MENU
klinika

Ndryshimet po ndodhin

A do të zhduken avokatët në epokën e automatizimit?

10.08.2018 - 12:00

Shprehja ‘Robotët po vijnë’ është duke u bërë motoja e epokës sonë. Dhe vjen me më shumë se thjesht një aluzion kërcënimi. Kemi vërejtur, sidomos vitin e fundit, që kjo shprehje është bërë titull në faqet e lajmeve ligjore kur raportojnë për teknologjinë në këtë industri.

Për këtë profesion – ku për mijëra vjet, besimi, zelli dhe ‘gjykimi i mirë’ kanë qenë parulla – ideja e Inteligjencës Artificiale që ‘zëvendëson’ avokatët vazhdon të jetë e diskutueshme. Nga shkolla e drejtësisë dhe gjatë gjithë karrierës mësohet se ajo çka të gjithë juristët e mirë përpiqen të bëhen është të jenë këshilltarë të besuar.

Marrëdhëniet më të qëndrueshme në profesionin ligjor janë ato në të cilat klienti ndien dhe beson se avokati do e mbrojë. Besimi fitohet me vështirësi dhe me kalimin e kohës. Por bota po përshpejton; globalizimi, përparimet teknologjike dhe Interneti i Gjërave tregojnë se ka presion të madh që ai të jetë më i shpejtë, më i zgjuar, më produktiv. Pra, nëse makinat do arrijnë të kryejnë procesin e të mësuarit, a do të zhduken avokatët?

Ndryshimet po ndodhin

Inteligjenca Artificiale që ne po shohim në treg tani dhe për të ardhmen e parashikueshme, midis 3-5 vjet, do të na mundësojë të ofrojmë shërbime më të mira ligjore, më të shpejta, më efikase dhe nganjëherë më të lira. Megjithatë kjo nuk e ndryshon rrënjësisht lojën.

Por ndryshimi po ndodh dhe thjesht një avokat i mirë nuk është më i mjaftueshëm. Le të jemi të qartë, kjo nuk është gjë e re. Industria e shërbimeve financiare po kalon nëpër sfida të ngjashme, por duhet të ketë një evolucion në ligj dhe rregullim, për të nxitur potencialin e vërtetë të teknologjisë në sektorin ligjor.

Në shqyrtimin e dokumenteve, 30 vjet më parë, një klient do të paguante miliona për të kontrolluar mijëra dokumente me dorë. Falë teknologjisë, shumica e asaj pune tani bëhet me makina. Shumë procese të tjera ligjore mund të automatizohen. IA dhe mjetet që ajo ‘sjell në jetë’ janë më shumë një mundësi sesa kërcënim: një shans për t’u përqendruar në punën e vlefshme për klientët; një shans për të pasur më shumë informacion për të fuqizuar avokatët për të marrë vendime më të mira dhe më të shpejta; një shans për t’u ofruar avokatëve të rinj më shumë sesa të shpenzojnë dy viteve të para të punës në një dhomë të dhënash.

Ky revolucion ndikon jo vetëm në mënyrën se si praktikojmë ligjin, por edhe në atë se si ligji zbatohet në sektorë plotësisht të rinj. Një shembull është përdorimi i dronëve. Makinat pa shofer janë një shembull tjetër. Kur ato përplasin dikë, kush duhet fajësuar? Kush do të paguajë? Ku janë detyrimet? Kjo është një zonë interesante për një avokat.

Sidoqoftë, e ardhmja është e ndritshme

Çështja themelore është besimi. Instinkti ynë njerëzor është të duam të flasim me një njeri. Nuk mendohet se kjo do të ndryshojë. Besimi është ajo që ne dëshirojmë, është ajo që na ndan nga makinat; ndjeshmëria, instinkti njerëzor, aftësia për të lexuar ngjyrimet emocionale, shtrënguar duart dhe për të ndërtuar marrëdhënie bashkëpunuese.

Siç shohim në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror, nëpërmjet përfshirjes sonë të gjatë, bota ka ndryshuar më shumë dhe më shpejt në pesë vitet e fundit sesa në 50 vitet e fundit.

Thënë thjesht, risia nuk ka të bëjë me “biznesin” e ligjit, por me “biznesin” e biznesit. Pra, si do ta mbajmë ritmin? Duke bërë biseda më të mira dhe duke krijuar një kuptim më të pasur të botës. Të dëgjojmë dhe të mësojmë, që të jemi më të mirëpajisur.

Investimet në teknologji duhet të bëhen njëkohësisht me investimet në talente. Sepse, të jemi të sinqertë, tregu do të nxjerrë jashtë loje ata që nuk përshtaten. Këta janë ata që duhet të kenë frikë nga makinat. Atyre do ua zënë rrugën robotët. Juristët vërtet të mençur e dinë se këto zhvillime nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin.

Për ata që mund të gjejnë mënyra për të përdorur Inteligjencën Artificiale për të shtuar, jo për të zëvendësuar, gjykimin dhe ndjeshmërinë, e ardhmja është vërtet shumë e ndritur.

Burimi: World Economic Forum