MENU
klinika

Llogore të gërmëzuara

Gjeneralët e lënguar të një ushtrie në parakalim

09.08.2018 - 12:22

Nga Eugent Kllapi/

Është bërë traditë tashmë që në panairet e librit të bëhen promovime gjithfarëshe mbi të rejat kulturore. Siç trumpetohet preferohen, si autorët klasikë, dhe botime të reja apo ribotime, por klasikët janë gjithmonë për t’u preferuar nga njerëzit. Kritika kulturore hesht ose nuk bën zë.

Gazetarët kulturore vërshojnë, intervistat rrjedhin njëra pas tjetrës, zhurma njerëzish të veshur bukur të profesioneve të ndryshme, parfume femrash në veshje gjithfareshe, ansambël shoqërie të gëzuar që shqyejnë sytë nga një stendë te tjera, takime të njohurish me një libër nën sqetull, buzeqeshje, shumë dashuri për njeriun dhe librin.

Nga një anë vërshime pafre njerëzish synojnë të kapin librin e dëshiruar në evente kombëtare si panairet. Një ansambël dashamirësie shikimesh dhe ndalesash në çdo stendë. Nga ana tjetër krijohet ose dëshirohet të krijohet një instrument matës i vlerësimit të stendave botuese, autorëve, sasisë dhe cilësisë së kulturës.

Një kritikë e kudondodhur në ambientet e studiuesve shton lumin e ideve se libri është në krizë, revolucioni ka ndodhur tashmë, jemi në epokën e teknologjisë.

Si ushtarë të një brigade të nxjerrë për pushkatim, libra të vjetër nxirren anës rrugës për t’u shitur. Në fakt shumica e tyre si autorë janë gjeneralë të përjetshëm. Gjen gjithë autorët klasikë aty, nga autorët rusë deri te ata amerikanë, nga shkencat shoqërore, deri te botimet etnologjike, nga libra letrarë rrëfenjash, deri tek botimet e Ismail Kadaresë, botime serioze shkencore, nga analizat periferike e deri tek gjigandë si Karl Marksi, Adam Smith, Kesinger, Platoni, Aristoteli etj etj.

Mund t’i gjesh te ura e Lanës në afërsi të Bllokut midis Shallvareve, bar-restorant Taivanit dhe Ambasadës Zvicerane në Tiranë. Një kënd i dytë synon te afërsia e selisë së Partisë Demokratike, kurse një vend i tretë i shitjes së librave të përdorur ndodhen mbrapa lulishtes së bar-restorant Taivanit dhe në afërsi të kishës Ortodokse. shtojca të tjera vendesh ku shiten libra të vjetër ka edhe në vende të tjera, ka dhe dyqane me libra të vjetër tek rruga ‘’Qemal Stafa’’.

Në këtë rrugë ‘’Qemal Stafa’’, zoti Shahini është më i njohuri dhe ka librat e vjetër më të mirë në një dyqan të vogël.

Ferit Shahini është një nga këta librashitësit e admiruar që nuk lodhet duke të folur e të ndihmuar për zgjedhjet dhe shijet e librave. Mbretëria e tij është ky dyqan i vogël i tejmbushur me libra të vjetër që të duket sikur do derdhet.

Ka libra gjithfarësh ku s’ke ku të hedhësh një gjysmë njeriu brenda, por ai mbijeton bukur në këtë rrëmujë të organizuar. Brenda është gjithë bota njerëzore e letrave. Gjithë bota është në dorën Feritit që e sistemon kur ka kohë pas një konjaku dhe kafeje që e pi çdo mëngjes në shoqërimin e duhanit. Një konjak dhe ushtria e gjeneralëve vihet në parakalimin e syve të Feritit.

I shkathët për punën dhe me një horizont të thellë për dijet ai të orienton për gjithçka. Shtati shkurtër e ndihmon për rrëmujën, ndihet i papërtuar. Vendi duket si i shkatërruar dhe i kthyer përmbys, për të nuk ka kokolepsje, ai njeh dhe fijet e letrës së çdo vepre në këndin e tij të pacaktuar ku është vendosur për momentin. Shumicën e librave ai e ka sistemuar në vendin që meriton në biblotekën e çdo cepi të murreve sipas disiplinave shkencore.

Të tjerët presin radhën si ushtarët para drekës në mensë. Njerëzit e njohur i kanë ngjitur nofkën ‘’çifuti’’. ‘’Çifuti’’ i vogël ka në dorë gjithë gjeneralët e mëdhenj. Për të bota u prish ia mori mendjen celulari. Në mos celulari, Instagrami, Facebooku. Për të kush nuk lexon libra është një kufomë e gjallë.


‘’Libri shitet më shumë me porosi, ata janë të interesuar për të blerë më shumë libra. Më shumë janë të interesuara moshat e mesme dhe profesionalët që tërheqin libra për punën e tyre, si dhe për kënaqësi. Autorët klasikë janë më të preferuar.

Ndër klientët nuk mungojnë studentët po dhe profesorët që vijnë të orientuar nga shoku-shoku. Libri është në krizë, nuk lexojnë më brezi i ri. Këta janë klientët e mirë që nuk të lënë pa shitje. Ka dhe të tjerë të moshave të ndryshme, por shumica janë moshë e mesme e sipër. Kam filluar të lexoj që kur kam qenë kalama, më pas libri u bë gjithçka për jetën time’’ shprehet ai duke rregulluar një libër me vinovil të hedhur në një mjet e tij për rregullimin e librave.

Gazmend Kotoni është një tjetër librashitës i librave të vjetër mbrapa bar-restorant Taivanit dhe kishës Ortodokse në Tiranë. Më i prerë dhe më strikt, i sertë po sytë e tradhëtojnë në butësinë e tij të fshehur pas syzeve të diellit. Ai rreshton librat e tij të disa kategorive.

‘’Më e rëndësishëm se libri është kjo këtu…’’ shprehet ai për të dhënat e shtëpisë botuese dhe redaktorin që kanë librat në faqen e pare që i japin shitje librave të tij. ‘’Ikni përjashta, ikni emigroni, s’keni ç’e doni librin, libri është i vdekur, ju nuk lexoni libra, më shumë libra lexohet në Greqi’’ këtë shpreh Gazi, kështu e quajnë ndryshe shkurt. Me një lloj prepotencë të fshehur, po dhe me një mënyrë që më shumë se të largon të afron. Ka një qëndrim arrogant, por me dhembshuri brenda.

Me një veshje të thjeshtë dhe me dëshirën për librat e tij ai të parafrazon hyrjen dhe histori të ndryshme rreth librave të vjetër. Gazi ka orientim të mirë për dijet në libra dhe kjo i hyn në punë për shitjen, por në përgjithesi siç thotë ai të rinjtë nuk duan libra. Teknologjia e vrau librin shprehet ai.

Në një kënd ka libra akoma më të vjetër se të tjerët të mbuluar me qese që janë pak të kripur në çmime. Megjithatë këta lloj librash janë më të interesuar për të huajt. Librat anglisht dhe rusisht janë me çmime më të lira që variojnë nga 5 mijë lekë të vjetra tek 8 mijë lekë të vjetra. Në përgjithësi librat e vjetër aty janë me çmime të arsyeshme, por shitjet janë të paarsyeshme.

shpetim nazarko

Ashtu si ushtarët në parakalim këmbësorët parakalojnë në hundën e librave të vjetër indiferentë në urën e Lanës që të shpie tek Blloku. Pa sy të gëzuar, vrapthi nga një cep i urës në tjerën. Ky vargan i gjatë librash ndodhet në urën e Lanës midis Ambasadës Zvicerane dhe bar-restorant Taivanit, është në një vend më strategjik për këmbësorët.

Librashitësi aty thotë se librat janë të arsyeshëm në çmim. Me një tis që kris mendimin pozitiv në sy dhe me një heshtje paksa të shprehet se libri shitet për të shprehur domosdoshmërisht pozitivitetin ndaj punës së tij. Blejnë të rinj e të vjetër thotë ai. Ai është i kënaqur me shitjet e tij, por çuditërisht gjithë klasikët ngelen të pashitur, shumë libra teknikë dhe të tjerë letrarë presin.

Në një moment, si për të hedhur në Lanë fjalët e librashitësit, një çun i ri i drejtohet një vajze që po shikon librat duke i thënë se si ka mundësi që edhe ajo po shikon libra. Të dy të qeshur ndahen më shpejt se u takuan por të bën përshtypje sjellja e të riut, sikur libri është armik i tyre i përbashkët.

Një masë tjetër njerëzish nuk i njohin fare këta gjeneralë, nuk duan t’ia dinë dhe nuk mund t’ia dinë për disa gjeneralë të kaluar kohe nën ritmin e celularit që i fton për mesazh. S’kanë pse t’ia dinë për një masë emrash që nuk ua ka kultivuar kush. Iu duket si paraqende urbane forma të tilla reklamimi dhe shtojca letrash që duhen hedhur në Lanë.

Një pjesë tjetër vjedhin shikimin për nga librat, reshtojnë në sytë e tyre disa autorëve gjeneralë legjendarë që po u vyshket kapaku, në mos u është grisur, është taksa që duhet të paguajnë për indiferencë gjeneralesh.

Këtu tregëton ndonjëherë dhe Feriti. Ngjitur me librashitësin tjetër edhe ai vjen mbasdite nga dyqani dhe pozicionohet në krahun tjetër të lirë të urës. Zë për veshi ndonjë si Mark Tuein, apo Dostojevski, Balzak. Ai bën sikur lexon t’u kthejë vëmendjen një farë njerëzie që nuk pyet për gjeneralët e tyre e jo më për librashitësin.

Ankohet gjithmonë se librat e tij nuk i do më tashmë shumëkush për t’i luftuar me sy e mendje. Biçikleta e verdhë, tip femrash, është një ndihmesë e madhe për të. Për fat të mirë nuk ka policë bashkie që t’i sekuestrojnë librat ashtu si domatet në tregje të pashpallura. Dikur ka hequr probleme se i bllokuan dyqanin e librave të vjetër.

Në një vape gushti Feriti duket si në dorë të Zotit. Nga ana tjetër gjeneralët janë në dorë të ‘’çifutit’’ të vogël, Feritit. Duket sikur gjeneralët ngelen në dorë të Zotit, I cili lëshon aromë Lane.

Por çfarë janë këta gjeneralë librash? Këta janë gjithë dijet që bota ka, gjithë kultura njerëzore, gjithë dituria mbarë. Gjithë bota njerëzore e parfumosur me aromë bordure Lane. Po pse vallë nuk i do njeri këto dije?! Pse rrinë llogore-llogore duke parë kalimtarët indiferentë?

Çfarë dreqin me të bir kanë shqiptarët me dijet që i injorojnë kaq tepër? Nga ana tjetër rrobat e vjetra të gabit i duan, i blejnë, kënaqen, mburren për çmimet e tyre, po librat e vjetër jo. Edhe kur shikojnë, shikojnë vjedhurazi si në faj. Nga ana tjetër pse panairi ka njerëz të gëzuar dhe rruga me libra të vjetër njerëz të trishtuar?!

Ismail Kadare ka qenë dhe është një nga autorët më në zë, jo vetëm me vlera kombëtare po dhe ndërkombëtare që nderon Shqipërinë. Është nga autorët më të lakmuar, gjeneral i ushtrisë së tij të librave.

 Kolana e Ismail Kadaresë prej 20 librash me vlerë deri në 140 mijë lekë të vjetra është aty dhe pret artdashësin e radhës që po mungon të gëzohet si në panair. E duan apo nuk e duan gjeneralin, kjo është çështja?

Gjeneralët e një ushtrie të vjetër klasike shikojnë, presin, rreshtohen, pluhurosen dhe nuk denjon t’í blejë njeri. Janë mërzitur duke qëndruar si në kamp përqëndrimi ku nuk ka asnjë admirues për ta përveçse aromë Lane, por jo aromë gruaje.

Hidhen nga betonishtja në betonishte për një gëzim njerëzor. Qoftë t’u hapë kapakun, qoftë t’u hedh një përshëndetje me shikim, qoftë të bëjë marrëveshje me çmimin, qoftë t’í përshëndesë, qoftë t’u buzëqeshë.

A jemi shoqëri që lexojmë ne, apo atëherë kur na detyrojmë të lexojmë bëjmë sikur jemi të ditur panairesh?! I duam librat, apo jo ne, kjo është çështja?

Indiferenca vret më shumë se plumbi dhe vjen për një sërë faktorësh të paplotësuar në vetveten tonë. Gjeneralët japin dije, instrument që plotëson veten dhe heq frikën, por njeriu në kompleksitetin e vet nuk do që frika t’i ikë, ai do më shumë injorancën sesa të futet në vështirësinë e dijes.

Mbase kjo vjen nga frika e mosplotësimit, mbase koha nuk ngel gjithmonë për të marrë dije, mbase ne jemi shoqëri që më shumë mburremi sikur dimë, sesa duam të diturohemi me një karton në dorë. Mbase duam të parakalojmë dhe të ngelemi gjithmonë ushtarë.