MENU
klinika

Destinacion turistik

A keni qenë në luginën e Kirit?

27.08.2018 - 16:59

Nëse mendoni se lumi i Shalës është bukuria e fundit natyrore që keni parë në Shkodër, gaboheni! Kush është dashamirës i natyrës e di se përpos Shalës, një tjetër luginë e një lumi ka nisur të shëndrrohet prej 3-4 vitesh në destinacion turistik. Lugina e lumit të Kirit spikat për pastërtinë, qetësinë dhe ajrin e freskët të maleve rrëzë të cilave vendoset fshati Prekal, pak kilometra larg qytetit të Shkodrës, në drejtim të fshatit të Dukagjinit.

Fundjavat mbipopullojnë këtë zonë që nga muaji Prill e deri në fund të Shtatorit, ku numri më i madh i pushuesve është nga Shkodra. Këta të fundit shijojnë vecanërisht zhytjet në kanionet e krijuara nga vete natyra, duke sfiduar temperaturat e larta të ditëve të verës. Kjo zonë, e cila pas viteve ‘90 u braktis nga banorët e saj për shkak se të gjithë u zhvendosen në Shkodër, u gjallërua rreth vitit 2010 atëherë kur qeveria vendosi asfaltimin e rrugës.

Përmirësimi i infrastrukturës solli dhe vizitorët e parë derisa sot mund të gjejmë në Prekal edhe brigje të vogla të krijuara si vendqëndrim buzë lumit për pushuesit. Në dy anët ketij lumit nga pjesa e rrugës dhe ajo përballë shtrihen shkëmbinj të cilët e shoqërojnë atë përgjatë gjithë rrjedhës së tij deri në thellësi të maleve.

Në rrjedhën e Kirit mund të kapësh troftën me dorë, ndërsa të shtrihesh mbi pllakat shkëmbore për të marrë rreze dielli. Prej thyerjve që pëson relievi mund të hidhesh si prej një trampoline duke u kredhur në thellësitë e ujërave të lumit, ndërsa ke mundësi të shijosh edhe ujëvarat, një spektakël i madhështisë së natyrës.

Për ato pak banorë, lugina e Kirit është një nder perlat e qarkut të Shkodrës, plot vlera shëndetësore e bukuri natyrore. Ata thonë se vizitoret janë shtuar në numër vitet e fundit, por investimet duhet të jenë më të mëdha, në mënyrë që kjo zonë te kthehet në një destinacion të rëndësishëm turistik:

Prekali është ringjallur në 3-4 vitet e fundit falë rinisë. Ishin të rinjte, që erdhën në këtë zonë të humbur dhe zhvilluan turizmin. Në pranverë dhe vereë, Prekali është plot, ka zhurmë dhe muzikë. Kur vjen vjeshta, gjithçka mbaron! Këtu nuk ka këmbë njeriu dhe jetesa është shumë e vështirë. Qendra shëndetësore nuk punon dhe ka probleme edhe me valët telefonike pavarësisht se jemi 30 minuta larg Shkodrës” – tregon një banor rezident i zonës.

Por jo çdo mungesë vjen për keq. Të rinjtë janë të lumtur që kur pushojnë në këtë zonë nuk kanë valë telefonike.

Këtu kënaqem ! Bëjme plazh, uji është supër ndërsa nuk ka as valë. Sa mirë ! Për një ditë qëndrojmë larg telefonave dhe larg rrjeteve sociale” shprehet një frekuentues i rregullt i kësaj pike turistike.

Duke qënë se është një zonë publike, për të shijuar Prekalin, nuk duhet të paguani asgjë, thjesht të merrni me vete pasionin, dëshirën dhe dashurinë për natyrën.

Përgatiti: K.Zh.