MENU
klinika

Nuk eshte e largët dita

Zëvendësim i plotë nga robotët

05.07.2018 - 10:26

Mos prisni që të shihni një njeri prapa timonit të një traktori më 2027-n. Apo një tufë duarsh njerëzore që kryejnë një operacion delikat në vitin 2053.

Sipas një studimi të ri nga hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit dhe Yale-it, këto do të jenë vitet kur inteligjenca artificiale parashikohet të marrë përsipër secilën nga këto detyra. Dhe e njëjta gjë do të ndodhë për miliona vende pune gjatë 50 viteve të ardhshme, shprehen hulumtuesit.

Studimi mbështetej në përgjigjet e anketimit të 352 studiuesve të IA-së, të cilët dhanë mendimet e tyre se kur robotët e ardhshëm do të zëvendësonin njerëzit në detyra të ndryshme.

Drejtuesja e këtj studimi, Katja Grace, dhe kolegët e saj identifikuan detyrat që ka shumë të ngjarë të automatizohen brenda 10 viteve të ardhshme. Përkthimi i gjuhës mund të tejkalojë performancën njerëzore në vitin 2024, dhe robotët mund të jenë në gjendje të shkruajnë ese më të mira se gjimnazistët në vitin 2026.

Detyra më komplekse dhe krijuese, si janë shkrimi i librave dhe matematika e nivelit të lartë, do të kërkojnë më shumë kohë. Në afatgjatë, studiuesit zbuluan se Inteligjenca Artificiale mund të automatizojë të gjitha proceset njerëzore të punës deri në vitin 2051 dhe të gjitha profesionet deri në vitin 2136.

“Përparimet në inteligjencën artificiale do të transformojnë jetën moderne, duke riorganizuar transportin, shëndetin, shkencën, financat dhe ushtrinë”, sipas hulumtuesve.“Këto rezultate do të hedhin dritë në diskutimet midis kërkuesve shkencorë dhe politikëbërësve lidhur me parashikimin dhe manaxhimin e prirjeve në IA”.

Burimi: World Economic Forum