MENU
klinika

Sheshi dhe prespektiva

I bukuri Përmet me rrugë të ngushta

28.07.2018 - 19:01

Nga Eugent Kllapi

Bukuria nuk e ka emrin vetëm Instagram, ajo e ka edhe Përmet. Merr një Naim dhe Sami dhe ke thënë shumçka për dlirësi e thellësi, merr gjithë figurat kombëtare që ka nxjerrë Përmeti mbush me fjalë e gërma gjysmën e Shqipërisë.
Të gjitha qytetet kanë karakteristikat e tyre në kulturë, por dallohet urtësia e përmetarëve. Sa të urtë ka nxjerrë Përmeti nuk dalin sheshet e tij për përmendore.

Përmeti freskohet nga lumi Vjosë, me rrëmbimin e tij zbut njerëzit. Sa më shumë shtrohet Vjosa më tutje, aq më tepër egërsohen njerëzit. Deri në grykderdhje ata tërbohen. Mendohet se origjina e fjalës Përmet është togfjalëshi ‘premë-etjen’. Gjysmën e jetës përmetarët e çojnë në lumë, gjysmën në sheshe e lulishte duke adhuruar lule. Lumi verës ia kompeson me fresk, dimrit me përmbytje.

Dikur shtëpitë e përmetarëve, sa më afër i afroheshin lumit për të mirat që kishte, aq më tepër ai i merrte me vete me gjithë katandi, kurse qyteti ujrat e zeza ia derdh lumit, një kompensim midis natyrës dhe njeriut. Simbioza e përmetarëve me lumin është e pashtershme.

Përmeti gjendet midis shumë ‘ujqërve’, Gjirokastrës, Tepelenës, Ersekës, Skraparit. Ka dhënë e ka marrë prej tyre. Ai është detyruar ta zbusë këtë agresivitet e fortësi, me urtësi dhe me finesë. Jepu përmetarëve një fidan të bëjnë dhjetë lulishte brenda vitit.

Në anën e djathtë një gur gjigand i shikon serbes vizitorët, pak më përpara tij kisha e xhamia bashkëjetojnë njëra-tjetrës pothuasje ngjitur. Vizitorët habiten se si nuk bie guri i madh i qytetit. Që andej e shikon qytetin sikur është pikturë në miniaturë.

Panorama dhe itinerari në Përmet përmblidhet me sy. Me 10 minuta përshkruan gjithë vijën gjatësore të qytetit, por në vetevete ka shumë mikrokozmose kulturore. Kultura është në përpjestim të zhdrejtë me banorët, pak banorë dhe shumë kulturë e vendosur në harmoni me njerëzit që e duan atë.

Shumë kulturë dhe shumë papunësi, pak mirëqënie për përmetarët megjithësi turizmi gëlon në shumë forma, që nga ‘rafting’ e deri tek ai kulturor. Qyteti është i bukur, po kjo bukuri nuk i hynte në xhep të papunëve. Shumë prej tyre u arratisën në emigrim, por rikthehen përsëri përmetarë.

Së fundmi u bë një shesh që të gjithë e duan, u sistemua bukur qendra përpara Bashkisë dhe ish-Hotel Turizmit. Përmeti është një nga ato perlat e vogla ku Edit Durham e quante ‘qyteti më i bukur në Botë’. Noli e ka vargëzuar për mënyrën e gatimit, mbase u bë dhe mbret në sofër, dikur quhej ‘qyteti i trëndafilave’, vend i dhjetra figurave kulturore si Nonda Bulka, Tefta Tashko Koço, vëllezërit Frashëri, instrumentistit Laver Bariu etj. Kosovarët kur u strehuan më 1999 e quajtën ‘’Paris i vogël’’.

Të tilla epitete për edukatën, kulturën, bukurinë, qytetarinë, harmoninë e natyrës Përmeti ka marrë me bollëk, mbase edhe është velur, apo është bërë narcist. Narcisti në antikitetin grek vdiq nga mallkimi i perëndeshes sepse ishte shumë i bukur, ishte i dënurar përjetë nga bukurinë e tij.

Qeveria e tanishme në një nismë për të rirregulluar qytetet bëri dhe në Përmet një shesh estetikisht të bukur. Por e bukura është se pikërisht kjo bukuri është e gabuar. Ndonjëherë e bukura vret kithtas, ose nëndirekt. Problem qenësor është papunësia e madhe, emigracioni i lartë, migrimi. Një popullsi e vogël aty te 10 mijë banorë me një pasuri të madhe natyrore.

Parësore për të është zhvillimi i turizmit, zhvillimi i bujqësisë dhe i blektorisë, zhvillimi i industrisë së lehtë (thembra e Akilit për Përmetin). Nuk vuan Përmeti nga ndërtimet dhe industria e ndërtimit, 20 pallate dhe problemi u zgjidh.

Në një logjikë kombëtare të investimeve u bë sheshi i qytetit. Një vlerë jo e pakët u hodh për gurë, megjithatë Përmetarët prisnin për t’u punësuar, hidhen investime milionëshe për qendrën e qytetit. Shtëpia zbukurohet po ajo lëngon nga të tjera halle.

Dikur Edit Durham shprehej se disa gra me shkop e gëlqere mendonin se do ta bënin të bukur qytetin e Përmetit po ta lyenin dhe të buzëqeshura ecnin plot gëzim, po ai bukur ishte. Për paralelizëm po them se të bukurës i vendos dhe një vello në qendër, po ai i bukur është edhe pa të. Ai veçse vuan për pak mirëqënie dhe punësim.

Përmeti ka si traditë lulet dhe lulishtet, gjelbërimin që vjen si kohë e lulishteve perandorake turke. Kur shikohej ndonjë i huaj të këpuste trëndafilat e shumllojshëm kudo në lulishtet e Përmetit ose të hidhte ndonjë mbetje në rrugë nën zë dëgjoje ‘’ahaa…s’qenka përmetar!’’. Sa mirë sikur sheshi aty të ngushtohej dhe të zgjeroheshin lulishtet në këtë shesh të ri me qasje për njeriun me natyrën!

Si strategji për të lëvizur para, qeveria hodhi investime që do të ndryshonin pamjen e përgjithshme. Me këtë mendohesh dhe punësimi. Por këto sheshe i bëjnë bisneset e mëdhaja të cilat e hidhnin ujin dhe e prisnin në mullirin ku do kalonte ky ujë. Pra, paraja hidhesh dhe merresh po nga ata. Një formë e përqëndrimit të kapitalit kjo. Duhej të mendohej decentralizimi i përqëndrimit të burimeve ekonomike.

Nga ana tjetër një shabllonizëm estetik kombëtar nuk e zbukuron qytetin, por e bën fotokopjo në seri. Imitimi thonë është forma më e shëmtuar e origjinalit. Përmetarët e dinë këtë, por a u pyetën përmetarët? Sheshi është qasje qytetarie, por lulishtja është qasje harmonike e njeriut me jetën, Pamja të shton një panoramë guri që sfidon lulishtet, në fakt lulishtet duhet të sfidonin gurin.

Prespektiva e tij nuk ishte sheshi po rruga Këlcyrë-Përmet dhe Përmet-Tri-urat, mundësisht të zgjerohesh dyfish për dalje në Greqi dhe në aksin Tepelenë-Gjirokastër. Rrugët e fshatrave duhen ribërë me standarde europiane që mos të shpopullohen.

Një rrugë e tretë me Skrapar-Beratin e ndihmonte për frymëmarje. Të huajt që vijnë në Përmet thonë se rruga nga ana nacionale ndjek formën e apendistit, pra rrugë qorre që të arrish në Përmet. Ky është, edhe bekim, edhe mallkim për të.

Me kostot e sheshit Përmeti mund të kishte disa fabrika siç i ka pasur dikur (dhe u prishën) dhe të bënte përpunimin e frutave dhe perimeve.

Me nam ka qenë rakia dhe vera falë fabrikave dhe specialistëve, punëtorëve që merreshin me rrushin. Fabrikat u prishën dhe u privatizuan. Por për këtë i duhet bujqësia. Mund të kishte strategji të përpunimit të rrushit, qershisë, kumbullës, etj. Përmeti ka qenë me nam për glikotë e tij.

Kulinaria është shumë e pasur, ajo ha nga Kolonja, Korça deri në Strugë me të njëjtat karakteristika, ashtu si dhe veshjet, këngët. E gjithë puna është të punësohen e të jetojnë njerëz në harmoni me pasurinë, të kenë gjë a gjë që të jetojnë me bukurinë.

Një kooperativizim në bujqësi do të ishte i nevojshëm për shumë strategji. Ndryshe nga sheshi që në lashtësi quhej ‘agora’ dhe qendër zhvillimore, Përmetit i duhej bujqësia, po nga ana tjetër të shesësh qumështin me 300 lekë të vjetra litri është dekurajim për fshatarin. Edhe motoja e fshehtë blektorale ‘mish me hormon’ më shumë e shkatërron atë.

Më shumë se sheshi përmetarëve u duhej një formë industriale ku të zhvilloheshin bimët medicinale që do të sillnin një varg të punësuarish në nevojë. Kjo bëhet me pak para dhe sjell punësim.

Më shumë se sheshi do të duheshin rrugët që të zhvillojnë turizmin, ashtu si perla e Ujërave të Bënjës, kanionin e tij, Përmeti ka Dhëmbelin dhe Nemërçkën, Trebeshinën vargmal i admiruar për t’u shkelur, po dhe një seri fshatrash të bukur si Lipa, Draçova, Strëmbeci, Kosina, Frashëri, Hotova të paekspozuar po që me një investim të vogël sjellin një bum në turizëm.

Më shumë se sheshi që s’besoj se ka punësuar shumë përmetarë mund të bëje dy tri pika turistike, mund të bëhej një teleferik modest nga kalaja në Gur të Qytetit që do të sillte të ardhura të shumta. Pra investime të zgjuara nga ana e qeverisë apo pushtetit në Përmet do ta rregullonin atë.