Larg nga ujërat e lumit Drino! Ky është apeli që jepet nga specialistët e Drejtorisë së Shendetit Publik në Gjirokastëer. Sipas tyre, analizat e kryera në disa pika të ndryshme kanë rezultuar dhe vërtetuar se lumi Drino ka ndotje të lartë dhe kjo jo vetëm si pasojë e hedhjes pa kriter të mbeturinave, por dhe derdhjes së ujrave të zeza në rrjedhën e tij.
Ndotja nis që në territorin e Bashkise Dropull, për të vijuar në Gjirokastër e deri ne pikën ku lumi Drino bashkohet me Vjosën. Sakaq një tjetër problem shqetësues është dhe hedhja e kimikateve nga disa subjekte private, që operojnë në mënyrë të shkujdesur në zonë. Subjekte, të cilat janë paralajmëruar për respektimin te rregullave në bazë të ligjit për mbrotjen e mjedisit.
Janë të shumtë qytetarët që zgjedhin te frekuentojnë gjatë stinës së verës lumi Drino. Janë kryesisht adoleshentët të cilët në pamundësi për të shkuar drejt Sarandës apo pishinave i drejtohen pikërisht rrjedhës së këtij lumi për të kaluar orët e pikut të vapës. Ndaj shqetësimi për ndotjen e lumit nuk lidhet vetëm me ndotjen e mjedisit, por edhe me rrezikun që mund t’u kanoset atyre që lahen në ujërat e tij. Për Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik ekziston rreziku potencial për infeksione të ndryshme të cilat mund të përhapen në lëkurë.