MENU
klinika

Vendi më mikpritës

REFUGJATËT: Nga vijnë dhe ku shkojnë?

01.07.2018 - 17:02

Nëse kur imagjinoni një grup njerëzish që largohen nga një vend i shkatërruar, i shihni ata duke shkuar vetëm drejt një vendi të zhvilluar, mund të habiteni kur të mësoni se jeni shumë të gabuar në këtë përqasje.

Disa nga vendet më pak të zhvilluara në botë – Uganda, Sudani, Etiopia dhe Bangladeshi – ishin midis 10 vendeve që strehonin shumicën e refugjatëve vitin e kaluar, sipas një raporti të fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).

Nga një hulumtim mbi tendencat globale të migracionit u zbulua se Turqia, Pakistani, Uganda dhe Libani kryesonin listën e vendeve të synuara në fund të vitit 2017, pasuar nga Irani dhe Gjermania.

 

Turqia strehon shumicën e refugjatëve, dhe ka parë një rritje prej 21% të numrit të tyre në vitin 2017. Sirianët, irakenët, iranianët dhe afganët përbënin shumicën e të sapoardhurve të tyre.

Refugjatët e vendosur rishtas në Ugandë vinin kryesisht nga Sudani i Jugut dhe Republika Demokratike e Kongos. Ka pasur 1.4 milion prej tyre vitin e kaluar, një rritje prej 44% nga viti 2016; shumë prej tyre janë strehuar në Bidi Bidi, një kamp refugjatësh me përmasat e një qyteti.

Ndërkohë, numri i refugjatëve në Gjermani është rritur me 45% në vit, duke kapur një vlerë aktuale prej në 970,400 refugjatësh, shumica e të cilëve vijnë nga Siria.

Vitin e kaluar, numri i refugjatëve të regjistruar rishtas ishte 2.7 milion – dy herë më shumë se në vitin 2016 dhe afër numrit rekord të regjistruar në 2014.

Sudani i Jugut, me numrin më të lartë të refugjatëve

Më shumë se një milion refugjatë erdhën nga Sudani i Jugut, të shtyrë nga konflikti i armatosur, sëmundjet dhe kequshqyerja. Shumica e atyre njerëzve përfunduan në Sudan (V), Ugandë, Etiopi, Republikën Demokratike të Kongos dhe Kenia.

Sirianët përbënin grupin e dytë më të madh, me më shumë se 700,000 të saporegjistruar në Turqi, Egjipt, Liban, Greqi dhe Jordani. Grupi i tretë më i madh në botë i refugjatëve të rinj erdhi nga Myanmar, ku myslimanët Rohingya, të zhveshur nga shtetësia e tyre, u larguan prej dhunës në shtetin Rakhine, për të kërkuar siguri në Bangladesh.

Nëse do të matnim numrin e refugjatëve në një vend në raport me popullsinë e tij ekzistuese, Libani del si vendi me më shumë refugjatë për 1,000 banorë, e ndjekur nga Jordania, Turqia dhe Uganda.