MENU
klinika

Mentor Nazarko

Pse gjyqtarët i shpallin luftë vetting-ut pikërisht tani

08.06.2017 - 09:05

Misteret e mobilizimit të togave të zeza, pikërisht tani kur partitë politike kanë dalë rrugëve për të kërkuar vota…

Për shumëkënd ngjan si i papritur reagimi i dy shoqatave të gjyqtarëve kundër vetting-ut (ankimimi në Gjykatën Kushtetuese) pikërisht tani kur partitë politike janë përfshirë intensivisht në fushatë. Kjo nuk do të thotë se në përzgjedhjen e kohës prej të interesuarve nuk ka llogari, apo llogaritje. Le të përpiqemi të gjejmë disa arsye nëpërmjet pandehmave, që duhen theksuar se janë të tilla, anipse me shkallë të lartë gjase.

Reagimi vjen pas arritjes së marrëveshjes Rama-Basha për votimin e vetting-ut. Shoqatat e gjyqtarëve kanë aftësi më shumë se kushdo tjetër me e analizuar vetting-un në kohën e duhur. Bile shpesh jam habitur se si nuk kanë reaguar pikërisht atëherë kur ai diskutohej në grupet e punës. Nuk kanë reaguar as dhe kur u miratua reforma kushtetuese. Nuk kanë reaguar as kur u miratua ligji zbatues. Por reagojnë tani, për aspekte të caktuara të përmbajtjes së ligjit, kur janë konstituuar komisionet që e jetësojnë vetting-un. Pse tani? Kjo e kompromenton qëllimin e mirë të këtij reagimi, nëse ka ndonjë qëllim të mirë.

Marrëveshja Rama-Basha praktikisht neutralizon avokaturën që Partia Demokratike i ka bërë deri më tani interesave të kësaj kategorie. Sot ajo nuk po ia bën më këtë avokaturë, sepse ka marrë garancitë e veta, kështu që shoqatat kanë vendosur të mbrojnë veten. Ky moment është demonstrimi më i mirë i faktit që kastat e pushtetit gjyqësor kanë qenë të kontrolluara ose në marrëdhënie simbiotike me Partinë Demokratike. Sot ata janë të shkarkuar prej saj, ndaj po i dalin zot vetes. Dy duar për një kokë janë. LSI nga ana tjetër nuk mund të reagojë në mbrojtje të gjyqtarëve, sepse do kompromentonte veten kur ka një vullnet popullor pro reformës, pro vetting-ut. Dhe tek vonesa e reagimit të gjyqtarëve ti gjen elemente kompromentuese: kaq shumë kohë i është dashur trupës juridike të vendit të kuptonte problemet kushtetuese të një ligji që i prek ata dhe për të cilin kanë qenë sy dhe veshë që kur filloi zhurma politike, përgatitjet për reformën në drejtësi? Apo pse kanë patur frikë nga futja në listën e zezë të Ambasadës amerikane?

Sot me funksionimin e komisioneve të vetting-ut, vetting-u është gjithmonë e më shumë real, pavarësisht se duhen ende disa muaj që ai të fillojë e të funksionojë plotësisht duke prerë kokat e para.

Ky reagim tregon në fund të fundit faktin që pushteti gjyqësor, pjesa e pashëndetshme e tij që praktikisht është shumica dërrmuese e tij, është një pushtet real, pushtet ekonomik dhe financiar, si e tregojnë indirekt deklarimet e pasurive të tyre, që bëhen publike në përpjekje për të legalizuar një pjesë të këtyre pasurive. E ky pushtet nuk dorëzohet pa luftë, pa rezistencë. Sigurisht nuk është trimëri fakti që ata ende nuk dalin ta mbrojnë këtë ankimim publikisht, por fshihen prapa emrit të një avokati që i përfaqëson ata juridikisht. Ndoshta nuk u nevojitet një betejë publike, sepse kanë marrë garanci se ankimimi i tyre do pranohet. Dhe pranimi do të thotë se ligji nuk do zbatohet ose do shtyhet në kohë. E një pyetje del normalisht: a ka prapa këtij akti dhe një marrëveshje me anëtarë të caktuar të Gjykatës Kushtetuese që ai të pranohet, kjo pritet të shihet.

Në përzgjedhjen e kohës, ndoshta tentohet të luhet me efektin surprizë, kur shumica në pushtet e ka mendjen tek fushata, kur ministri i drejtësisë është një teknik i PD-së, etj. Dhe nuk ka kohë për presion.

Në të gjithë rastet, dalja e këtij ankimimi pikërisht tani, është konfirmim i drejtësisë së vetting-ut. Koha e zgjedhur për ankimim ngjan si avantazh i sulmuesve të vetting-ut, por në fakt pikërisht koha e zgjedhur do përdoret si argument në favor të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Dihet fare mirë, po ndihet se çështja e reformës në drejtësi, e vetting-ut është një nga kartat më të forta në fushatën e saj. Tani që pushteti gjyqësor po reagon, Rama është brenda të drejtës të vet që të thotë: ja, e shikoni si po e kundërshtojnë ata që ju marrin pronat, ju marrin jetën, me vendime gjyqësore të parablera? Pra Rama merr fuqi të madhe propagandistike pikërisht nga ky veprim i gjyqtarëve kundër vetting-ut.

Parë kështu, nëse secila prej partive të tjera, PD ose LSI vendosin të rreshtohen prapa gjyqtarëve, Rama merr fuqi shtesë elektorale. Në mungesë të një bilanci pozitiv të pohueshëm qartë, çështja e vetting-ut shndërrohet kështu në temën kryesore të fushatës. Por ngjan e vështirë që ata të reagojnë publikisht.

Po cili do jetë fati i vetting-ut? Është krejtësisht e qartë se vetting-u është tashmë çështje ndërkombëtare. Ka investim të madh perëndimor për këtë prej disa vitesh. Madje ai po tentohet të imponohet si model dhe në vende të tjera të rajonit. Ndonjë parti e Kosovës madje e ka futur në programin e vet, megjithëse sistematikisht i është kundërvënë pikës më të fortë të vetting-ut, përfshirjes së të huajve në kontrollin e biografive të njerëzve të pushtetit gjyqësor. Dhe Perëndimi nuk do rrijë me duart kryq e të pranojë që vepra e vet e madhe, që zë fill në Shqipëri dhe mund të shtrihet në rajon për të spastruar kastat gjyqësore, pastaj oligarkitë dhe elitat politike që janë rrënjëzuar në Ballkan, të rrënohet nga ky konspiracion i gjyqtarëve shqiptarë. Duhet imagjinuar që përfaqësues të kësaj bashkësie do të përpiqen të ndikojnë tek Gjykata kushtetuese, që dhe kjo ndërmarrje e dëshpëruar e viktimave të ndritshme të reformës në drejtësi, të ketë sukses. Ambasadori Lu me gjase nuk do të ikë nga Shqipëria pa parë efektet e para të reformës mbi ata shërbyes të shtetit dhe ligjit që shëtitin me makina të shtrenjta, me orë super të shtrenjta në duar, pasi kanë shkatërruar shumë jetë njerëzore, shumë prona, shumë të drejta në përgjithësi, pra kanë marrë peng shtetin shqiptar.