MENU
klinika

Jo filantropi e mirëfilltë

83% e ndërmarrjeve bëjnë bamirësi

31.08.2018 - 10:04

Një studim nga organizata jo fitimprurëse “Partnerët – Shqipëri” ka treguar se 83% e kompanive shqiptare angazhohen në aktivitet filantropik. Studimi u mbështet në anketimin e drejtpërdrejtë të një kampioni prej 130 ndërmarrjesh të sektorëve dhe përmasave të ndryshme dhe targetoi kryesisht ndërmarrjet me qarkullim vjetor të lartë, duke qenë se ato kanë potenciale më të mëdha për t’u angazhuar në aktivitet filantropik. Por, studimi thekson se aktiviteti i ndërmarrjeve ka më shumë karakteristika të bamirësisë, sesa të filantropisë së mirëfilltë. Nga pikëpamja e terminologjisë, bamirësia përkufizohet si një akt vullnetar dhurimi në para, të mira, apo kohë, në ndihmë të njerëzve në nevojë pa qëllime përfitimi. Ndërsa filantropia është angazhim vullnetar, strategjik, me qëllim plotësimin e nevojave njerëzore për një shoqëri më të drejtë dhe paqësore, pa përfitim në këmbim. Pra, filantropia është më shumë sesa dhurim për njerëzit në nevojë, ajo nënkupton një kontribut të mirëfilltë dhe strategjik për një shoqëri më të drejtë. Përtej kuptimit apo intepretimit të drejtë të filantropisë nga biznesi, studimi evidenton se prirja drejt dhurimit filantropik është më e lartë te bizneset më të mëdha. 86% e ndërmarrjeve me qarkullim vjetor mbi 100 milionë lekë kanë deklaruar se bëjnë dhurim filantropik.

Vullneti personal i CEO-s ose pronarit rezulton si arsyeja kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik nga 49% e ndërmarrjeve, e ndjekur nga mbështetja e grupeve shoqërore në nevojë, e zgjedhur si arsyeja kryesore nga 31% e ndërmarrjeve. Rezulton se shumica e ndërmarrjeve me kapital shqiptar kanë si arsye kryesore për kryerjen e aktivitetit filantropik vullnetin personal të pronarit, ndërkohë që ndërmarrjet me kapital të huaj theksojnë si arsye kryesore përputhjen e aktivitetit filantropik me strategjinë e biznesit. Ndërmarrjet me kapital shqiptar kryejnë kryesisht aktivitet filantropik duke dhënë ndihmë ekonomike për zbutjen e varfërisë, ndërsa ndërmarrjet me kapital të huaj kryejnë aktivitet filantropik kryesisht në fushën e arsimit dhe mjedisit.