MENU
klinika

Nga Skënder Sherifi

CLAUDE LÉVY-STRAUS dhe vizita e munguar në Shqipëri


25.08.2018 - 18:32

Nga Skënder Sherifi/

Që nga viti 1976 e deri në vitin 1990 e kam pasur thuajse epiqendër Parisin.

Isha 21 vjeç, mbaja ditar dhe shkruaja poezi që nga mosha 14 vjeçare. Profesori i gjimnazit tim belg, i dërgon rreth dyqind tekste të miat një farë PIERRE SEGHERSIT, poet, mik i ELUARD-it dhe ARAGON-it, ish komunist i majtë por tip alla “sallone franceze” dhe i vaksinuar herët kundër hipnozave marksiste e bolshevike, përkundër shumë intelektualëve të tjerë, tepër dogmatik sikurse ishte Aragoni. Pierre Seghersi më fton përmes një letre të pranverës 1976, që ta takoj në Paris.

Ai ishte 72 vjeç, gruaja e tij Colette 70, jetonin në Parisi dhe kishin një Vilë fantastike në Provencë. Kalonin 6 muaj në kryeqytet dhe 6 muaj në jugun e Francës. Ishte mik i shumë figurave e personalitetëve të mëdha të Francës, mik i afërt i Jacques Chirac-ut, atë kohë kryetar i Bashkisë, mandej Ministër, Kryeministër dhe President i Republikës.

Në vjeshtën e vitit 1976 udhëtova drejt Parisit për të takuar Seghersin, dhe si përfundim mora ftesën për të qendruar në Paris në shtëpinë e tij, për sa kohë të dëshiroja. Kësisoj nisa një faqe gjeniale e të papërshkrueshme të jetës time parisiane, një eksperiencë 15 vjeçare gjatë së cilës takova shumë prej miqve të tij me përshtypjen që isha duke e kaluar çdoherë një “provim”.

Gjatë një prej atyre takimeve ne fund të viteve 70-të pata rastin të njoh Claude Lévy-Straus i cili më priti në shtëpinë e tij (Rue des Marronniers – Rruga e Gështenjave në Paris), një apartament i madh i mbushur rrafsh me libra, objekte antike të popujve primitivë, skulptura druri e metali dhe një mori pikturash, gati-gati një muzeum privat.

U takuam disa herë tek shtëpia e tij ose nëpër Kafet e Parisit ku i shpjegoja që ne si emigrantë shqiptarë të ardhur me valën
e parë në vitin 1956 në Belgjikë, përmes disa peripecive tragjikomike dhe llotove politike, ishim quajtur “Mërgata e Qyqeve” nga miqtë e regjimit komunist, dhe kemi qenë në realitet mjaft arkaikë në stilin tonë të jetës. Bile Babai im Shpend Sherifi, pos faktit që është një ndër personazhet qëndrorë të Romanit të Nasho Jorgaqit, mbante Oda burrash të stilit malësor në Bruksel ku mblidhte gjithë emigrantët ku ishin e ku s’ishin.

Nëna ime nuk kishte vend në Odë, veç shërbente kafet, mezet e rakinë dhe ikte në kuzhinë ku rrinin gratë. Kam qëndruar disa vite nëpër Oda duke shërbyer mes tyre edhe Muharrem Bajraktarin, Gjeneral Prek Përvizin, ish Ministrin Rexhep Krasniqin, Tahir Zajmin, Hysen Selmanin e plot figura të tjera.
Dhe në takimet me Claude LEVY-STRAUS, i shpjegoja veriun e Shqipërisë ndërsa ai merrte shënime.

U befasova kur në një prej atyre takimeve ai vetë më bën një propozim krejt miqësor i cili më përmalloi sepse m’u duk një nder i madh të cilin ndoshta nuk e meritoja. “Zoti Sherifi, njihemi tash disa kohë dhe kam mësuar prej jush gjëra që nuk i njihja, sidomos ritet e lashta shqiptare dhe kanunin e veriut. Më kanë interesuar në thelb, por nuk e njoh gjuhen shqipe dhe jam i huaj.

A djeni parimisht dakort me idenë që të shkojmë për një udhëtim zbulues e studiues së bashku në Shqipërinë e Veriut, për t’i takuar ata njerëz, për t’i parë ato rite e zakone, për të diskutuar me pleqtë të cilët e kanë ruajtur gojarisht traditen
e vendit”.

Antropologu i njohur interesohej për veriun e Shqipërisë. Besonte se me praninë time do kishte një komunikim të drejtpërdrejtë e të sinqertë me ata njerëz. U preka emocionalisht nga ai propozim, por s’mund ta pranoja. Fatkeqësisht nuk mundesha sepse risku për mua ishte tepër i madh dhe nuk gëzoja asnjë garanci me statusin që kisha, në Shqipërinë enveriste.

Duke parë zhgënjimin e tij i shpjegova se im atë kish qenë oficer i Mbretit Zog dhe kundërshtar i regjimit komunist. Kish qenë 5 vite në burg dhe pastaj në Kampin e Porto Palermos. Me t’u liruar nga Gulagu enverist në vitin 1951, vendosi të arratiset nëpër Bjeshkët e Veriut në zonën e Valbonës, deri në kufirin Jugosllav, pra praktikisht në Gjakovë. Babai ishte në listen e zezë të armiqve të Regjimit, si tradhtar dhe në Belgjikë kish fituar statusin e Refugjatit Politik të Kombeve të Bashkuara.

Do kisha dëshiruar ta shoqëroja atë gjigant të antropologjisë botërore në Shqipërinë veriore me ëndrrën për ta përjetuar me të atmosferën e Odave Malësore, të cilat edhe sot më mungojnë. Një udhëtim i munguar që më mbeti kurdoherë peng!

Flet “ikona” e lajmeve në RTSH

Si u pushtua televizioni pas vrasjes së Azemit!

Promovim i trashëgimisë kulturore të Elbasanit

Kolonia e piktorëve “Skampis 2024”

Kush është autori më i mirë i vitit

Panairi i Librit 2024 shpall fituesit