Ndërsa në Budapest ministri i jashtëm i Kosovës i bënte një thirrje emocionale, homologëve të tij të vendeve të Vishegradit, anëtarë të BE-së: liberalizoni vizat që rinia e Kosovës të mos ndihet se gjendet në një vrimë të zezë të Europës, presidenti i vendit Thaçi, i gjendur në Prishtinë, u komentua gjatë për disa deklarime kritike ndaj Europës. Ato që lidheshin me Gjykatën Speciale dhe tradhëtimin e Kosovës nga Europa, me liberalizimin e vizave, dhe në fund një kërkesë për homologun e tij nga Shqipëria: pajisni me shtetësi shqiptare, shtetasit kosovarë!
Po i marrim me radhë dy zhvillimet paralele. Grupi i Vishegradit përbën një përpjekje të vendeve ish komuniste të Europës qendrore, për të bërë të zëshëm interesat e vendeve të vogla dhe të mesme, brenda Bashkimit Europian, që përbashkohen nga e kaluara komuniste, gjeografia e përbashkët si dhe tradita të caktuara. Zaten, ky është një gjakim për të krijuar një lloj klubi lobues brenda BE-së për të mbrojtur interesat e të vegjëlve përballë të fuqishmëve.
Në këtë përpjekje po shquhen edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ftohen t’i bashkohen klubit të vendeve të vogla, dhe në këto takime si ky i Budapestit kanë një mundësi të volitshme për të lobuar për çështje të caktuara. Vendet e Vishegradit (Polonia, Çekia, Slovakia, Hungaria) duan të zgjerojnë në Ballkan tregjet për prodhuesit e tyre; duan të zgjerojnë klubin e të vegjëlve brenda BE-së, ndaj e mbështesin pa rezerva ardhjen e vendeve ballkanike në BE.
Paralelisht me këtë aktivitet, në Kosovë po qëndron presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Takimi i parë më i rëndësishëm i tij ishte me presidentin Hashim Thaçi, i cili këtyre ditëve ka shtuar mëlmesat ‘radikale’ në deklaratat e tij përkundrejt bashkësisë ndërkombëtare.
Kritika e tij e parë shigjetuese nga harku i tij u zhgreh ndaj Gjykatës Speciale, për të vazhduar më pas ndaj Bashkimit Evropian, që, sipas tij, ka tradhtuar Kosovën me mosliberalizimin e vizave.
Në një distancë kaq të shkurtër kohore, ai pati edhe një moment të pakëndshëm me ambasadorin britanik i cili ‘bojkotoi’ një takim ku po fliste Thaçi. Së fundi, ai nxori krye edhe me kërkesën drejtuar presidentit Meta që shteti shqiptar t’i pajisë qytetarët e Kosovës me pasaporta.
Në këtë mikrokozmos, janë dy ngjarje komplementare, njëra në Prishtinë e tjetra në Budapest, në të cilat vendoset për kahjen e lundrimit të Kosovës.
Në Budapest, Kosova e përfaqësuar nga ministri i saj i Jashtëm, Behgjet Pacolli, gjendej në një përpjekje të sforcuar për të mos ngelur e mënjanuar në lojën e madhe evropiane në një situtatë që nuk është aspak në favor të saj. Liberalizimi i vizave ishte fjala kyç e komunikimit të tij.
Kosova në fakt është një nga shtetet më proeuropiane të kontinentit, ndonëse është vendi më i izoluar i saj. Qytetarë të shumtë i duhet të presin dhe 9 muaj për të marrë një takim për vizë europiane, të cilën dhe mund të mos e përfitojnë në fund. Sot, në takimin që ministri i jashtëm i Kosovës, Pacolli pati me homologun e tij hungarez, iu tha se ishte prishur kontrata që kishte pasur ambasada e këtij vendi me një kompani që organizonte takime me qytetarët që kërkojnë viza. Një reagim i arsyeshëm i hungarezëve. Po të tjerët?
Është një situatë e ngjashme edhe me kohërat më të këqija të Shqipërisë së dikurshme të izoluar. Por jo vetëm kaq: do fillojë nga puna Gjykata Speciale e krijuar sipas një raporti të ish prokurorit zviceran Dik Marti, që kriminalizon luftën e UÇK-së dhe krerët kryesorë institucionalë të Kosovës që vijnë nga lufta. Bisedimet me Serbinë më në fund mund ta vendosin Kosovën në një pozitë të vështirë: Serbia po llastohet shumë nga Perëndimi, për shkak të flirtimit të saj të vazhdueshëm me Moskën.
Kosova po përpiqet të kapërcejë këtë moment diskriminues, si vendi më i getoizuar në Evropë.
Të gjitha këto brenga janë zëruar nga përfaqësuesi i diplomacisë kosovare në takimet që ka pasur në Budapest.
Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi po luan me të gjitha mjetet e presionit diplomatik, duke përdorur edhe ‘kërcënime’ ndaj BE-së.
A ka të drejtë Kosova në këtë ndryshim të beftë të diplomacisë?
Duhet kujtuar, mbi të gjitha, se Kosova është një krijesë e diplomacive perëndimore që vendosën ta shkëpusin atë nga Serbia me forcën ritmike të bombave mbi Beograd. Kosova është një shtet i krijuar nga Perëndimi, i bashkërenduar prej tij në legjislacion dhe të gjitha fushat e tjera të rëndësishme, dhe krejt papritur ekziston rreziku që brenda saj të shpërthejë një frymë antievropiane, jo vetëm për shkak të rritjes së popullaritetit të atyre partive që janë kritike ndaj ndërkombëtarëve, por edhe rritjes së ekstremizmit fetar.
Paradoksi është se në vendin që supozohet të ishte më evropiani në shpirtin e tij, ka një harlisje të disponimit antievropian tek brezat e rinj që janë të privuar nga lëvizja e lirë në Evropën Perëndimore.
Kjo pakënaqësi ndaj Evropës, që sot mori një kumbim të zëshëm në fjalët e presidentit Thaçi, vjen në një moment edhe kur dialogu po hyn në aktin e tij të fundit.
Ky proces po hyn në një fazë përmbyllëse, pasi vërehet tek të gjithë një mërzitje nga vazhdimi i pambarimtë i negociatave.
Në ndërkohë në vendin fqinj, Serbi, është nismuar një dialog i brendshëm që me gjasë do të përfundojë me heqjen e Kosovës nga preambula e Kushtetutës serbe.
Në këmbim të kësaj, Beogradi ka fuqizuar të ‘drejtën morale’ për të kërkuar një status të fuqishëm të serbëve në Kosovë që do të sendërzohej si Bashkësia e Komunave Serbe, apo ekstraterritorialiteti i Kishës Serbe, në një status të ngjashëm si Komuniteti i Malit Athos në Greqi.
Pra, Serbia duket se është e gatshme të bëjë një lëshim, në këmbim të të cilit Kosovës i lipset diçka që nuk është e gatshme të japë.
Jemi në një dialog në të cilin dy palët janë mjaft të pabarabarta: Serbia, me traditën e saj shtetërore më të gjatë dhe afrimin konstant me Rusinë, ka fuqi pakrahasimisht më të madhe, ndërkohë Kosova, për shkak të këtyre lojërave të brendshme dhe të jashtme, është duke i humbur miqtë e saj dhe mpakur fuqitë lobuese.
Jemi në një situatë ku Kosova po përpiqet të nxjerrë në pah veten e saj në një forum, siç është takimi i ministrave të jashtëm të grupit të Vishegradit. Në një mjedis të tillë sikur gjen mbështetje të sinqertë anëtarësimi i pakushtëzuar i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në mitologjinë greke, Ariadna është një femër e dashuruar pas Tezeut të mbyllur në një labirint, të cilit i jep një rrotull fijesh leshi, që të gjenden më në fund. Dhe Kosovës i duhet të rikthejë dashurinë e Europës: i duhet të gjejë perin e Ariadnës, domethënë dashurinë europiane në një konkurrencë të frikshme që dikton situata gjeopolitike, duke artikuluar zëshëm kërkesat e saj, duke përdorur miqtë e saj ndërkombëtarë, por dhe bashkëpunimin më të ngushtë me Shqipërinë.
Dhe meqë ra fjala: a janë përdorur gjithë mundësitë e këtij bashkëpunimi me vendin amë?