Menu

Dritëhijet e mikut të Erdoganit, themeluesit të Air Albania-s

Ja kush janë armiqtë e Vlorës.. Ja biznesi që fshihet pas sulmeve që na vijnë nga PD…

27.08.2018

Nga Mentor Nazarko/ 

Dritëhijet e një ndërmarrësi, presidenti futbolli, mik i Presidentit Erdogan dhe kryeministrit Rama, çam dhe lab, themeluesit të Air Albania-s. Librat, pasionet, miqtë, roli i Turqisë, pikëpamjet për të majtën dhe të djathtën…

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Mentor Nazarko : I ftuari në këtë bisedë jo të zakonshme, është presidenti i Flamurtarit Sinan Idrizi, por njëkohësisht një nga iniciatorët e kompanisë Air Albania. Kjo bisedë është e pazakontë sepse i ftuari është një ndërmarrës, një njeri i sportit, por do të zbulojmë që është edhe më shumë se sa kaq…

Arsyeja se pse kam vendosur të zhvilloj këtë bisedë është sepse iniciativa për themelimin e kompanisë.

Air Albania është një iniciativë që nuk është thjesht një iniciativë biznesi. Është një iniciativë që ka implikime jo thjesht ekonomike, por edhe gjeopolitike. Është një iniciativë kulturore. Është një inciativë shumë planëshe që unë bashkë me ndjekësit e Konicës, duam të kuptojmë më shumë.

Zoti Sinan Idrizi të falënderoj që pranove këtë ftesë për të biseduar me mua. Unë thashë diçka në lidhje me iniciativën tuaj për kompaninë Air Albania, diçka që niset nga dijenitë e mia të kufizuara që lidhen me sektorin.

Çfarë përfaqëson sipas jush themelimi i kompanisë Air Albania, për sektorin e fluturimeve në Shqipëri?

Sinan Idrizi: Përfaqëson atë që ne e quajmë vija e demarkacionit në historinë e fluturimeve shqiptare. Do të thotë ndërtimi i një marke. Ne kemi problemin e ndërtimit të markës si koncept. Kapitalizmi çdo gjë e fillon dhe e mbaron tek marka, si koncept. Dhe ne pikërisht donim ta ndërtonim markën. Kur kam ardhur për herë të parë për rikthimin e investimit në Shqipëri drejt markës së aviacionit, kemi menduar të hyjmë me Atlas Shtet dhe me Atlas Global si dy kompani që unë përfaqësoja në Shqipëri.

Kemi pesë vjet që financojmë në emër të kompanive të aviacionit nga Turqia Atlas… dhe Atlas Global ekipin e Flamurtarit. Ne kemi ardhur me idenë që të ndërtojmë një hap të Shqipërisë në Europën Juglindore, kjo ka qenë ideja e konceptit tonë të parë. Me kalimin e kohës është konceptuar i detajuar një bashkëpunim me Turkish Airlines ku vendosëm të ndërtojmë një staturë më të madhe panshqiptare.

Mentor Nazarko: A është interesante nga pikëpamja e biznesit, a është fitimprurëse, a është fizibël, a është e kryeshme? Marka identifikohet si diçka e suksesshme, si diçka që mund të bëhet potencialisht e suksesshme- a mund të bëhet e tillë botërisht, në qiejt e botës, një markë që ka brenda fjalën Albania, me kohërat e turbullta që jetojmë, me terrorizmin ajror?

Sinan Idrizi: Jam i sigurt që mund të jetë një markë e suksesshme sepse mund të jetë ndryshe. Nuk duhet të kompleksohemi se është Air Albania dhe nuk kemi sukses në aviacion civil, pra nuk kemi histori të tjera suskesi. Ne do të kemi sepse nuk jemi komb shtegëtarësh, nomadësh, por shqiptarët në përgjithësi e kanë shumë përzemër fluturimin dhe udhëtimin, më shumë se sa duhet. Ne thjesht duhet të ndërtojmë markën që në mënyrë dinjitoze u krijon standardet shqiptarëve të udhëtojnë dhe të përfaqësojnë vendin e tyre. Kur themi Air Albania sfidën e parë unë e kam patur tek cilësia e kompanisë së re që do hedh.

Mentor Nazarko: Cili është vëllimi i biznesit të fluturimeve në Shqipëri në kuptimin e fluturimeve, drejt apo nga Shqipëria, për të kuptuar që ky lojtar i ri, kjo fluturake e re ku hyn, ku zhytet ,në çfarë realiteti ekonomik
dhe biznesor?

Sinan Idrizi : Tregu shqiptar i fluturimeve është më tepër se kaotik sepse është treg për fat të keq i lidhur me kapriçot politike. Nëse ju doni një shifër, një shifër e përgjithshme del nëse shumëzojmë numrin e pasagjerëve me mesataren e artë të biletave që do dalë një shifër diçka tek 500 milionë euro. Por problem më i keq në Shqipëri janë kapriçot politike që nuk janë të aftë në sektorin tenciar të ekonomisë shqiptare të mbështesin sektorin e fluturimeve. Po ta vëreni në Shqipëri sektori i fluturimeve herë pas here është idallgëzuar në bazë të kapriços së politikanit. Kjo është gjëja më e keqe në Shqipëri. Jo vetëm të qeverive. Ka interesa të llojti të sponsorizimeve, nuk po flas për asnjë lloj komploti. Por ka sponsorizime të tipit të tillë, që në mënyrë të drejtpërdrejtë duan të pengojnë zhvillimet alternative të sektorit ajror shqiptar.

Mentor Nazarko: Kush janë aktorët apo shtetet që kontrollojnë aktualisht këtë sektor?

Sinan Idrizi : Në shqipëri ka një situatë të qartë oligopoli. Do të thotë që aeroporti Rinas sot është në dorë të katër ose pesë kompanive.

Mentor Nazarko: Janë globale?

Sinan Idrizi: Në shqipëri nuk ka kompani globale, është vetëm Turkish Airlines, përjashto një kompani shqiptare të dy zotërinjve shqiptarë që realisht janë në këtë treg, pjesa tjetër kanë falimentuar, kanë pasur suport politik të drejtpërdrejtë të liderve të atëhershëm të pozitës dhe të opozitës edhe tani kanë panikun e radhës.

Mentor Nazarko: Kanë subjekte që operojnë aktualisht?

Sinan Idrizi: Patjetër, ky treg në Shqipëri është një treg shumë i vështirë. A ju kujtohet Albania Airlines, ku është tashmë? Ku janë këta që sulmojnë Air Albania përditë?

Mentor Nazarko: Albania Airlines ishte një kompani e përbashkët publiko private e shtetit me dikë tjetër.

Sinan Idrizi: Po ç’ndodhi me këtë kompani? A e dini që aktorët kryesorë të kësaj kompanie (këta që na anatemojnë ne përditë), të mbështetur me të gjitha mënyrat nga kasta politike e asaj kohe, janë të kërkuar nga interpoli për pastrim parash të Hosni Mubarak? Është një rrjet i gjatë zinxhir. A e dini ç’ka ndodhur me kompaninë tjetër që ka falimentuar gjatë kësaj kohe?

Mentor Nazarko: Pse ka ndodhur kjo, sipas jush ka ndonjë shkak të përbashkët për të gjitha këto zhvillime negative në sektor?

Sinan Idrizi : Është papërgjegjëshmëri e atyre që e shikojnë Shqiperinë si një trashëgimi të baballarëve të tyre. Mentaliteti i tyre vdekje fashizmi, liri popullit, që thjesht duan të të sekuestrojnë ty, i atyre që duan të të
dekurajojnë ty në investimin tënd,i atyre që të ofendojnë ty në investimin tënd. Shqipëria në këtë fushë është një vend problematik.

Mentor Nazarko: Nunët e Air Albania janë politikanë të fuqishëm janë, Edi Rama me Erdoganin kështu që mund të thuhet: ju nuk keni arsye pse të ndiheni në panik- apo jo?

Sinan Idrizi: Jo nuk është çështje paniku. Erdogan dhe Rama nuk janë nunët e Air Albania.Kemi një suport në anën teknike të çështjes, por është deri këtu. Kur thua nun ky koncept- ngjan se është pak më i gjerë. Në rastin konkret kemi vetëm një suport teknik -në të kundërtën e atyre që kishin suport financiar të kompanive të falimentuara deri dje.

Mentor Nazarko: Pra kjo kompani Turkish AirLines merr pjesë me suport teknik, trajnimesh, logjistike, emri, avionësh?

Sinan Idrizi:Dhe ne mbi investimet. Ne kemi pjesën tonë të përkrahjes financiare të kompanisë, të detyrimeve financiare dhe detyrimeve të tjera që rrjedhin ndaj palëve të para,të dyta apo të treta.

Mentor Nazarko: Qytetarët duan ta dinë: a do të sjellë ndryshime pozitive hyrja në treg e një operatori si ky që ka markën të lidhur me Albanian (Shqipëri) ? A do sjellë ulje të çmimit dhe cilët janë favoret?

Sinan Idrizi: ideja është që për të folur për anatominë e biletës- duhet të jemi të qartë tek ato elementë përbërës që përcaktojnë çmimin e biletës. Kompania do të vetëfurnizohet me vajgur, Shqipëria sot që flasim është tregu më i shtrenjtë i shitjes së lëndës së parë djegëse për europianët.

Mentor Nazarko: Dhe ky element përbëres i çmimit përcakton …

Sinan Idrizi: Është një nga faktorët që përcakton in e lartë. Për krahasim nëse sot flasim me metriktone jetfyl (jet fuel) A dhe A1 është 700 deri ne 750 dollare, ndërsa metriktoni në Tiranë është 1000-1300, pra vëreni ndryshimin. Kur dihet që lënda e parë djegëse tek anatomia e çmimit të biletës dhe e kostos të një aeroplani përbën nga 23-33 apo 35% . E dyta janë shërbimet aeroportuale që ofron aeroporti i Rinasit me çmime të larta. Nëse do krahasohemi me dy aeroporte njëri i Neë Yorkut JFK dhe tjetri i Dallasit të Ëashingtonit, do të shikoni se aeroporti i Rinasit është 60% më i shtrenjtë nga këta.

Mentor Nazarko: Ndikimin në çmim të shërbimeve aeroportuale nuk keni mundësi ta ndikoni apo jo- pra nuk keni mundësi t’i ulni kostot e tyre?

Sinan Idrizi:Ne kërkojmë mirëkuptimin e gjithë te tjerëve të gjithë këtyre që na anatemojnë, Air Albanian pa filluar ende, pra që na kërkojnë të mbajmë përgjegjësi për këto kontrata që kanë me këto kompani. Ne thjesht do të përpiqemi të minimizojmë këtë, por të gjithë së bashku duhet t’ja dalim dhe duhet të detyrojmë që këta që tallen me paratë e shqiptarëve t’i detyrojmë që të kalojnë në tarifa të pranueshme për gjithë të tjerët.

Mentor Nazarko: Kur flisni për karburante, ju thoni se do vetëfurnizoheni dhe do ulni kostot. A nuk është kjo një gjë që ju shkon në mendje dhe këtyre kompanive të tjera që janë operatorë të huaj që të vetëfurnizohen në tregjet e vendeve nga vijnë, edhe kësisoj të ulin çmimet?

Sinan Idrizi: Aeroporti i Rinasit ka një konsum 16 mijë tonë, është qesharake! Ka konsum sa një aeroplan në vit!! Kompanitë e mëdha e kanë abandonuar Rinasin me furnizimin e tyre. Ne do të përpiqemi që me vetëfurnizimin tonë të ulim në maksimum koston e biletës. Kjo është një nga veprimet e para tonat.

Mentor Nazarko: Një nga elementët që ju pretendoni se do të jetë pikë force në veprimin tuaj menjëherë që në start, është çmimi karburantit. Dhe ju po thoni që kjo ndikon tek komponenti kryesor- te çmimi i biletës. Por njerëzit janë të interesuar për cilësinë e avionit, për korrektësinë e shërbimit, etj,etj. Kush është garant për këtë?

Sinan Idrizi: Shikoni- garant është Turkish Airlines që ju e dini se për pesë vjet është një nga kompanitë e para në Europë ! Pikërisht kjo është krenaria jonë, sepse kemi marrë një kompani të kuotuar atje ku është për ta vënë në shërbim të Air Albania. E përsëris ne në shërbim do tu kthejmë shqiptarëve dinjitetin e tyre. Pra nuk do të tallemi me shërbimin dhe me një gotë ujë apo një gotë kafe. Shqiptarët në Air Albania do të kenë dinjitetin e shqiptarit të dorës së parë, për këtë të jenë të sigurt. Veçoria e parë është ajo që do të jemi linja e parë në botë që do të kemi biblotekën e ajrit. Linja e parë në botë ku çdo pasagjeri të saj do tu dhurojë një libër ta ketë si dhuratë, si kujtim, si simbol. Pra për herë të parë një kompani me markë shqiptare do të eksportojë libra, pra kemi nderin e parë që do jemi kompania e parë me një bibliotekë në ajër.

Mentor Nazarko: Ju do t’i ofroni udhëtarëve një vend të revistave…

Sinan Idrizi: Krahas revistave të reklamës edhe klasikët e letërsisë.

Mentor Nazarko: Çfarë interesash preken nga hyrja juaj në lojë? A janë interesa private, interesa shtetërore? A ka shtete fqinjë që preken nga ndërhyrja e një lojtari siç është Air Albania?

Sinan Idrizi: Vini re kush na sulmon ne dhe cilat interesa preken. Ditën që është deklaruar krijimi i Air Albania kanë qenë ditët e pushimit të bajramit përpara Ramazanit. Ditën e pushimit nga foltoret e partive politike të opozitës u anatemua Air Albania pa u krijuar akoma.

Mentor Nazarko: Kjo mund të lidhet me faktin që ju keni mbështetjen e qeverisë, kryeministrit dhe kjo ndoshta kjo afërsi e bën më të atakueshme iniciativën tuaj. PD mendon me të drejtë se kjo është iniciativë që ka mbështetjen, bekimin e kryeministrit?

Sinan Idrizi: Sigurisht e ka mbështetjen dhe besimin e kryeministrit Rama, por ku është problem këtu nëse kryeministri është faktor ndihmues në të mirë të shqiptarëve?

Mentor Nazarko: Kritikët thonë që si papritmas ti u improvizove në një rol udhëheqës me një kompani ajrore.

Sinan Idrizi:Kompania Atlas global që unë përfaqësoj në Vlorë ka investuar, 6.5 milionë euro për Flamurtarin dhe unë në këtë shtet jam kampion në mbështetjen e sportit dhe në përmbushjen e të drejtave dhe detyrimet e qytetarit. Jam kampion dhe i sfidoj të gjithë ata që thonë të kundërtën .

Mentor Nazarko: Cila është tipologjia e biznesit që ju zhvilloni? Jeni një oligark që keni përfituar nga privatizimet? Keni qenë njëherë me PD dhe tani me PS? Ku e zhvilloni ju veprimtarinë tuaj?

Sinan Idrizi: Bizneset e mia kanë filluar që në vitet 93’, 94’.

Mentor Nazarko: Në çfarë fushe, sektori?

Sinan Idrizi: Unë kam bërë një eksport me Turqinë. Që nga tregtia me vapor. Kam pesë vjet ne Shqipëri që financoj një superprodukt sporti dhe cdo lloj transporti është i deklaruar dhe kaluar nga kompanitë e mia nga Turqia drejt Shqipërisë.

Mentor Nazarko: Aktualisht ju nuk keni ndonjë veprimtari në Shqipëri?

Sinan Idrizi: Momentalisht ka 8 vjet që e kam mbyllur aktivitetin në Shqipëri. Kemi ardhur për të investuar në qytetin e Vlorës me konceptin e Vlora sport. Ftesën e parë unë e kam marrë nga Majlinda Bregu dhe takimin e parë për Air Albania si koncept e kemi ndërtuar në zyrën e të ndjerit Sokol Olldashi.

Mentor Nazarko: Ju do duhet të ishit konsensualë sepse paskeni ardhur nga PD…

Sinan Idrizi: Në këshillin bashkiak të Vlorës unë jam i pranuar nga të dyja palët aktualisht. Këshilli bashkiak ka 5 vjet që ka investime zero për Vlora sport, nga 700 apo 800 që e ka patur. Mirënjohje nuk kanë por të paktën të jenë më civilë. 6.5 milion të investuar në Vlorë janë para të kursyera nga taksapaguesit shqiptarë.

Mentor Nazarko: Arsyet e kriticizmit nga ana e opozitës janë vetëm politike apo edhe të biznesit? Preken konkurentët e biznesit nga hyrja juaj në treg?

Sinan Idrizi: Nuk është vetëm politike, sponsorizimi që i bëhet sulmeve ndaj Air Albania-s është një sponsorizim me prapavijë të qartë ekonomike, i miksuar nga një uzurpim politik që i është bërë klasës politike të Shqipërisë, konkretisht opozitës, nuk kam asnjë ekuivok .

Mentor Nazarko: Ju thoni që ka arsye biznesore, por mund të ketë edhe arsye politike. Ju jeni parë edhe në takime të ngushta me Ramen dhe Erdoganin.

Sinan Idrizi: Po.

Mentor Nazarko: Me cfarë cilësie keni qenë aty?

Sinan Idrizi: Me cilësinë e një anëtari të Dhomës së tregëtisë së Stambollit.

Mentor Nazarko: Në cfarë sektorësh jeni duke zhvilluar biznesin tuaj në Turqi?

Sinan Idrizi: Në hidrokarbure, në aviacionin civil në Turqi dhe në Real State, pasuri imobiliare.

Mentor Nazarko: Dhe të ardhurat që dimë prej këtij aktiviteti janë të mjaftueshme për të garantuar soliditetin e një kompanie ajrore?

Sinan Idrizi: Po.

Mentor Nazarko: Në cilat linja do të fillojnë fluturimet?

Sinan Idrizi: Linjat e para janë të Stambollit dhe së shpejti në Europë. Air Albania do të ulet në New York dhe kjo është sfida ime.

Mentor Nazarko: Për një udhëtar të huaj për të zgjedhur një kompani apo një tjetër për të ardhur drejt Shqiperisë ndoshta fjala Albania është pak paragjykuese apo jo?

Sinan Idrizi: Ne pikërisht me këtë do i sfidojmë.

Mentor Nazarko: Ju do të ndërtoni dhe një aeroport…

Sinan Idrizi: Aeroporti do të ndërtohet nga tre kompani turke që ndërtojnë aeroportin më të madh në botë momentalisht dhe nëse do jem pjesë e kësaj, do jem shumë i lumtur. Aeroporti i Vlorës do jetë një vijë demarkacioni jo vetëm për Vlorën, por për gjithë Shqipërinë.

Mentor Nazarko: A kemi ndonjë karamele marketingu që tani ? Përshembull a na jepni që tani një indikator të çmimit ku të thuhet përshembull që çmimi edhe në momente piku do të jetë 30% më i ulët në raport me çmimin dominant… ? A e keni një lajm si ky për t’ja dhënë publikut ?

Sinan Idrizi: Ne nuk jemi një kompani me “Loë cost”. Ne nuk jemi një kompani që tallet me shqiptarët që thonë e ke bileten 10 euro por do të paguash valixhen 100 euro. Ne nuk do të mashtrojmë njerëzit. Ne do të ulim të paktën 30-35 % çmimet nga tregu normal.
Mentor Nazarko: A keni garanci edhe tek cilesia e avionëve, tek mosha e tyre?

Sinan Idrizi: Do të jenë aeroplanët më të rinj që do të ulen në Rinas. Mosha mesatare do të jetë nga 8 deri në 10 vjeç. Ata që flasin për lyerje të një aeroplani, të jesh i sigurt që nuk kanë lidhje me fluturimin e tij. Kompania ka vendosur që të fluturohet me Airbus.

Mentor Nazarko: Futja juaj në treg përfaqëson dhe një moment kulturor. Ku keni studiuar?

Sinan Idrizi: Kam studiuar në gjeologji minierash dhe jam krenar për këtë, për atë fakultet të shkëlqyer, me godinë gotike, me njerëz gotikë, me shkenca ekzakte, ndërsa në Turqi kam studiuar biznes.

Mentor Nazarko: Jeni shtetas turk?

Sinan Idrizi: Jo, nuk jam shtetas turk. Jam vetëm shtetas shqiptar. Jam krenar që jam në krah të kryeministrit Rama dhe të Erdoganit.

Mentor Nazarko: Le të flasim pak për futbollin sepse ju jeni president i një klubi futbolli. Futbollli është në krizë totale dhe nuk është në dorë të njerzve që nuk reflektojnë njohuri të përgjithshme edhe në biznes dhe diku tjetër. Kjo duket se tregon edhe gjendjen e përgjithshme të mjerë të futbollit shqiptar. Ndërmarrësit nuk janë elita kulturore e biznesit shqiptar…

Sinan Idrizi: Është vetë sistemi që nuk të krijon mundësi. Sektori i sportit është ai qe duhet të na turpërojë sepse ne me sportin shtyjmë kohën dhe e përdorim për kapriço dhe për teka.

Mentor Nazarko: Është shumë e sinqertë kjo që thua, ndonëse ti harxhon shumë kohë besoj me futbollin.

Sinan Idrizi: Më akuzojnë se jam part-time në futboll, e vërteta kjo është, që pjesën më të madhe të kohës nuk e kam në futboll.

Mentor Nazarko: Po nuk përmendesh për blerje arbritrash.

Sinan Idrizi: Është pika ime e dobët. Thashë pak më parë që jam kampion me pagesat e tatim-taksave. Për shembull i vetmi politikan që është anëtar i Asamblesë së Federatës Shqiptare të Futollit të Këshillit të Lartë është Zoti Alibeaj, një zotëri me integritet tepër të lartë, një gentleman qoftë nga familja, qoftë nga botëkuptimi. Bën pjesë në Federatën tonë shqiptare të Futbollit.

Mentor Nazarko: Është gentleman se nuk të ka sulmuar ndonjëherë ty? Se të tjerët i sulmon…

Sinan Idrizi: Alibeaj? Jo.

Mentor Nazarko: Mundet. Do vijë radha.

Sinan Idrizi: Nuk e di është në listën e atyre që ka sulmuar apo jo. Ka edukatë në ekstrem. Për shkak se është nga patricët e kombit shqiptar, një familje që ka bërë me të vërtetë, i bën nder krahinës dhe atij vetë, e ftoj atë publikisht dhe e sfidoj të hetojë se cfarë bëhet me tatim-taksat në futbollin shqiptar. Cili është ai klub që është korrekt me shtetin, me qytetarët dhe me veten e tij? Dhe ju siguroj se sa paguan Flamurtari tatim-taksa nuk paguan një klub shqiptar në 5 vjet. Kjo është ajo që unë kam fituar në Shqipëri, dhe për këtë jam krenar. Për të tjerat pastaj…

Diskutimi mbi rolin e Turqisë në Shqipëri…

Mentor Nazarko: Në Shqipëri ka një lloj polemike, e cila normalisht ushqehet edhe nga debati i përgjithshëm global lidhur me rolin e Turqisë në Shqipëri, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të Shqipërisë me Turqinë. Si e shihni ju këtë raport?

Sinan Idrizi: Nuk e marr përsipër të bëj politikanin, sepse nuk jam dhe nuk e bëj dot. Si qytetar, unë jam nga ata që e them, dhe vazhdoj ta them me zë të larte, që marrëdhëniet shqiptaro-turke sot janë në nivel shumë të ulët, duhet të jenë në nivel disa herë akoma më të lartë. Thjesht duhet të mësojmë nga përvoja turke të paktën në menaxhimin e turizmit. Kemi shumë gjëra për të mësuar.

Mentor Nazarko: Duke qenë se Turqia është investitori i dytë ose i tretë më i madh në Shqipëri, a mendoni se afërsia me Turqinë do të bëjë që kontrolli turk mbi politikën shqiptare të rritet dhe për pasojë të ndryshojë pikërisht boshti i politikës shqiptare, nga Perëndimi në një drejtim tjetër?

Sinan Idrizi: Pikërisht ky është problemi i madh në Shqipëri. Vini re, sesi pjesa më e madhe e këtyre që kanë marrë zanat tashmë si politikanë, kanë nga 30 vjet që e shtyjnë ditën kafeneve të Tiranës duke bërë politikanin, dhe nuk kanë berë zanat tjetër në jetë. Dhe janë të frikësuar, ndërsa thonë “Investimet turke në Shqipëri do të na ndërrojnë boshtin.” Këta nuk janë pragmatistë, këta vijnë nga familje që nuk kanë bërë kurrë biznes në jetën e tyre. Pra, një komb pragmatist , një familje pragmatiste, ka si princip atë, që nuk i intereson më ngjyra e maces, i intereson që të kapi miun. Sot ne nuk kemi ku të gjejmë parizienë që vijnë në Shqipëri. Nëse ne gjejmë bashkëpunëtorë turq, që fatmirësisht vijnë në Shqipëri, dhe pastaj të ngrejmë pikëpyetje lidhur me ndryshimin e boshtit, mua më duket pak më tepër si irreale.

Mentor Nazarko: Ka një droje sepse është ky roli i madh në ekonomi…

Sinan Idrizi: Jo, ku është ky roli i madh në ekonomi? Thotë një politikan shumë i nderuar shqiptar “Kanë marrë bankat”. Në Shqipëri ka vetëm një bankë turke. Ka shtatë banka greke. Ku është ky rol? Ta kuptoj dhe unë. “Kanë marrë shkollat”. Cilat shkolla? Një kolegj ka qenë . Ku janë këto se unë këtë nuk e kuptoj dot. Ka një shembull suksesi në Shqipëri i një kompanie turke. Është Kombinati Metalurgjik në Elbasan. E ka marrë një kompani turke. Kishte vetëm 70 mijë ton përpunim, sot ka rreth 1 milion ton. Është një histori suksesi.

Mentor Nazarko: Ka falimentuar tani?

Sinan Idrizi: Jo jo ka një proces falimentimi, jo në Shqipëri, ka një problem në Turqi, po është një histori suksesi i një zotërie që ka 30 vjet në tregun shqiptar ; që ka marrë një kompani shqiptare dhe ështe eksportuesi i parë sot me dicka tek 300 milionë euro, nëse nuk gabohem, në vit. Pra nëse nuk e doni as këtë, me idenë se është turk, pastaj kjo është një çështje urrejtjeje etnike, krahinore, fetare, që neve të paktën nuk na ka hije.

Mentor Nazarko: Njerëzit, kritikët, e shohin me shqetësim këtë raport të afërt të kryeministrit Rama me presidentin Erdogan. Normal bëhen edhe paralele në atë mënyrën sesi ushtron rolin e vet apo ndikimin në demokraci njëri dhe tjetri.

Sinan Idrizi: Po ku është problem? Se unë këtë nuk e kuptoj dot. Nëse kryeministri i Shqipërisë ka marrëdhënie të mira me presidentin e Turqisë, a ka gjë që nuk shkon? Cili është ai president shqiptar që nuk ka patur marrëdhënie të mira me presidentin turk, apo një kryeministër që nuk i ka patur? S’ka. Vetëm Ahmet Zogu ka patur një problem dhe e kaloi. Asnjë tjetër mesa di unë. As në kohën e Enver Hoxhës nuk ka patur probleme thelbësore.

Mentor Nazarko: Zoti Berisha pati kur ishte në opozitë, përplasje me presidentin turk për shkak të afërsisë së tij me Nanon, për blerjen e Telekomit. Ishte një moment atëherë, në qoftë se e mbani mend në 2004, dicka e tillë- bojkotoi fjalimin në parlament.

Sinan Idrizi: Mesa di unë, në memorien time jo shumë të ndritur, zoti Erdoan, në fushatën e parë që Berisha ka fituar, ka qenë në përurimin e tunelit. Këto janë histori që të bindin.

Mentor Nazarko: Megjithatë kritikët shohin shqetësim tek fakti që Turqia me presidentin Erdoan po rrëshket më shumë nga Lindja, nga afrimi me Rusinë e kjo mund të ndikojë edhe në Shqipëri.

Sinan Idrizi: Mua më duket një tezë pak e tepruar kjo. Turqia është nje shtet aq i konsoliduar sa i bën mirë hesapet e saj . Turqia ka një politikë të jashtme pragmatiste, dhe të jeni të sigurtë për këtë me aq sa di, me aq sa ndjek unë.

Mentor Nazarko: Nuk do ketë shmangie nga fakti që Turqia është vend anëtar i NATO-s, ka baza amerikane?

Sinan Idrizi: Jo nuk është Turqia vend i aventurave dhe aventurierëve.

Mentor Nazarko: Por ka një shqetësim megjithatë sepse ka politikanë, figura publike të cilët këtë aktivizëm të Turqisë në ekonomi por edhe në politikë, mundohen ta veshin me një ringjallje të neootomanizmit, pra të lavdisë së Turqisë, së Perandorisë Otomane.

Sinan Idrizi: Shiko janë të njëjtët analistë që nuk janë të qartë të dallojnë historinë e persëve me arabët. Këtyre nuk duhet t’u vësh veshin për mendimin tim, fare. Turqia ka një politikë të jashtme të neootomanizmit ???? Kjo ka qenë tezë kryesore në një libër që ka bërë një ish-kryeministër i përkohshëm, libri “Thellësia strategjike”. Pikëpamjet e tij nuk lidhen domosdoshmërisht me politikat e sotme turke.Për të tjerat kjo është një histori tjetër. Se nuk është edhe fusha ime kjo.

Mentor Nazarko: Kthehemi për ta mbylluar me kompaninë. Kompania do të nisë me fluturime drejt Turqisë, dy herë apo tre herë në ditë?

Sinan Idrizi: Do të kalojnë 3 herë në ditë.

Mentor Nazarko: Shqiptarët udhëtojnë shumë drejt Turqisë. Çfarë janë ata udhëtarë? Përdorin kryesisht tranzitin?

Sinan Idrizi: Tek skaneri që bëjmë herë pas here për të parë mënyrat, llojet e atyre që fluturojnë, na rezulton se rreth 50 për qind e tyre mund të jenë të destinuar për linja tranzite, përmes Stambollit, nga Amerika deri në Lindjen e Mesme të Largët dhe gjithandej.

Mentor Nazarko: Stambolli përdoret për të ikur drejt Amerikës?

Sinan Idrizi: Stambolli patjetër. Stambolli është një hab (hub) i rëndësishëm, sidomos pas ndërtimit dhe vënies në jetë të aeroportit të ri të Stambollit, që në fund të tetorit besoj se do të hapet, trafiku do të dyfishohet ose trefishohet.

Mentor Nazarko: A do të ketë aeroporti i Vlorës si të thuash një rol ndërkombëtar edhe në fluturimet e pasagjerëve, jo vetëm të mallrave, në transportimin ndërkombëtar të tyre?

Sinan Idrizi: Nga informacioni që kam unë disa kompani shumë të rëndësishme të fluturimit në botë kanë shprehur interes për të filluar menjëherë fluturimet nga aeroporti i Vlorës. Kjo është shumë interesante. E përsëris pra, ky aeroport do të jetë një hab i madh. Këtu tek kjo dua të vë pikën, kur them që aeroporti do të jetë një hab, sepse këtu do të bëhet ndryshimi midis kësaj dhe atij që thuhet “aeroport” në Rinas.

Kush është Sinan Sinan Idrizi ?

Mentor Nazarko: Dhe për ta mbyllur, një përshkrim të personalizuar. Ju nuk jeni aq të pranishëm dhe aq agresiv në planin e promovimit individual, qoftë si president i Flamurtarit. Pra, kush jeni, familja, çfarë interesash keni përveç biznesit?

Sinan Idrizi: Pse u duhet të tjerëve jeta ime private, familja ime…nëse është një qytetar korrekt me shtetin, me punën dhe me investimet e tij? Nëse unë do të konkuroj për në akademi do të jap CV time, nëse unë do të konkuroj për politikan, do të jam CV time. Unë thjesht dua të bëj biznes në vendin tim, qoftë edhe në minimumin apo maksimumin e mundshëm. Jam një qytetar vlonjat dhe dua të investoj në qytetin tim, pra nuk dua të tallem duke dhënë katër rroga për një familje të vobektë. Për mua është një tallje që një biznesmen apo një politikan i nderuar e bën duke u tallur me një familje fukarenjësh. Unë thjeshtë dua që të paktën unë të jem krenar kur të shikoj që në këtë qytet kam krijuar qoftë edhe vetëm një vend pune plus.

Mentor Nazarko: Po çfarë interesash keni në jetë përveç biznesit? Çfarë hobesh?

Sinan Idrizi: Jo, hobi im i parë dhe i fundit është leximi, ta them me krenari pasi jam vlonjat… Di që Fevziu ka një bibliotekë shumë të madhe, më kanë thënë… E sfidoj në numra dhe në kualitet. Dua t’i bëj një ftesë ta sfidoj me bibliotekë. Por këtu në Shqipëri kam një problem, nuk di se në cilën bibliotekë të shkoj. Ne kemi romanin, novelën, tregimin, esetë, po saxhistët (eseistët) ku janë?

Mentor Nazarko: Po, e kuptoj. Ndër këto çfarë preferon? Ato të fushës së biznesit?

Sinan Idrizi: Jo, jo bizensi. Për biznes lexoj vetëm Daniel Klergen. Daniel Klergen është një ndër analistët më të mirë të tregjeve në të gjithë botën dhe një ndër këshilltarët më të mirë të Shtëpisë së Bardhë për energjitikën. Është një libër që i’ua këshilloj të gjithëve. “Historinë e petrolit” si libër të parë të tij që është një mrekulli e vërtetë dhe ka të ardhmen e energjisë që unë kam përzemër. Të dytin që sugjeroj më shumë nga të gjithë është Hans Kung. Hans Kung është teolog, është një ish kardinal i cili tani është për një shoqëri të hapur. Librat e tij për mua janë një etalon. Dhe i treti që kam përzemër kohët e fundit është Huston Smith. Huston Smith është një antropolog që merret me historinë e feve. Pra tek treshja e artë që here pas here mundohem të mos i humbas tek librat e mi janë këto. Pastaj në përgjithësi pëlqej Herman Hesse të cilin e kemi mik të përbashkët.

Mentor Nazarko : Në çfarë gjuhe lexon?

Sinan Idrizi : Lexoj vetëm shqip.(qesh)

Mentor Nazarko: Po në sport a përfshiheni?

Sinan Indrizi : Jo. Në sport unë jam injorant. E përsëris, jam injorant dhe kam për të ngelur deri nëfund injorant. Jam i vetëdijshëm për injorancën time. Thjesht dua t’ju them se do të ndërtojmë një ekip elitar me një staf drejtues të një lloji tjetër dhe një bord ekzekutiv të një lloji tjetër duke marrë secili përgjithësinë e asaj çfarë di të bëjë. Unë thjesht dua të hyj në ekonominë e sportit, jo në shit-blerjen e sportit. E përsëris: Në ekonominë e sportit. Pjesa tjetër pastaj është një histori tjetër.

Mentor Nazarko: A ka mundësi që të hysh në Vlorë në ekonominë e sportit?

Sinan Idrizi : Patjetër. Vlora do të jetë “Qyteti i Sportit”. Koncepti im ideal është ky: Vlora si qyteti i sporteve ose Vlora Sport.

Mentor Nazarko: Shpesh diskutojmë në portal dhe jo vetëm, për rolin e Vlorës në zhvillimin e ekonomisë. Pra pozita e Vlorës si port. A mund ta rifitojë Vlora sërish këtë rol që ka pasur edhe në antikitet si një nga portet më të rëndësishëm të mesdheut?

Sinan Idrizi: Shiko, ambasadori i Republikës së Turqisë më tha një ngjarje shumë interesante përpara dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditësh. Ai më tha që kur Republika Turke njohu Republikën e Shqipërisë si shtet të pavarur dhe sovran, ambasadën e parë e sollën në Vlorë, jo në Tiranë. Në Tiranë kemi ardhur pas një viti. Pra kemi njohur Vlorën si koncept të parë, si strukturë të parë. Problemi i madh i këtij gjiri është shumë i thjeshtë. Ky gji që ne shikojmë sot është një gji që është pa vela. Ti e shikon nga ana komerciale. Pra historia e Vlorës është një histori reale portesh e kryqëzimesh gjeopolitike e gjeostrategjike.

E ke parasysh konceptin romak të Mare Nostrum dhe konceptin Limes të tyre? Limes për mua si kulla roje, nuk është në Durrës por në Vlorë. Ama nuk dua t’i hyj kësaj polemike pasi do të krijojmë pastaj histori të llojit tjetër. Vlora për mua është një hub. Një pikënisje e një lloj i veçantë. Prandaj, për ata që duan të dinë dhe ata që duan të kuptojnë, kjo është një zonë gjeopolitike. Për ata që nuk e kuptojnë, ky është një problem tjetër.

Mentor Nazarko : Vetëm për një parantezë të vogël: Është një Andi nga Vlora, komentues i Konica që thotë se të gjithë brezat e talentuar që po rriten nuk po mbështeten nga akademia, çfarë sporti do të rritet? Mund t’i japësh një përgjigje?

Sinan Idrizi: Vlora nuk ka akademi. Nëse Vlora ka akademi, më tregoni ku është. Kam thënë gjithmonë i dashur Andi se akademia ndërtohet në një vend ku ka struktura që përbëjnë akademinë. Pra ne nuk kemi banjo ku çunat tanë që i marrim fëmijë të shkojnë të lahen. Ne nuk kemi fusha sporti. Ne nuk kemi ambiente. Ne nuk kemi edukatën më të thjeshtë fare…fëmijët tanë ikin të palarë, me djersë nga stadiumi e nga fusha. Ne nuk i kemi këto. Kemi vetëm një fushë të vjetër të katandisur si mos më keq, prandaj po them.

Mentor Nazarko: Çfarë po ndodh tani? Rama e ka Vlorën si zonë me preçedencë. A ka ai ndonjë projekt edhe për sportin në Vlorë?

Sinan Idrizi: Jo vetëm kaq. Rama është i pari kryeministër shqiptar që e nxorri Vlorën në det. Të tjerët e nxirrnin Vlorën të palarë në det. Shikoni Lungomaren. Ekonomia e lungomares. Shikoni ata që bënin protestat para tre vjetëve. Nuk e di ku janë tani. Pra kjo është ajo që unë e quaj në Vlorë… E kam thënë dhe e them me zë të lartë: Vlora si qytet është para dhe pas Ramës.

Mentor Nazarko: Qartë, por ndoshta kjo ndodh… shiko, ky raport juaji me Ramën është pak i diskutueshëm… Ju jeni i djathtë…

Sinan Idrizi: Unë jam më tepër se i djathtë. Unë me bindjet e mija jam i djathtë ekstrem, por nga ata të djathtët ekstrem për pronën, për atdhenë dhe për fenë. Të gjithë këta çunat e rinj që i kanë hyrë politikës vonë, le te kujtojnë ’97 kur bëhej ndarja e demarkacionit. Jam i djathtë dhe më tepër ndihem i djathtë, me bindje si nga monarkia e vërtetë. Jam me monarkinë dhe jo me këta që shpronësojnë pronat e shqiptarëve. Me këta që rrumpallizojnë politikën shqiptare. Me këta që janë të djathtë, por nuk dinë çfarë është kisha, çfarë është xhamija, çfarë është atdheu, çfarë është kombi. Me këta që janë të djathtë por që si himn të tyrin kanë internacionalen komuniste. Janë të djathtë, por janë Vdekje Fashizmit, Liri popullit e që të kërcënojnë të të shpronësojnë. E ke vënë re që partia e djathtë e Shqipërisë të thotë bëje ti këtë investim, por unë do të të shpronësoj? Me këta bolshevikët e rinj që kanë uzurpuar djathtizmin në Shqipëri.

Mentor Nazarko: Po si shpjegohet që Vlora ka qenë në historinë e 100 vjetëve të fundit një lloj kështjelle e majtizmit shqiptar dhe e nacionalizmit shqiptar?

Sinan Idrizi : Jo, Vlora nuk është kështjellë e mjatizmit. Vlora ka patur Asim Alikon në Bolenë, por dhe Lahe Nuron. Kemi qenë dhe me Ballin dhe me Partinë.Unë jam nip Bolene.

Mentor Nazarko :Pikërisht këtë të thashë…

Sinan Idrizi.. Unë jam çam nga babai, lab nga mamaja. Domethënë, unë jam nga dy krahinat më kokforte të Shqipërisë. Kokëfortësinë e kemi për bazë. Nga njëra anë, nga ,ia kam punën, nga labëria kam bujarinë. Dhe krenaria më e madhe të cilën e përmend herë pas here: Jam në një zonë që quhet Labëri që është zenithi i bujarisë shqiptare. Thjesht, jam krenar! Kjo është një nga krenaritë e mia dhe kur them herë pas here ndërsa ne bashkarisht komentojmë që Labërinë do ta sjellim në Vlorë ekonomikisht, kësaj i referohem, sepse kemi një zonë bujare e të veçantë, mirëpo kemi një ekonomi për të dëshiruar e të shkatërruar. Pra duhet që të vinte qeveria Rama e të ndërtonte rrugën e Lumit, sepse gjithë këto që derdhnin lotë krokodili për Labërinë, e kishin katandisur në atë gjendje që
është. Ky është fakt.

Mentor Nazarko : Ky është fakt, megjithatë dua të më lejosh që të bëhem “zëdhënës” i këtyre që përmende. Në Vlorë ka pasur zhvillim përgjithësisht në fushën e prodhimit të narkotikëve…

Sinan Idrizi: Në vlorë…

Mentor Nazarko: Në zonën e Vlorës, të lumit të Vlorës…

Sinan Idrizi: Me sa di unë, ky prodhim në Shqipëri ka filluar qysh në ’93 – ’94 dhe jo sot.

Mentor Nazarko: E qartë…

Sinan Idrizi: Shiko, qytetarinë vlonjate pamundësia ekonomike -që i ka rrethuar të gjithë nën drejtimin e politikës- , e ka detyruar që të ndërtojë bujtina e të punësojë njerëz. Shiko, kur thashë pak më parë se në GDP, në ekonomi ndikon sektori i shërbimeve, pikërisht po them se nga njëra anë, rinisë shqiptare nuk i ofrojmë asnjë shans që të marrë pjesë në jetën ekonomike të këtij vendi. Nga ana tjetër, i krijojmë shansin që të kalojë në ekonomi ilegale. Pra, ky është problemi ynë. Nëse një vend nuk ndërton rrrugë e nuk ndërton shanse për punësim, atëherë ç’duhet të bëjnë njerëzit? Njerëzit detyrimisht do t’i drejtohen ekonomisë ilegale, sepse duan të jetojnë. Pra detyra jonë është që ne t’i krijojmë shansin që të heqin dorë nga ilegaliteti i tyre, me kushtet e rendit të punës.

Mentor Nazarko : Shiko, dua ta mbyll
me një temë të dashur për Konicën e për të gjithë: A ka Vlora armiq ndërkombëtarë që pengojnë zhvillimin e vet si hab jo thjeshtë aeroportual por dhe portual ? A do me thënë kjo se futja e Vlorës në hartën e porteve ndërkombëtarë do të ndryshojë rëndësinë e atyre që janë porte ekzistues në rajon si të Igumenicës, Tarantos, Gioia Di Tauros apo të tjerë?

Sinan Idrizi: Vlora ka miq realë, nuk është punë komploti, por ka miq realë më të mëdhenj se armiqtë që përpiqen që me shkop ndër rrota të bëjnë atë që duan të bëjnë. Për mua është temë që ja vlen të komentohet, por që ta fshijmë nga harresa sepse kemi një qeveri të përgjegjshme, një kryeministër të vendosur për të ndërtuar këtë ekonomi në Shqipëri dhe për të ndërtuar këtë strukturë në Vlorë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Operacionet i kalojnë kompanisë së re

Turkish, rokadë me Air Albania