MENU

Deficiti tregtar i rrezikshëm?

Frenimi i rritjes ekonomike globale nga lufta tregtare

23.06.2018 - 21:00

Hidhuni një sy titujve kryesorë të gazetave dhe do ta keni shumë të vështirë të besoni se ekonomia globale po kalon kohëra të mira. Presidenti Donald Trump vazhdon të lëshojë lumë goditjesh në luftën e porsafilluar tregtare, duke shkaktuar trazira në tregjet financiare e duke nxitur reagime negative. Rezerva Federale po rrit normat e interesit, një ndërhyrje kjo që zakonisht ka si pasojë recesionin në Amerikë. Kreditimi më i kufizuar dhe dollari në rritje po ndrydhin tregjet e vendeve në zhvillim, disa prej të cilave po kalojnë një periudhë shumë të vështirë, si rasti i Argjentinës p.sh.

Megjithatë, ekonomia botërore po përparon. Rritja është ngadalësuar disi qysh prej vitit 2017, por ende duket se po tejkalon ritmin e ngadaltë të vendosur pesë vite më parë. Falë uljes së taksave nga presidenti Trump dhe rritjes së shpenzimeve, Amerika mund ta përshpejtojë rritjen. Një çmim më i lartë nafte, i cili në ciklet e kaluara ekonomike mund të ketë përbërë barrë, sot po nxit investime në prodhimin e shistit argjilor amerikan. Disa parashikime paraqesin një rritje më shumë se 4% në tremujorin e dytë të vitit 2018.

Kjo energji e beftë, megjithatë, sjell rreziqe. Një nga to është edhe mbulimi i përkohshëm politik i pamaturisë së zotit Trump. Rreziku i dytë është se, në qoftë se ekonomia amerikane përshpejton rritjen dhe pjesa tjetër e botës ngadalësohet, thellimi i diferencave në normat e interesit do ta mbiçmonte dollarin edhe më shumë. Kjo gjë do të përkeqësonte problemet në tregjet e vendeve në zhvillim dhe do ta provokonte më tej zotin Trump, duke vështirësuar arritjen e qëllimin e tij për një tregti të balancuar.

Lufta tregtare është kërcënimi më i madh ndaj rritjes ekonomike globale. Më 15 qershor, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se një tarifë prej 25% ndaj importeve kineze, të cilat në total përbëjnë një vlerë prej 50 miliard dollarësh, do të hyjë shumë shpejt në fuqi. Tri ditë më vonë, pasi Kina premtoi të hakmerrej, presidenti amerikan e shtoi dozën, duke e çuar këtë shifër në 400 miliard dollarë, vlerë që nënkupton mallrat e tjera të importit që Amerika po i kërcënon me shtim të tatimit. Nëse ai vijon me këtë qasje, 9/10 e afërsisht 500 miliard dollarëve – vlerë kjo e mallrave të importuara nga Kina çdo vit – do të përballen me taksa amerikane. Ndërkohë, Bashkimi Evropian është gati të vendosë tarifa “hakmarrëse” në përgjigje të veprimeve të Amerikës kundër çelikut dhe aluminit të BE-së. Nuk është për t’u habitur që tregjet e ndiejnë këtë tension.

Më mirë fare tregti sesa deficit

Presidenti nuk ka frikë nga përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve tregtare, sepse ai beson se ka një as nën mëngë. Amerika blen nga Kina pothuajse katër herë më shumë sesa shet atje, duke kufizuar kështu mundësinë e Kinës për t’u përgjigjur me tarifa të njëjta importesh. Shtëpia e Bardhë shpreson se ky çekuilibër do ta çojë Kinën drejt përmbushjes së kërkesave të saj, disa prej të cilave (p.sh. ndalimi i vjedhjes së pronësisë intelektuale të firmave amerikane) janë më të arsyeshme se të tjerat (duke zvogëluar kësisoj deficitin tregtar dypalësh).

Por Donald Trump e mbivlerëson fuqinë e tij në bisedime. Nëse Kina nuk do të kishte më mallra amerikanë për të taksuar, kjo gjë do t’i bënte tarifat edhe më të larta. Ose do të dëmtonte firmat amerikane që veprojnë në Kinë. Më e rëndësishmja, merkantilizmi i presidentit ia errëson atij shikimin lidhur me dëmin që mund t’i shkaktojë Amerikës. Ai mendon se është më mirë të mos ketë tregti fare sesa të ketë deficit tregtar. Kjo marrëzi e tij dikton gjithashtu taktikat e tij ndaj Kanadasë, Meksikës dhe BE-së. Trump është ende në kohë për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Amerikës së Veriut (NAFTA) dhe nga vendosja e tarifës prej 20 përqind për automjetet e importuara nga Bashkimi Evropian.

Problemi nuk është varësia e Amerikës nga tregtia. Në fakt, bëhet fjalë për një zonë mjaftueshëm të madhe për tregtinë e lirë, në mënyrë që dëmi eventual ndaj PPB-së, edhe nga një luftë tregtare e mirëfilltë, të jetë e kufizuar në disa pikë përqindjeje (ekonomitë më të vogla të specializuara janë më të varura nga tregtia dhe do të vuanin shumë më tepër). Një dëm i tillë i vetëshkaktuar do të ngarkonte një kosto të pakuptimtë prej mijëra dollarësh për familjet mesatare amerikane. Kjo gjë do të ishte e keqe, por jo fatale.

Shqetësimi më i madh është konfuzioni i madh që do të ndodhte nga kalimi në më shumë pavarësi ekonomike. Ekonomia amerikane është projektuar për t’i krijuar iPhone-ët, jo për të montuar pjesët e tyre; pjesët e brendshme të makinave dhe avionëve të saj kalojnë shumë herë kufijtë kombëtarë para se produkti përfundimtar të jetë gati. Të ballafaquar me këto tarifa, firmat duhet të ridrejtojnë punën dhe kapitalin për të zëvendësuar importimin e tyre.

Disa analistë ia atribuojnë presidencës së Trumpit shokun ekonomik të tregtisë me Kinën pas vitit 2000. Trazirat e shkaktuara nga përmbysja e globalizimit do të rezultonin po aq të këqija. Sipas një studimi, nga një luftë tregtare mendohet të jenë humbur 550 000 vende pune në tregun amerikan. Goditja ndaj Kinës do të ishte gjithashtu e ashpër. Çdo rregullim i mundshëm do të tejzgjatej nga paparashikueshmëria e zotit Trump. Pa e ditur nëse tarifat do të rriteshin apo uleshin, cila kompani do të mendonte se do të ishte gjë e mençur të investohej në një zinxhir të ri furnizimi?

Është e vështirë të imagjinohet një riorganizim i tillë pa një recesion global. Tarifat e rrisin përkohësisht inflacionin, duke e bërë më të vështirë për bankat qendrore zbutjen e goditjes. Kalimi drejt investimeve të sigurta, që shoqërohet nga një rënie ekonomike globale, do ta mbante dollarin të fortë, madje edhe nëse stimuli fiskal i Amerikës do të shteronte pas vitit 2019.

Pra, duhet me qenë të kujdesshëm. Lufta tregtare ende mund të frenohet, kjo në dobi të ekonomisë botërore. Amerika është motori i rritjes globale, por me një shofer të rrezikshëm në timon, Donald Trump dora vetë.

Përshtatur nga The Economist