MENU
klinika

Po ankandet?

Çfarë janë titujt shtetërorë?

23.07.2018 - 14:56

Çfarë janë titujt shtetërorë?

Titujt shtetërorë apo letrat me vlerë të qeverisë, janë instrumente borxhi të emetuara dhe garantuara nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Titujt shtetërorë emetohen në formën e bonove të thesarit dhe obligacioneve, në monedhë kombëtare dhe të huaj.

Çfarë janë Bonot e Thesarit?

Bonot e thesarit janë instrumente financiare afatshkurtra me maturim 3, 6 dhe 12-mujor. Interesi i përfituar nga ky instrument llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës nominale dhe çmimit të blerjes së kuponit.

Bonoja e Thesarit e qeverisë shqiptare është një instrument i tregtueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.

Bonot e thesarit emetohen (nxirren për shitje) nga qeveria nëpërmjet ankandit. Kjo formë nënkupton që investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrimi bëhet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit, që quhet yield i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos së thesarit.

Interesi (kthimi) i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonos me vlerën nominale të saj. Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes të llogaritur në bazë vjetore shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme dhe mund të shiten/blihen para afatit të maturimit. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 1(një) ditë para maturimit. Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), ku bëjnë pjesë edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi të ardhurat (kthimi nga investimi) e përfituara nga investimi.

Si të marr pjesë në ankandet e Bonove të thesarit?

Ankandet e bonove të thesarit dhe pjesëmarrja e Individëve

Kalendari i ankandeve të emetimit të bonove të thesarit përcaktohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Normalisht, ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3 dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12-mujor organizohen çdo dy javë. Si rregull, ankandet zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i letrës bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte. Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet faqeve respektive të internetit.

Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove të thesarit:

nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë
nëpërmjet subjekteve të licencuara për këtë shërbim
Çfarë të bëj për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet Bankës së Shqipërisë?

Hap një llogari për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit pranë një banke tregtare të licencuar si agjent shlyerës
Derdh në këtë llogari fondet që do të investosh
Paraqitu pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë për hapjen e llogarisë së bonos së thesarit dhe nënshkrimin e kontratës tip me Bankën e Shqipërisë. *Paraqit një dokument identifikimi, së bashku me numrin IBAN të llogarisë së hapur pranë bankës tregtare
Plotëso kërkesën për pjesëmarrje në ankand
Çfarë të bëj për të marrë pjesë në ankand nëpërmjet subjekteve të tjera të licencuara

Hap një llogari për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit pranë subjektit të licencuar
Derdh në këtë llogari fondet që do të investosh
Plotëso kërkesën për pjesëmarrje në ankand

Çfarë janë Obligacionet?

Obligacionet e thesarit janë instrumente financiare afatmesëm dhe afatgjatë me maturitet 2, 3, 5, 7 dhe 10-vjeçare. Interesi i përfituar në formën e kuponit paguhet çdo 6 muaj gjatë kohëzgjatjes së instrumentit. Përgjithësisht, obligacionet emetohen me kupon fiks, pra një normë fikse interesi gjatë gjithë kohëzgjatjes së obligacionit. Por mund të emetohen edhe me kupon variabël. Në këtë rast, norma e interesit është e ndryshueshme dhe përcaktohet çdo vit si shumatore e normës së indeksit të ndryshueshëm dhe një e marzhi fiks që përcaktohet në ankand.

Norma e indeksit llogaritet para zhvillimit të ankandit/datës së ripërcaktimit të kuponit të obligacionit variabël, si mesatare e interesit të ponderuar të bonove të thesarit 12-mujore në tre ankandet e fundit.

Në rolin e agjentit fiskal të Qeverisë, Banka e Shqipërisë është përgjegjëse për organizimin e ankandeve, shlyerjen dhe mbajtjen e regjistrit elektronik të titujve shtetërorë të emetuar në tregun e brendshëm.

Si të marr pjesë në ankand?

Individët mund të marrin pjesë në ankandet e obligacioneve vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara për këtë shërbim.

Çfarë të bëj për të marrë pjesë në ankand?

Hap një llogari për pjesëmarrje në ankandin e obligacioneve pranë subjektit të licencuar
Derdh në këtë llogari fondet që do të investosh
Plotëso kërkesën për pjesëmarrje në ankand
Burimi: Banka e Shqipërisë