MENU

Vetëvrasja e shkrimtarit

68 vjet më parë vetëvrasja e Cesare Pavese-s

27.08.2018 - 19:50

“I fal të gjithë dhe të gjithëve u kërkoj falje.

Në rregull?

Mos bëni shumë thashetheme”.

Më 27 gusht të 1950 Cesare Pavese vetëvritet në një dhomë hoteli në Torino. Dhe ky ishte shënimi që la para së t’i jepte fund jetës.

Shkrimtari i famshëm italian kish shkruar më parë se: “Askush nuk e vret vetën nga dashuria për një grua, por sepse dashuria, çdo dashuri, na zbulon në lakuriqësinë, mjerimin, dobësinë dhe asgjënë tonë.”
Më poshtë po sjellim një ndër porzitë e tij më të bukura.

CESARE PAVESE – PËR MUA, TI JE NJË KRIJESË E TRISHTË

4 shtator 1927

Përktheu Beti Njuma

Për mua, ti je një krijesë e trishtë,
një lule e brishtë poetike

që, po atë grimë q’e shijoj

dhe dehshëm shtie në ngasje,

ndiej të ikë larg

shumë larg,

për mjerimin e shpirtit tim,

mjerimin tim të trishtë.

Kur të rrok çmendurisht në gji

dhe buzët t’i thith,

gjatë, pareshtur,

jam i trishtë, vogëlushe

sepse ndiej zemrën time të dërrmuar

që kaq ligsht të dua.

Ti më jep gojën tënde

dhe bashkë rrekemi të shijojmë

dashurinë tonë që kurrë s’do jetë e lumtur

ngase shpirti ynë është sfilitur

nga ëndrrat e ëndrruara tanimë.

Por jam unë, jam unë burracaku

e ti qëndron kaq lart

sa, kur për ty mendoj,

s’më mbetet veç të tretem dashurie

për atë pakëz gëzim që më jep,

s’di, për tekë a mëshirë.

Bukuria jotë është një bukuri e trishtë

që kurrë s’do guxoja ta ëndërroja

por, siç më ke thënë, veç një ëndërr është.

Kur të them më t’ëmblat fjalë

e në gji të shtrëngoj

e ti për mua s’mendon,

ke të drejtë, vogëlushe:

jam i trishtë i trishtë dhe shumë burracak.

E pra, ti për mua

s’je tjetër veç një iluzion i brishtë.

me sy të mëdhenj të ëndërrt

që për një orë më mbështillet në gji

e më ngop të tërin

me gjëra të ëmbla, me keqardhje rrëmbushur.

Kësisoj më ndodh kur i sfilitur

tretem që në vargjet e ëmbla

të shtie brengën time të trishtë.

Një lule e brishtë poetike,

asgjë më tepër, dashuria ime.

Por ti s’e di, vogëlushe

dhe kurrë s’do ta mësosh ç’më bën të vuaj

Lule e vogël e verdheme

që kaq shumë ke hequr në jetë,

s’do resht së sodituri fytyrën që t’vajton

edhe kur buzëqesh

– oh ëmbëlsia e trishtë e fytyrës sate!

kurrë s’do ta mësosh, vogëlushe –

do vazhdoj të adhuroj pranë teje

gjymtyrët e tua të vogla të melodishme

që kanë ëmbëlsinë e pranverës

e që kaq sfilitëse dhe erëmuese janë

sa unë thuajse marrosem

kur mendoj se një tjetër do t’i dojë

duke i shtrënguar pas t’vetit trup.

Do vazhdoj të t’adhuroj

të t’puth e të vuaj,

gjersa një ditë të më thuash

se gjithçka duhet të marrë fund.

E atëherë ti s’do të jesh më e largët

dhe zemrën më s’do ta ndiej të dërrmuar,

por nga dhimbja do këlthas

e në ëndërr rishtaz do të puth

e në kraharor do t’pushtoj

iluzionin e humbur.

Dhe për ty do të shkruaj

për kujtimin tënd rraskapitës

një grusht vargjesh të dhimbshme

që ti më s’do t’i lexosh.

Por për mua mizore do të jenë

të gozhduara në zemër

përgjithmonë.