Editorialisti Mentor Nazarko ka analizuar fitoren e thellë të Edi Ramës në zgjedhjet e 2017, duke argumentuar se kreu i PS-së u shpërblye nga elektorati për shkak të politikës së tij tolerante.
Sipas tij, në këto zgjedhje ka fituar politika e tolerancës dhe e ndarjes së pushtetit me kundërshtarët. Ai shton se populli e ka vlerësuar që Rama e ndau pushtetin me opozitën, për të ulur tensionet politike dhe për të nxjerrë vendin nga kriza.
Edhe pse disa zëra thonë se nëse Vasili do i ishte përgjigjur telefonatave të Ramës, nuk do të kishte marrëveshje me Bashën, populli ka vlerësuar paktin mes tyre që solli edhe eliminimin e përplasjeve dhe daljen e PD nga çadra.
Duke u ndalur tek çadra, Nazarko argumenton se edhe pse duket paradoksale PD doli e fituar, pasi mund të ketë qënë më keq me rezultate gjatë qëndrimit të saj në çadër.
Kjo mund ta tregojnë më mirë sondazhet gjatë tre muajve bojkot të PD-së.
Mentor Nazarko shton se PD humbi edhe për shkak të ndryshimit të boshtit të saj. PD-ja gjatë gjysmës së mandatit të saj qëndroi në hije të Berishës, që ishte protagonist në Kuvend dhe në këshillimet e tij politike.
Duke analizuar rezultatet e LSI dhe PDIU, Nazarko shprehet se këto dy parti politike kanë një organizim ushtarak që i dha frutet e saj në votime. Nazarko shton se LSI ka përfituar gjatë perfshirjes së PD në çadër. Siç qarkullojnë edhe zëra, LSI përvetësoi një pjesë të madhe të strukturave të PD, kur kjo e fundit qëndroi në bojkot.
Kështu LSI mori disa fshatra dhe bastione të PD. LSI ka përfituar nga ruajta e votës së saj. Duke komentuar rolin e presidentit të ri Ilir Meta, Mentor Nazarko shprehet se ai si anëtar i thjeshtë ‘de jure’ i LSI-së u bë delja e zezë e kësaj fushate, por koha i dha të drejtë atij në këtë taktikë. Ky protagonizëm negativ u përkthye në votë.
Por gjithsesi, më pak se gjysma e kutive janë numëruar por disa shenja tregojnë rezultatin e përafërt. Nazarko shton se kur flasim për organizimin e LSI dhe PDIU, këtij organizmi i bashkangjiten edhe financat e fuqishme, lekë të pastra, apo jo, që janë dhënë për të mbajtur këtë elektorat.
Interesante është rezultai i Blushit që tregon se ka një ndjesi kundër lidershipit të partive të mëdha, e cila është përfaqësuar nga LSI dhe më pas nga Blushi.
Nazarko shton se Rama nuk është një kryetar që ka një organizim perfekt, por guxoi dhe largoi disa nga ministrat e tij që ishin më të ngushtë me të si Tahiri, Ahmetaj dhe ky veprim u shpërblye nga votuesit.
Numërimi përfundimtar mund të ofrojë ngjyra të reja, por ky rezultat është i shkëlqyer për PS. Kjo sepse administrimi i zgjedhjeve është në duart e opozitës dhe ministrat teknikë kontrollojnë procesin.