MENU
klinika

Mesazhi i fortë që Rocky Balboa i dha djalit

‘Derisa të besosh te vetja, nuk ke për të pasur një jetë’

25.08.2018 - 22:23

Ishte një moment në të cilin kinemaja veshi “dorezat e boksit”.

Dhe e bëri për shkak të filmit që pikërisht 42 vite më parë, në 21 nëntor 1976, doli në sallat e kinemasë dhe ndryshoi përgjithmonë historinë e Artit të Shtatë: Rocky.

U xhirua në 28 ditë me një buxhet me më pak se 1 milion dollarë, por u bë një sukses planetar dhe Sylvester Stallone, skenarist dhe aktori protagonist, u bë yll botëror gjatë një nate.

Në total Rocky mblodhi 225 milionë dollarë dhe i dha jetë pesë serive: Rocky II, Rocky III, Rocky IV, Rocky V, Rocky Balboa dhe një film tjetër “I lindur për të luftuar”, i realizuar në 2015.

Titulli i parë historik i filmit ka fituar tre çmime Oscar, midis të cilëve për filmin dhe regjisorin më të mirë.

Falë Rocky, Stallone u bë i treti në historinë e kinemasë, pas Charlie Chaplin dhe Orson ëelles, që mori nominimin e Oscar-it edhe si aktor dhe skenarist për të njëjtin film.

Në 1998 American Film Institute e futi filmin me regjisor John G. Avildsen, në klasifikimin e 100 filmave më të mirë amerikanë të të gjithë kohërave.

Në 2006 u zgjodh gjithashtu për t’u ruajtur në National Film Registry të Bibliotekës së Kongresit.

Por, në mendjen e shumë shikuesve ka mbetur patjetër edhe një pasazh nga filmi legjendar; mesazhi që Rocky Balboa i tha të birit në filmin “Rocky V – Moscow is now Pro-Rocky”.

Kujtojmë këtu që, në realitet, vitin 2012, djali i Sylvester Stallone, Sage, i cili ka luajtur në një tjetër film të sagës Rocky (Rocky IV), u gjet i vdekur në apartamentin e tij në Los Angeles, nga një mbidozë ilaçesh, si shkak i depresionit.

Sage Moonblood Stallone ishte djali i madh i Sylvester Stallone dhe luajti bashkë me babanë e tij në dy filma, “Rocky IV” dhe “Daylight”.

Ai ishte djali i madh i dy fëmijëve që Stallone pati me gruan e parë Sasha Czack.

Stallone u nda nga nëna e Sage, Czack në vitin 1985 pas 11 vitesh bashkë.

Ata kanë edhe një djalë tjetër Seargeoh, 36 vjeç tashmë, i cili është autik.

Më pas Stallone u lidh me aktoren dhe modelen Brigitte Nielsen, po në vitin 1985, në Beverly Hills, por u ndanë dy vite më vonë në një divorc të shumëpërfolur.

Në vitin 1997 aktori u martua me Jennifer Flavin, dhe pas një marrëdhënieje të tensionuar ata patën tre vajza Sophia Rose, 19, Sistine Rose, 18, dhe Scarlet Rose, 14.

Sage, tashmë i ndjerë, i cili u rrit nga nëna e tij, pas ndarjes së prindërve, kishte krijuar një distancë me të atin.

Kur luajti me të atin në filmin “Rocky IV”, në skenar kishte edhe një pjesë që kishte lidhje me jetën e tij personale.

“Kur i bërtita në film me fjalët:

“Ti kurrë nuk kalove kohë me mua!

Ti kurrë nuk kalove kohë me nënën time!”, kjo ishte ajo që unë vërtetë mendoja për të”, pati deklaruar Sage për revistën “People” në vitin 1996.

Në vijim, do të mund të lexoni mesazhin brilant që Silvester i dha djalit si personazh në filmin “Rocky V”, që në fakt duhet t’ia kishte dhënë edhe birit të tij në jetën e vërtetë, si edhe 10 kuriozitete për “Rokin” – Silvester Stalone…

“Nuk do ta besosh këtë gjë, por ti ishe sa pëllëmba ime dikur.

Unë të ngrija dhe i thoja mamasë tënde:

“Ky djalë do të bëhet djali më i mbarë në botë.

Ky djalë do të bëhet dikush, më i mirë se çdo person tjetër”.

Pastaj ti u rrite si një djalë i mbarë.

Ishte shumë bukur të të shihnim të rriteshe.

Çdo ditë ishte si një privilegj, derisa erdhi koha që ti u rrite dhe duhet t’ia dilje vetë mbanë në jetë, gjë që e bëre, por diku gjatë rrugës, ti ndryshove.

Ndalove së qenuri vetvetja.

Ti fillove të lejosh të tjerët të të drejtojnë gishtin e të të thonë se ti nuk je i mirë dhe kur gjërat u vështirësuan, ti ia hodhe fajin dikujt tjetër e jo vetes.

Dua të të them diçka që ti e di tashmë.

Bota nuk është një fushë e bukur me lule.

Është e mbushur me sfida dhe nuk do t’ia dija aspak se sa i fortë je.

Do të të godasë fuqishëm, do të të rrëzojë në gjunjë dhe do të të lërë në atë pozicion, derisa ti ta lejosh.

As unë, as ti, askush tjetër nuk mund të të godasë aq shumë sa jeta.

Nuk ka shumë rëndësi se sa fort i godet të tjerët, por se sa fort të godasin ty dhe ti sërish ecën përpara.

Kështu përcaktohet fitorja!

Ndaj, nëse e di se sa vlen, kërko gjërat që meriton në jetë.

Por ti duhet të përpiqesh gjithmonë të triumfosh, jo të drejtosh gishtin drejt të tjerëve dhe të thuash se nuk ia dole dot, për shkak të atij, apo asaj, apo kujtdo.

Frikacakët e bëjnë këtë gjë dhe ti nuk je frikacak.

Ti je më i mirë se aq.

Unë do të të dua gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje që ndodh.

Ti je djali im dhe ke gjakun im.

Ti je gjëja më e mirë e jetës sime.

Por deri në momentin që ti të nisësh të besosh tek vetja, nuk ke për të pasur një jetë”