë mendoj se edhe marrëveshjet, por edhe vendimet që dy herë kanë pasuar pas këtyre marrëveshjeve, si vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë dëmtuar këtë proces. Ne kishim një marrëveshje të qartë atëherë me zotin Pacolli, me ambasadorin Dell dhe me zotin Thaçi lidhur me reformën zgjedhore, edhe sa i përket zgjedhjeve të përgjithshme, zgjedhjeve lokale, por edhe zgjedhjeve presidenciale. I kishim përcaktuar afatet se cilën reformë do ta bëjmë në cilin afat dhe pastaj do të pasojmë me zgjedhje. Posa u krye kjo u dha vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ne nuk mund ta ndërrojmë presidenten sepse mandati i saj është 5 vjet, ndërkaq edhe presidentja atëherë edhe gjithë spektri politik ishim marrë vesh që ai mandat të jetë mandat të jetë deri 1 vit e gjysmë, derisa të mos e bënim reformën presidenciale. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2014 me një interpretim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e presidentit për të nominuar kryeministrin që dallon shumë prej praktikave regjionale dhe atyre në Bashkimin Evropian, të cilat praktikisht e sigurojnë të drejtën e diskrecionit presidentit se a duhet t’i jap subjekteve që dalin të dytë apo duhet t’ia japë vetëm subjektit që del i pari duke ruajtur gjithmonë kompetencën e tij. Prandaj janë procese të cilat nuk i kemi kaluar mirë. Janë shkelur marrëveshje, duke ndihmuar gjithmonë ngapak edhe me vendime të institucioneve më të larta të cilat janë të obliguara që ta mbrojnë Kushtetutën.

Nazarko: Ju keni bërë një akt, apo një sërë aktesh të cilat në fakt janë paksa të veçanta, dhe Joseph Daul i cili është udhëheqës i partive të bllokut liberal në Parlamentin Evropian e vlerësoi aktin tuaj, qoftë aktin e dorëheqjes nga partia, qoftë aktin që nuk i keni prirë listës. Keni bërë një lloj tërheqje. Në një farë mënyre të gjitha këto zgjedhje janë bërë qetësisht, diçka që nuk ka ndodhur me LDK-në. Kujtojmë rastin pas vdekjes së Rugovës, problemet e trashëgimisë së tij dhe mënyra se si u zgjidh. A është sot LDK një parti më kompakte sesa përpara?

Mustafa: Unë vlerësoj se ne nuk kemi pasur probleme në asnjë rast me unitetin dhe kompaktësinë e LDK-së. Por gjithmonë edhe në kohën e Rugovës, edhe në kohën kur ka qenë presidenti Sejdiu kryetar i LDK-së edhe unë pastaj kur kam vazhduar, brenda LDK-së kemi pasur zëra të cilët lirshëm kanë dhënë mendimet e tyre. Ndodhi ajo ndarja me z. Daci në kohën e Fatmir Sejdiut, mirëpo kompaktësinë e kemi. Por unë mendoj se është mirë të fillojmë të lëshojmë hapësirë për njerëz të rinj, pa marrë parasysh se a janë njerëz të moshës së re apo njerëz që kanë punuar gjatë në LDK, por që nuk u është dhënë rasti që ata të marrin përgjegjësi konkrete qoftë në Kuvend qoftë në Qeveri, sepse është e paarsyeshme që këto t’i mbajmë, përderisa dikush që është gjithmonë kryetar i LDK-së ose kryetar i partisë. Unë do ta mbaj postin e kryetarit të LDK-së deri në zgjedhjet e ardhshme, pastaj do të vendosë Kuvendi i LDK-së.

Nazarko: A aspironi për tu bërë President i Kosovës apo jo?

Mustafa: Assesi, sepse e kemi presidentin tani dhe ne i respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës. Se çfarë bën partia pastaj është çështje tjetër, por unë mendoj se është një hap i mirë, i cili ndihmon që ne në një formë të bëjmë ndryshime dhe t’ju japim shpresë në rend të parë edhe njerëzve tanë, që ata e kanë gjithmonë rrugën e hapur për të marrë përgjegjësi, por edhe ne ta lirojmë vetën nga shumë përgjegjësi që kemi, sepse shumë më mirë dhe më lehtë drejtohet partia kur s’ke përgjegjësi tjera, se sa kur ke përgjegjësi ekzekutive, të cilat janë shumë të rënda.

Nazarko: Cilat janë, sipas jush, karakteristikat e forta të z.Hoti, i cili ishte një zgjidhje e momentit të fundit, vetëm pak ditë para fushatës. Duke e marrë parasysh traditën e Shqipërisë kjo gjithsesi është anë pozitive, ku ai nuk është një figurë populiste, por më tepër një figurë teknokrate. Kaq ndoshta nuk mjafton, për atë që është elektorat i pavendosur apo elektorat i ri. Në qoftë se mund të themi, është analizë e imja kjo, elektorati i LDK-së është kompakt, i pjekur dhe voton figurat që s’janë populiste dhe nuk ushtrojnë karizmin për shkak të populizmit. Cili është vlerësimi juaj?

Mustafa: Me udhëheqjen e LDK-së, nënkryetarët dhe Kryesinë, kemi vlerësuar se Kosovës në këto vite i nevojitet një njeri, i cili bën punë profesionale dhe jo njerëz që japin deklarata populiste dhe sillen në mënyrë populiste. Unë mendoj se Hoti është i tillë, pasi që ka aftësi të larta profesionale, një përvojë shumë të mirë, sepse ka punuar edhe në pushtetin lokal dhe bashkë kemi punuar në Komunën e Prishtinës dhe ai ka qenë nënkryetar i komunës, kur unë kam qenë kryetar. Kemi punuar edhe në Qeveri së bashku. Është i shkolluar mirë dhe është shumë i përgatitur. Ka pasur një bashkëpunim të mirë me institucionet financiare ndërkombëtare dhe unë e kam vërejtur atë kur kam pasur kontakte me kryetarin e FMN-së dhe atë të Bankës Botërore dhe ata kanë pasur një respekt të veçantë ndaj tij, për arsye të sjelljes dhe mënyrës së zgjidhjes së ndërtimit të marrëdhënieve me këto institucione. Është edhe kryetar i Degës së LDK-së Rahovec dhe anëtar i Kryesisë së LDK-së. Është mjaft i vendosur në veprimet e tij, dhe nganjëherë e kam thënë edhe më shumë i vendosur në disa veprime të tij sesa që situata tek ne nganjëherë e lejon, mirëpo është mirë që njeriu të jetë shumë i vendosur në vendime, që është karakteristikë e z.Hoti dhe unë mendoj se nuk lë asgjë mangët sa i përket populizmit shprehimor ose eksplicit, që ne dëshirojmë nganjëherë ta kemi dhe ta shohim. Në mënyrë implicite, ai e ka populizmin e vet të përmbajtur në aftësitë e tij edhe me mënyrën e ndikimit të këtillë, përmes dijes dhe punës e jo përmes deklaratave dhe fjalëve…

Nazarko: Kosova ka nevojë urgjente për punësim dhe zhvillim ekonomik për të dalë nga situata në të cilën gjendet tani. A e shihni ju afrimin me AKR-në dhe z.Pacolli si mënyrën për të përfshirë ekipe dhe në program momente zhvillimore?

Mustafa: Unë mendoj se tani ne kemi një diversitet në organizimin tonë, sepse kemi pjesëmarrës të fushave të ndryshme dhe të aktiviteteve të ndryshme. Kemi njerëz që zhvillimin ekonomik e zotërojnë mbi baza shkencore, kemi të tillë që e zotërojnë mbi baza profesionale dhe kemi të tillë që e zotërojnë mbi bazën e biznesit dhe të rezultateve konkrete të biznesit, siç është z. Pacolli, i cili i kapërcyer jo vetëm kufijtë e Kosovës, por edhe kufijtë evropianë sa i përket të bërit biznes. Dhe unë mendoj se do të sigurojmë një komplementaritet të plotë me z.Pacolli në këtë aspekt dhe se ai do të japë përvojat e tij në investime të mëdha, në tërheqjen e investitorëve të jashtëm, fushave, të cilave ne do t’u japim prioritet, sidomos në fushën e energjisë, në fushën e minierave dhe mineraleve, siç është “Trepça” dhe minierat tjera, për të cilat ne kemi interes shumë të veçantë; në fushën e turizmit, sepse z.Pacolli ka përvojë të rëndësishme. Kemi edhe biznesmenë të tjerë që nuk janë vetëm të profilit të Pacollit, por janë shumë të suksesshëm në Kosovë të cilët poashtu i kemi brenda edhe në LDK, por edhe brenda në propozimet për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Unë mendoj se këtu do të plotësohemi bashkërisht dhe ky plotësim neve ka krijon një avantazh më të madh në krahasim me me koalicionin e PDK-së apo me Vetëvendosjen.

Nazarko: Ka një moment që lidhet me koalicionin tuaj të ardhshëm, dukej sikur ju mund të gjenit gjuhën e përbashkët me Vetëvendosjen, por ajo nuk u gjet dot. Çfarë ndikoi këtu, ndikoi distancimi që keni pas ju gjatë mandatit tuaj si kryeministër me VV-në apo ka ndikuar raporti i tyre me bashkësinë ndërkombëtare. Cila është hapësira për t’i kapërcyer këto diferenca?

Mustafa: Vërej se ka pasur vullnet që të komunikohet dhe të shikohet cilat janë mundësitë e bashkëpunimit. Kanë komunikuar bashkëpunëtorët e mi. Kemi pasur vijat e komunikimit dhe ato pastaj interpretohen ndryshe nga Vetëvendosja, por mbetet çështje e fushatës dhe hyrjes në fushatë. Unë gjithmonë jam interesuar që të gjejmë ura bashkëpunimi me të gjitha subjektet politike, edhe me Vetëvendosjen, sepse në këtë vend nuk mund të qeveriset ndryshe. Në këtë vend ne megjithatë duhet të krijojmë një ambient, në të cilin ne mund së paku të komunikojmë dhe mund të gjejmë zgjidhje për problemet e ndryshme. Duhet të gjejmë zgjidhje edhe pasi t’i kryejmë këto zgjedhje sepse përfundimi i zgjedhjeve nuk do të thotë të barrikadohemi në pozicione të veçanta dhe të mos komunikojmë njëri me tjetrin, sepse ky moskomunikim na ka kushtuar shumë gjatë këtij mandati, që pastaj është shprehur edhe përmes dhunës edhe përmes aktiviteteve të tjera që, që na ka dëmtuar jo vetëm neve, por e ka dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nazarko: Të kthehemi te Çështja e demarkacionit. A mendoni ju se është zgjidhur drejt apo është përdorur nga opozita e kohës si pretekst për të bllokuar liberalizimin e vizave dhe pastaj për të quar në krizë qeveritare?

Mustafa: Po të gjitha komentet që ne kemi kërkuar, flasin se demarkacioni është zgjidhur drejtë. Edhe raporti i Komisionit Shtetëror flet se ai demarkacion është në vijën ku ka qenë kufiri atëherë i Krahinës së Kosovës në ish-Jugosllavi, me Malin e Zi. Ka kërkuar Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuar atë Amerikës t’u japim hartat elektronike. Ne u kemi dhënë, i kanë studiuar dhe kanë dalë me deklaratë se ai kufi është aty ku e njeh Amerika, përkatësisht ku e njohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në të cilat ata e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Është caktuar edhe një Komision Ndërkombëtar nga ish-Presidentja Jahjaga, dhe ai Komision Ndërkombëtar po ashtu ka konstatuar se kufiri është aty. E kam themeluar unë ose Qeveria ime, edhe një Komision qeveritar për matjen e territorit të vendit, dhe ka dalë që nuk kemi asnjë humbje të asnjë metri katror të territorit, si pasojë e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Kështu që, unë konsideroj se është krijuar një kauzë politike e opozitës e cila ka funksionuar, dhe ka funksionuar shumë mirë, sepse njerëzit janë shumë të ndjeshëm kur flitet për kufirin territorial të Kosovës, por do të jetë shumë e vështirë të kapërcehet kjo, sepse është shumë e vështirë që të negociohet një kufi tjetër. Unë do të kisha dëshirë që ai të negociohet në qoftë se ka hapësirë, por me sa kam parë unë te pala malazeze, ata nuk kanë asnjë vullnet që të negociohet. Kanë vullnet që të realizohet marrëveshja ashtu siç është nënshkruar, me mundësi që atë që e ka marrëveshja, të zbatohet edhe gjatë shënimit, përkatësisht vendosjes përfundimtare të vijës së kufirit.

Nazarko: Shqipëria me Kosovën kanë marrëdhënie të një intensiteti të caktuar, por që sigurisht që është larg asaj që mund të ishte, jo në pikëpamje të bashkimit kombëtar klasik, por në pikëpamje të bashkimit ekonomik, për të cilin as institucionet evropiane nuk janë kundër, siç është heqja e barrierave doganore, heqja e barrierave të çdo lloji. A kanë ndikim në këto lidhje të caktuara marrëdhëniesh interesat monopolistike të kompanive të caktuara që kanë lidhje preferenciale me Serbinë, dhe preferojnë që në skenën ekonomike, në skenën tregtare të shfaqen aktorë të rinj që janë pak shqiptarë, në sektorin e energjisë, në sektorin e tregtisë me shumicë, etj.

Mustafa: Unë mendoj se jo, sepse kemi arritur që gjatë këtyre viteve objektivisht t’i zgjidhim të gjitha problemet tregtare, problemet ekonomike që i kemi pasur me Shqipërinë. Kanë mbetur edhe disa gjëra, që edhe më tutje t’i çojmë përpara. Kemi pasur mjaft kufizime, të themi edhe të prezencës së mallrave të Kosovës në Shqipëri dhe anasjelltas, por ato janë kapërcyer. Ajo që na ka mbetur, jo si faj i Shqipërisë ose i Kosovës, por si problem i mosimplementimit të marrëveshjes me Serbinë, është linja e interkonjeksionit që e kemi ndërtuar me Shqipërinë së bashku me financim të Bankës Gjermane për Zhvillim që është një investim prej gati 80 milionë euro që ne nuk po mund ta aktivizojmë, që do të na ndihmonte shumë në këmbimin e energjisë elektrike. Por kjo duhet të zgjidhet tani me implementimin e marrëveshjeve në dialogun me Serbinë në fushën e energjisë. Ndërsa sa i përket lehtësirave doganore dhe lehtësirave tatimore, unë mendoj se jemi në marrëveshje shumë të mira me Shqipërinë. Nuk jemi për atë, unë e kam shprehur edhe në takimet që kemi pasur me vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojmë një treg të përbashkët të Ballkanit Perëndimor, sepse konsiderojmë se ai treg do të na përkufizonte dhe do të ishte një arsye që edhe më tutje të prolongohet integrimi jonë në tregun unik të Bashkimit Evropian, për çfarë jemi të interesuar.

Nazarko: Si shpjegohet që nuk e keni gjetur gjuhën e përbashkët me Shqipërinë, e cila ka një vizion tjetër. Duke qenë brenda institucioneve, e di që kjo ka qenë ide e mëhershme edhe e Xhorxh Sorosit, heqje e barrierave midis vendeve të Ballkanit, harmonizimi i legjislacionit para se të hyhet në Bashkimin Evropian, ndërkohë që ju e shihni me një lloj paranoje, nëse mund ta quaj kështu idenë e heqjes së barrierave në Ballkan apo ka një arsye ekonomike për këtë?

Mustafa: Barrierat mund të hiqen në qoftë se ne nuk kemi asimetri në pikëpamje të barazisë sonë, sepse ne veçmas në Kosovë kemi një asimetri me Bosnje Hercegovinën, për arsye se ata aplikojnë regjimin e vizave për ne, për mallrat tona, për qarkullimin tonë. Pastaj kemi asimetri me Serbinë që i vë pengesa qarkullimit të mallrave dhe njerëzve dhe në këtë situatë ne jemi në pozitë të pabarabartë në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Po të ishim në pozitë të barabartë, ne do të konsideronim këtë si bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por assesi si union doganor. Edhe si union doganor, ne do të ishim krejtësisht të pabarabartë…

Nazarko: Në këtë pikë jeni njëlloj me presidentin Thaçi që e ka kundërshtuar këtë gjë. Por duke u ndërlidhur me atë që në Kosovë janë të pranishme në marrëdhënien tregtare kompani serbe të cilat e kontrollojnë tregun dhe duket se në kuadër të kësaj edhe 18 vjet pas luftës kosovarët vazhdojnë të ushqehen me mallra, me produkte ushqimore nga Serbia dhe Serbia kontrollon gjithashtu tregun energjetik në Kosovë dhe më pak në Shqipëri. Si shpjegohet kjo? Mos vallë kjo ndodh sepse këto kompani kontrollojnë ngapak politikën, kontrollojnë ngapak mediat dhe ju e keni të pamundur ta zgjidhni këtë problem…

Mustafa: Jo, unë mendoj se te energjia nuk kemi asnjë faktorë të kontrollimit të politikës dhe të ambientit, por është problemi i pasojave të cilat ne akoma nuk i kemi zgjidhur me Marrëveshjen e Brukselit…

Nazarko: Pse Kosova është në krizë energjetike dhe blen energji nga Serbia, pse vazhdon të blejë mallra për të cilat partneri juaj në koalicion thotë që “duhet të imagjinoni se ato janë produkte të cilat bëhen me etiketa shqip, pra fabrikat serbe e dinë se ai mall është i destinuar për Kosovën dhe duhet të imagjinohet se çfarë cilësie mund të kenë në raport me ne…

Mustafa: Ne tash duhet të kemi parasysh se nuk blen Kosova por blejnë bizneset e Kosovës. Bizneset janë private dhe ato askush nuk mund t’i kufizojë se nga i blejnë mallrat. Në importimin e tyre ata duhet të plotësojnë kriterin e cilësisë sepse kontrollohet cilësia dhe nuk mund të fusin në Kosovë mallra të cilësisë së dyshimtë. Dhe në këtë aspekt ne domosdoshmërisht duhet të respektojmë konkurencën dhe duhet të respektojmë tregun e hapur. Ne nuk mund të marrim masa të ndalimit të importimit të mallrave nga Serbia. Unë do të dëshiroja që të mos importohen nga Serbia, por të importohen nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera, por të gjithë ne e dimë që kapacitetet e prodhimit të mallrave akoma nuk janë zhvilluar në vendet tona në masën në të cilat ne do të kishim një konkurencë të mirëfilltë. Janë pasoja edhe të së kaluarës, themi të shijes së konsumatorëve të cilat ne duhet t’i ndryshojmë domosdoshmërisht dhe t’i ndryshojmë në mënyrë që të importojmë mallra nga vendet tjera, sepse ne këtu kemi mallra nga Maqedonia, kemi nga Turqia, kemi nga Serbia. Për fat të keq kemi më së paku mallra tona sepse ne duhet ta zhvillojmë prodhimtarinë e brendshme dhe të zëvendësojmë prodhimet e huaja.

Nazarko: Megjithatë zgjidhja e gjeneratorit të përbashkët energjitik mund të ishte gjetur…

Mustafa: Është një hapësirë të cilën ne edhe e kemi menduar dhe e kemi diskutuar, por jo në nivele më të larta të mundësisë së ndërtimit të gjeneratorëve të përbashkët, qoftë të rikonstruimit apo të rivitalizimit të ndonjë gjeneratori të Kosovës A. Në vend se të shkojmë në dekomisionim të tërësishëm të Kosovës A, i cili gjenerator pastaj do të na ndihmonte t’i plotësojmë vakumet e energjisë elektrike në momente të caktuara qoftë këtu qoftë në Shqipëri. Unë mendoj se ajo është një mundësi e hapur gjithmonë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Nazarko: Shihet se koalicioni përballë jush po përdor një gjuhë të ashpër përkundrejt Serbisë, ndërkohë që një pjesë e gabimeve që pretendohet se janë bërë në negociata vijnë prej këtyre partive. Ju si e shikoni të ardhmen e marrëdhënieve me Serbinë. A e shikoni zhvillimin e negociatave në një formë të përqendruar në kohë sesa forma aktuale që zgjat krizën, krijon momente krize të vazhdueshme në marrëdhëniet mes të dy vendeve, negociata të tipit alla-Dejton?

Mustafa: Teknologjia e cila ka funksionuar deri më tash ndaj dialogut mendoj se nuk mund të aplikohet edhe më tutje, sepse ka qenë një teknologji e cila ka krijuar një hapësirë që të dialogohet për një çështje. Këto çështje janë shumë sepse nuk janë të klasifikuara apo të regjistruara se cilat janë krejt ato. Në çdo moment mund të paraqitet ndonjë çështje e re për dialog. Pastaj pasi janë bërë marrëveshjet është dialoguar nja 2-3 vjet se si të implementohen marrëveshjet, gjë që ka qenë taktikë e paramenduar e Serbisë të prolongojë me çdo kusht implementimin e këtyre marrëveshjeve për të lënë përshtypjen te Bashkimi Evropian dhe te Shtetet e Bashkuara të Amerikës se ata po dialogojnë. Unë mendoj se kjo duhet të kapërcehet domosdoshmërisht, të bëhet një marrëveshje e re lidhur me dialogun, të përcaktohen temat dhe të bëhet regjistri i temave të cilat duhet të dialogohen, në mënyrë që të vjen deri te njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë me këtë traktatin që u bë tani ose me një dokument tjetër dhe se kjo nuk kërkon kohë të gjatë. Kohë të gjatë kërkon vetëm Serbia në mënyrë që t’ia zgjatë vetës mundësinë që ajo t’i kapërcejë të gjitha fazat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe pastaj të na bjen neve para aktit të kryer sepse duhet të jemi në pozitë të pabarabartë. Do të vijmë në situatë që Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe pastaj si anëtare e BE-së të bëhet pengesë e pranimit të Kosovës në BE. Domosdoshëmrisht ne duhet ta zëmë hapin që Serbia të mos anëtarësohet para nesh në BE. Unë mendoj se pastaj ne kriteret tjera mund t’i plotësojmë gjithsesi të BE-së, por çështjet që kanë mbetur të hapura dhe nuk janë shumë çështje, unë mendoj se mund t’i përfundojmë për 1 vit apo një vit e gjysmë dhe ky proces të përmbyllet tërësisht.

Nazarko: Pyetja e fundit për Shqipërinë: Si e shikoni atë që ndodhi në Shqipëri dhe a e shihni të mundshme një gjë të tillë edhe në Kosovë pas zgjedhjeve kur raportet e forcave janë të tilla që askush nuk mund të bëjë dot koalicion pa ndihmën e tjetrit dhe kur në agjendën e veprimeve shtetërore janë dy çështje të rëndësishme, siç është çështja e Gjykatës Speciale dhe demarkacioni…

Mustafa: Në Shqipëri unë konsideroj se është bërë një zgjidhje e mirë sepse ne gjithë ishim të brengosur për situatën që vazhdonte atje. Tani si do ta bëjmë ne në Kosovë nuk mund të them tani, ose të paragjykojë në këtë moment. Ajo që unë shoh është se është problem të arrihet një shumicë meritore nga këto zgjedhje të cilat do t’ia mundësonin njërit apo tjetrit koalicion që të merret me problemet jetike të Kosovës dhe të zgjidh edhe çështje që nuk janë vetëm çështje jetike të qytetarëve, por janë çështje jetike të shtetit, të funksionimit të shtetit, të përmbylljes së disa fazave të shtetësisë së Kosovës sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, pastaj demarkacionit me Serbinë dhe çështje tjera të integrimeve tona evropiane, por edhe të të drejtave të popullatës joshumicë në Kosovë te të cilat nganjëherë duhet të merren vendime me 2/3 të dyfishta në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe unë tani e kam vështirë të shoh se si ne do t’i arrijmë ato 2/3 në Kuvend me koalicione të tilla të cilat janë pasojë edhe të një veprimi të ngutshëm të Partisë Demokratike me opozitën tani me dhënien e mosbesimit të Qeverisë dhe shpërndarjen e Parlamentit , por edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e kemi trashëguar nga viti 2014 që është shumë e pafavorshme që ne të bëjmë marrëveshje ashtu siç ka bërë Maqedonia ose të bëhet ndonjë marrëveshje e cila mundëson që të ndërtohen institucione dhe të veprohet më tutje. Por nuk ka situatë të pazgjidhur dhe unë mendoj se zgjidhjen duhet ta kërkojmë dhe ta gjejmë vetë.