MENU
klinika

Konjuktura Euro-Atlantike

Rama, Merkel, Trump: I miri, i keqi dhe i shëmtuari…

17.07.2018 - 10:24

Të bërit sikur asnjë fjalë e mbushur me urrejtje nuk ishte nxjerrë nga goja e presidentit amerikan në adresë të Gjermanisë duket se i ka kushtuar kancelares Angela Merkel artikuj me nota kriticizmi nga mediat vendase. Pasi e cilësoi Gjermaninë si një vend të kontrolluar totalisht nga Rusia vetëm sepse Berlini zyrtar nuk po bën atë që Trump do të donte që aleati i kahhershëm i SHBA-ve në Europë të bënte, Merkel u ul në krah të Donald Tramp të mërkurën e 13 korrikut në orën 3:15 PM sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Për “Spiegel Online” gjesti i Merkel dëshmoi se fasada mund të mbajë akoma edhe pse marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në mes të konflikteve serioze.

Ata buzëqeshën, shtrënguan duart, e përshëndetën njëri-tjetrin me emër. Ata kanë një “marrëdhënie shumë të mirë,” të paktën siç e cilësoi vetë Trump. Në kohën kur të dy ishin ulur në kolltukun e tyre të bardhë, biseda nuk u fokusua për NATO-n, ca më pak për objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind që Shtëpia e Bardhë ka këmbëngulur nga anëtarët e aleancës “së brishtë”. Jo, biseda u fokusua rreth Ivankës. Trump i dërgoi kancelares gjermane përshëndetjet nga vajza e tij, e cila ishte shumë e impresionuar me znj.Merkel, duke dashur me gjasë ta komplimentonte. Në atë çast sikurse ironizonte “Spiegel Online”, gjithçka që kishte mbetur nga marrëdhënia transatlantike, ishin përshëndetjet nga Ivanka.

Një përshëndetje e përzemërt e cila u duk se nuk ia doli të fshihte perceptimin që Trump ka krijuar me deklaratat e tij. Tashmë duket se vendi, i cili qëndronte në vijën e frontit të Luftës së Ftohtë, tanimë është bërë Armiku nr. 1 për Donald Trump. Pavarësisht se gjermanët po shpenzojnë më shumë në mbrojtje sesa në të kaluarën, kjo nuk e ndalon presidentin amerikan të kërkojë rritje të kontributit ushtarak të Gjermanisë në gjirin e aleancës. Me një qendër të re të komandës logjistike të NATO-s në Ulm, vendosjen e Bundesëehr në Afganistan, si dhe pa harruar faktin se Berlini është furnizuesi i dytë më i madh i NATO-s, që ka vendosur së fundmi të rrisë buxhetin e ushtrisë në 1.5 përqind të PBB-së deri në vitin 2024, Gjermania e ka të pamundur të çojë në 2% te PBB-së shpenzimet ushtarake deri vitin e arhdhshëm.

“Ne e dimë se duhet të bëjmë më shumë,” theksoi kancelarja Merkel para mediave por pa shtuar detaje të tjera. “Do të duhet të flasim për masën në të cilën do të rrisim shpenzimet për pajisjet“, tha ajo, “dhe nga kjo dua të theksoj se shtimi do të jetë për pajisje dhe jo armë”. Nje deklaratë e vagulltë, pa premtime por as pa vënë vijën e kuqe që do të zmbrapste çdo pretendim amerikan. Pas Merkelit, folën britanikët, e ndjekur nga holandezët. Por Trump sërish kritikoi gjermanët. “Vetëm 1,2 për qind për mbrojtje”, pyeti ai? “Kjo është e pamundur!”.

Deri në atë çast të shkëmbimeve të mendimeve krejt të kundërta mes dy liderëve, ishte pothuajse në mesditë dhe ishte koha që vendet e vogla të NATO-s të kishin fjalën e tyre. Ato mbështëtën linjën e Merkelit. Por se kryeministri Rama u vlerësua nga presidenti amerikan për qëndrimin e mbajtur duke u përmendur nominalisht nga Trump në shenjë falenderimi. Gjatë pushimit, sikurse shkruan Spiegel, kryeministri shqiptar Edi Rama qëndroi pranë kancelares gjermane, duke mos dashur të krijonte përshtypjen se Shqipëria në njëfarë mënyre ishte bërë nxënëse model e Trump.

Së fundi, sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Stoltenberg, i vendosur për të shpëtuar samitin, u sugjeroi liderëve të vendeve anëtare të NATO-s të lënë takimin me mesazhin se pavarësisht nga dallimet, ata ishin angazhuar në NATO dhe në shpenzime më të larta të mbrojtjes. “Vitin tjetër, me rastin e përvjetorit të 70-të të themelimit të NATO-s, do të jetë e mundur të matet progresi që është bërë” – Me këtë formulim jo fort të kuptimtë pasi të gjithë janë të vetëdijshëm për ecurinë që do të ketë nisur nga niveli i shpenzimeve që janë caktuar, por sërish u duk se shprehja ndihmoi disi në frymën pozitive.

Pas takimit, Trump deklaroi publikisht se Gjermania ishte zotuar për një rritje të mëtejshme të shpenzimeve të mbrojtjes. Edhe pse ky lajm u konsiderua, nga burime pranë Merkel, si i pavërtetë. Pozicioni i kancelarit, u konfirmua si i njëjtë dhe i pandryshueshëm me atë që ajo ndau me shtypin – duke lënë të kuptojë se ideja që gjermanët po shfrytëzojnë padrejtësisht amerikanët është një fiksim që Trump ka mbajtur për dekada të tëra. Në intervistën e tij të famshme të vitit 1990 me “Playboy”, kur u pyetën Trump se çfarë do të bënte së pari nëse do të ishte president, ai u përgjigj: “Do të hidhja një taksë për çdo Mercedes-Benz në këtë vend dhe do të kemi aleatë të mrekullueshëm përsëri.” – mesa duket Donald mbetet një njeri me ide të qarta, të pandryshuara në rrjedhën e kohës.