MENU
klinika

Turizmi patriotik

Pesha e vizitorëve nga Kosova në turizmin shqiptar

18.07.2018 - 14:13

Kosovarët vijojnë të zënë vendin e parë të vizitorëve që kalojnë kufirin shqiptar gjatë sezonit të verës për të pushuar në 316 km vijë bregdetare që Shqipëria disponon. Me plazhe që ngjasojnë me ato të Karaibeve por me çmime shumë më të përballueshme, duket se kjo është një nga arsyet që kosovarët e zgjedhin Shqipërinë si destinacion të pushimeve të tyre.

Mërgim Gashi, një pushues i rregullt i bregdetit shqiptar, citohet nga mediat kosovare, të thotë se çmimet mesatare të qëndrimit dhe shërbimeve janë arsyeja përse ai e viziton çdo vit Shqipërinë. Preferencën e kosovarëve për Shqipërinë e dëshmojnë edhe statistikat e sezonit që lamë pas. INSTAT bën me dije, në raportin e publikuar në fillim të këtij viti, se për 2017-ën në Shqipëri hynë 5.1 milionë turistë, ku shtetasit nga Kosova zënë 34% te totalit të pushuesve. Një shifër kjo që i pozicionon në vendin e parë edhe pse krahasimisht me dy vite më parë vërehet një rënië me gati 19% më pak.

Sipas INSTAT, në vitin 2017 në terma shifrorë, hynë 1.7 milionë shtetas nga Kosova, rreth 411 shtetas më pak sesa në 2016-ën. Me gjasë një protestë në heshtje ndaj abuzimeve me çmimet, standardeve të munguara të cilësisë, infrastrukturës së rënduar, apo edhe diskriminimit me lëvizjet e autobusëve. Një ndikim i pritshëm në numrin e turistëve që vijnë nga Kosova për këtë sezon mund të ketë edhe forcimi i lekut përballë një euro-je që ka arritur në vlera këmbimi të paprecedentë.

Përfaqsues të disa nga Agjencitë Turistike Kosovare që punojnë me tur operatorësh turistikë në Shqipëri citohen të kënë thënë për mediat vendase se deri më tani prenotimet janë me më pak kohë qëndrimi në bregdet, krahasimisht me një vit më parë. Megjithatë në reduktimin e numrit të turistëve nga Kosova që zgjedhin Shqipërinë do të ishte naïve të mos llogaritej edhe efekti i konkurrëncës.

Ulqini pas vitit 1999 nuk është më destinacioni kryesor, madje i vetëm i qytetarëve nga Kosova, pasi hapja me vendin e konsideruar amë, Shqipërinë, u ka krijuar qytetarëve nga Kosova të kenë edhe mundësi të tjera zgjedhje për pushime, duke nisur që nga Durrësi e deri në Sarandë. Megjithatë, në garë të mirëfilltë me plazhin e Ulqinit janë plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës. Të vendosur në pjesën jugperëndimore të Kosovës, këto zona turistike rezultojnë të tërheqin mesatarisht rreth 240 mijë turistë, numri më i madh i të cilëve është nga Kosova.

Por konkurrenca mes Velipojës, Shëngjinit dhe Ulqinit shtrihet edhe në infrastrukturë. Ulqini, qytet në jug të Malit të Zi, i populluar me shumicë shqiptare, ka avantazhe jo vetëm për traditën në hoteleri-turizëm, por edhe për numrin më të madh të zonave turistike. Me një rrjet jo fort të mirë furnizimi me ujë të pijshëm në zonat e Shëngjinit dhe Velipojës, pa harruar edhe problemet me furnizimin me energji elektrike, duket se Ulqini qëndron përpara edhe nga pikëpamja e shërbimeve publike. Diferëncën në fund e bëjnë çmimet.

Në Velipojë për pushime dhjetë ditore mund të gjesh dhoma plazhi me cmime mesatare që variojnë nga 250 euro deri në 300 euro. Vlera që në Ulqin janë sipas operatorëve turistikë lokalë nga 400 deri në 500 euro për një dhomë plazhi për të njëjtën periudhë kohore qëndrimi. Për të tilla çmime, Shqipërinë e vizituan verën e vitit të kaluar edhe shumë turistë nga Maqedonia, Greqia, Italia, Gjermania, Polonia, Anglia, Çekia, teksa vendi i shqiponjave ka qenë gjithë vitin në fokusin e mediave të huaja që shkruan për bukuritë natyrore dhe çmimet e përballueshme.