MENU

Terreni në Hungari

Arratiset Gruevski?

25.08.2018 - 12:03

“VMRO-DPMNE tanimë po përgatit terrenin për bojkotin e referendumit, për të arritur qëllimin që të bëj pazare me pushtetin kur në Kuvend do të vendoset për ndryshimet kushtetuese për emrin”, shkruan e përjavshmja “Fokus”.

Ndërkohë po kjo media ngre pyetjen nëse do të jetë çmimi shpëtimi i ish-kryeministrit Nikola Gruevski? Sipas të përjavshmes maqedonase Gruevski ka përgatitur terren në Hungari dhe kryeministri Viktor Orban i ka përgatitur strehim.

Gruevski konsiderohet si një mik i afërt i Orban. Por, edhe pse Gruevski kërkoi pasaportën pak muaj më parë për të udhëtuar drejt Hungarisë, gjykata nuk e lejoi.

Përveç dënimit me dy vjet për rastin “Tanku”, nëse Gruevski do të dënohet edhe për katër akuzat e tjera të ngritura nga Prokuroria Speciale, ai mund të dënohet me dënimin maksimal deri në 20 vjet burg.

Sipas Kodit penal, dënimet do të variojnë varësisht nga veprat penale, por më se shumti i kanoset burg në tri veprat në rastin “Titanik”. Gjykata e Apelit më 30 dhe 31 gusht do të mbajë një seancë në të cilën do të diskutojë për ankesën e ish-kryeministrit.