MENU
klinika

Bashkëqeverisja e Edi Ramës

A është agjencia e bashkëqeverisjes një model për t’u ndjekur?

26.07.2018 - 15:22

A ju kujtohet shoku Kopi tek “Rrethimi i vogël”? Një personazh emblematik i sistemit në një nga filmat e realizmit socialist që vërtitej rrugëve të qytetit duke mbajtur shënime për t’i demaskuar sjelljet që bien ndesh me parimet që propagandoheshin nga “pushteti popullor”. I realizuar me mjeshtëri nga aktori Albert Verria personazhi ishte për kohën një formë autokriticizmi për fenomenin e demaskimit që shpesh shëndrrohej në valvulë shkarkimi inatesh personale.

Propaganda komuniste për gati 50 vjet mbarsi në popull frymën telendare, siç identifikohen rëndom nga jugu, të gjithë ata që kanë pasion të të telendisin apo të të nxijë faqen me të qena e të paqena dhe mundësisht që këto fjalë të bien në veshin e të madhit. Aq e rrënjosur është kjo frymë saqë ende sot e kësaj dite shqiptarët kanë dëshirë të komunikojnë me të parin e tyre.

Këtë e konfirmon edhe vetë Drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkqëqeverisje, Eridiana Cano përgjegjëse e platformës “shqipëriaqëduam.al”, e cila publikisht ka pohuar se janë “qytetarët ata që duan në përgjithësi kryeministrin ose ministrin për të qenë në pranishëm në dëgjesat apo interpelancat publike”.

Është pikërisht ky çelësi i mekanizmit që Edi Rama ka kuptuar mbi bazën e të cilit ka ngritur menjëherë pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017-të strukturën e re të cilën ai e pagëzoi si koalicioni më i madh qeverisës, koalicioni me qytetarët.

Metafora që fillimisht ishte thjesht një parrullë elektorale, u jetësua në një plaftormë, që ndryshe nga platformat e tjera sikurse “Stopkorrupsionit.al” apo “Transparenca.al” nuk mund të aksesohet në mënyrë anonime por vetëm përmes identifikimit të qytetarit me të dhënat e numrit të kartës së ID.

Por mbi cilat bazat ligjore, rregullash dhe normash është ngritur në këmbë kjo armatë njerëzisht që përbën kanalin e komunikimit të qytetarëve me qeverinë, ç’është më e rëndësishmja komunikimi me të parin e saj.

Zyra e Bashkëqeverisjes është pjesë e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, një strukturë e cila zëvëndësoi Drejtorinë për Marrëdhëniet me Qytetarët pranë Kryeministrit, e cilësuar si inefiçente për të ofruar zgjidhjet që qytetarët prisnin. Me ngritjen e kësaj strukture të re, pranë kabineteve të 13 ministrave janë bashkëngjitur 1-2 koordinatorë të kryeministrisë, në varësi të zërave që ka në përbërje një dikaster ministror.

Secili prej tyre ka akses në portal ku merr në administrim ankesat që vijnë në adresë të ministrisë ku ai është ngarkuar me detyrë dhe nis të komunikojë me strukturat përgjegjëse të ministrisë.

Koordinatorët raportojnë në kryeministri çdo të premte dhe një rast pikant përzgjidhej për t’u bërë publik nga ministri së bashku me zgjidhjen. Daljet e titullarit bëheshin zakonisht të shtunave ose të dielave që dhe vëmendja mediatike të ishte më e madhe në thatësirën e lajmeve që zakonisht ndodh të ketë në fundjavë. Kjo strategji komunikimi u ndoq në muajt e parë, derisa kryeministri u vu në qendër të saj edhe publikisht duke i bërë raportimet e koordinatorëve dhe qytetarëve të hapur për mediat në takimet e përjavshme që zhvillohen në COD.

Po ashtu që idea e bashkëqeverisjes të jetë sa më shteruese, në platformë është krijuar dhe një dritare “NISMA IME” për propozimin e nismave që mund të përmirësojnë jetën në komunitet. Një hapsirë jo fort e kuptuar mirë pasi shpeshherë propozimit vinin në formën e kërkesave për të investuar në rindërtimin e rrugës rurale X, apo rehabilimin e shkollës Y. Nisma “Tre lëndë në 6 orë” që u propagandua se erdhi nga një grup mësuesish në Fier është kali i vetëm i betejës që edhe vetë drejtoresha e Agjencisë Eridiana Cano përmend në çdo daljet e saj publike kur kërkon të ilustrojë sesa mirë ka funksionuar.

Por çfarë efektesh shkakton kjo strategji komunikimi për demokracinë e një vendi që ka probleme me hendekun midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve? Përshtypja që të krijohet nga një vëzhgim i thjeshtë është se ky mekanizëm çon ujë në mullirin e populizmit, ku imazhi i kryeministrit shfaqet si ai i njeriut virtuoz që zgjidh problemet e njerëzve përtej ngjyresave politike, duke u diferencuar nga sistemi i kalbur që nuk arrin t’i përgjigjet nevojave të qytetarëve, paçka se e gjithë administrata mbahet me paratë e taksapaguesve. Karizma e Edi Ramës sa vjen e shtohet dhe turmat e njerëzve që mendojnë se ai po shkund të gjithë ata zyrtarë që deri dje mendonin se ishin të përjetshëm në postin e tyre deri në fund të mandatit të një partie politike në pushtet.

Rikthimi në punë i një simpatizanti të PD-së në Bashkinë Berat, apo paralajmërimi që i bëri publikisht drejtorit të ALUIZNI-t në Fier se nëse nuk do t’i përgjigjej qytetarit për çertifikatën e legalizimit, atëherë do të shkarkohej nga detyra janë vetëm disa nga rastet që i shërbejnë kryeministrit të konsolidojë imazhin e tij autoritar që garanton të drejtat e më të dobtit.