MENU
klinika

Botë e dominuar nga indianët

11 fakte të panjohura rreth popullsisë botërore

07.07.2018 - 18:00

Çdo vit, popullsia e botës shtohet me 83 milion njerëz. Momentalisht, ka rreth 7.6 miliard njerëz në botë. Deri në vitin 2050, do të ketë vetëm 10 miliard.

Por prirjet e popullsisë janë jashtëzakonisht të pabarabarta – disa vende po rriten me shpejtësi, të tjerat po pakësohen.

Secili skenar sjell sfidën e vet për qeveritë. Vendet, popullatat e të cilave janë në rënie, duhet të mendojnë se si të mbështesin njerëzit e moshuar kur ka më pak punëtorë të rinj për të kontribuar në fondet qeveritare. Vendet me një popullsi të re në rritje duhet të luftojnë me mënyrën se si t’i ushqejnë ata dhe të ofrojnë arsim e kujdes shëndetësor.

Tri gjëra kyçe ndikojnë popullsinë. Fertiliteti është faktori kryesor, i ndjekur nga vdekshmëria dhe pastaj migrimi.

Në vijim disa fakte kyçe rreth popullsisë së botës, të marra nga parashikimet e fundit të popullsisë botërore të OKB-së.

1. Nga viti 2024 India do ta kapërcejë Kinën si vendin më të populluar në botë

Kina aktualisht ka 1.4 miliard banorë, e ndjekur nga India me 1.3 miliard. Së bashku ato përbëjnë 37% të popullsisë së botës.

2. Nigeria ka popullsinë me rritjen më të shpejtë në botë

Nigeria aktualisht është në vendin e 7-të në listën e vendeve më të populluara, por para vitit 2050 do të zërë vendin e tretë, duke kaluar edhe SHBA-në.

3. Lindshmëria ka rënë në mbarë botën

Që nga vitet 1960 (kur ka qenë mbi 6 lindje për grua), niveli global i lindjeve ka rënë në mesatarisht 2.5 lindje për grua. Megjithatë, kjo mesatare përbëhet nga shifra shumë të ndryshme: në Afrikë është 4.7 lindje për grua, në Evropë është 1.6.

4. Gjysma e rritjes së popullsisë do të ndodhë në 9 shtete

Nga 2017 deri më 2050, India, Nigeria, Republika Demokratike e Kongos, Pakistani, Etiopia, Republika e Bashkuar e Tanzanisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uganda dhe Indonezia do të kontribuojnë më së shumti në rritjen e popullsisë.

Kjo do të thotë se popullsia e Afrikës do të jetë rritet afërsisht dyfish deri në vitin 2050.

5. Popullata e Evropës do të bjerë
Kur lindshmëria bie nën 2.1 lindje për grua kjo shifër konsiderohet si “nën normën e zëvendësimit”. Kjo do të thotë që nuk lindin fëmijë mjaftueshëm për të zëvendësuar numrin popullsisë që përbëjnë prindërit e tyre. Kjo po ndodh tashmë në Evropë.

6. Pothuajse gjysma e popullsisë së botës jeton në vende me lindshmëri të ulët

Midis vitit 2010 dhe 2015, 46% e popullsisë së botës ka jetuar në 83 vende ku niveli i pjellorisë ishte nën pragun e 2.1 lindje për grua.

7. Bota po plaket

Një numër në rritje njerëzish po jetojnë në një moshë të madhe. Në vitin 1950, kishte shumë më të rinj se të moshuar. Në vitin 2017, ka më pak të rinj dhe më shumë të moshuar. Deri në vitin 2050 shifrat do të balancohen.

8. Po jetojmë më gjatë
Në përgjithësi, jetëgjatësia është në rritje. Në nivel global, jetëgjatësia në lindje u rrit me pothuajse 4 vjet, ose nga 67 në 71 vjet, midis viteve 2000 dhe 2015.

Jetëgjatësia parashikohet të rritet në rreth 77 vjet në periudhën midis 2045 dhe 2050, dhe përfundimisht në 83 vjet në periudhën midis 2095 dhe 2100.

9. Dallimet në jetëgjatësi do të jenë më pak të theksuara

Jetëgjatësia në Afrikë ishte 60 vjet mes vitit 2010 dhe 2015, krahasuar me 79 vjet në Amerikën Veriore. Por, jetëgjatësia po rritet më shpejt në Afrikë sesa në Evropë, kështu që diferenca pritet të zvogëlohet ndjeshëm deri në vitin 2050.

10. Afrika ende ka një popullsi relativisht të re, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Evropën

Në vitin 2017, 60% e popullsisë afrikane ishte nën moshën 25 vjeç, vetëm 5% ishin 60 vjeç ose më të vjetër. Në Evropë, vetëm një e katërta e popullsisë është nën 25 vjeç. Një çerek tjetër janë 60 vjeç ose më të vjetër.

11. Migrimi neto po bie

Mes viteve 1950 dhe 2015, në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Oqeani, më shumë njerëz imigruan sesa emigruan.

Migrimi arriti kulmin mes viteve 2005-2010, në 4.5 milion njerëz në vit, duke lëvizur midis rajoneve kryesore të botës. Mes viteve 2010 dhe 2015 shifra ishte 3.2 milion.

Për vendet me nivele të ulëta pjellorie, migrimi mund të jetë e vetmja mënyrë për të shmangur rënien e popullsisë.

Kuptimi i demografisë së secilit vend është çelësi për arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, thotë John Wilmoth, Drejtor i Divizionit të Popullsisë, Departamenti i Çështjeve Ekonomike dhe Sociale, Kombet e Bashkuara.

Këto qëllime përfshijnë uljen e varfërisë, urisë dhe pabarazisë në botë.

Duke ndjekur ndryshimet e popullsisë, qeveritë mund të zbatojnë politika dhe iniciativa për të tejkaluar sfidat me të cilat ballafaqohen.

Burimi: World Economic Forum