MENU
klinika

Fermerët e Zadrimës

Në Zadrimë, aty ku fermerëve u kalben frytet e tokës….

31.07.2018 - 16:10

Nëse agroturizmi po propagandohet gjithnjë e më shumë nga qeveria si mundësi zhvillimi ekonomik për zonat rurale, Zadrima do të ishte një nga rajonet me potencialin më të madh nga pikëpamja bujqësore që do të mund të përfitonte prej tij. Drithërat e ndryshëm, vreshtat dhe foragjerët janë vetëm disa nga kulturat që mund të kultivohen në territorin e Vaut të Dejës dhe në të gjithë rajonin e Zadrimës. Por megjithë pjellorinë e tokës, fermerët nuk ia dalin të ndjejnë begatinë e asaj çka marrin prej saj. Arsyeja qëndron tek infrastruktura e amortizuar.

Bordi i Kullimit dhe Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit të Qarkut Lezhë ka ndermarrë gjatë 2 viteve pastrimin e 8.2 km kanale kulluese me qëllim që fusha e Zadrimës të jetë e mbrojtur nga përmbytjet. Në objektivin e punës së autoriteteve lokale është përfundimi i segmentit të fundit prej 13 km, por sërish përmirësimi i situatës së kullimit përfaqson për fermerët e zonës vetëm njërën anë të medaljes së shqetësimit të tyre.

Fermerët tregojnë se rendimin e lartë që kanë siguruar me korrjet e produkteve të stinës nuk kanë ku ta shesin. Në rajonin e Zadrimës mungon infrastruktura e tregtimit ndaj dhe fermerët tregojnë se janë të detyruar të tregtojnë produkte bujqësore në krah të autostradës Lezhë-Shkodër, një zgjidhje kjo aspak efikase.

“Po vëmë jetën në rrezik çdo ditë duke shitur këtu, ndërkohë që gjysma e prodhimeve po na kalbet sepse nuk kemi mundësi tjetër tregtimi. ” – tregon një prej tyre. Me dhjetra kuintalë shalqinj dhe pjepër janë kalbur pikërisht për shkak të mungesës së tregut. Fermerët pohojnë se në kushtet aktuale as ata nuk kanë interes të mbjellin më tej sepse produktet po përfundojnë në plehra.

“Dalim në orën 6 të mëngjesit deri në 8 të darkës. Tregu është përtokë. Prodhim ka me shumicë, por treg s’ka, s’blen njeri. Një hektar e kisha vitin që kaloi e hodha në kanal. Të rrish këtu tërë ditën e të shesësh 10 kile bostan, është turpi i Zotit.”- thotë një tjetër tregtar. Ata shtojnë se ndërtimi i një tregu në këtë zonë është domosdoshmëri, pasi në kushtet aktuale prodhimet prej të cilave ato sigurojnë jetesën e tyre do të kalben.