“Ndërmjet Dejës e Shatit të Mazrrekut gjenden gërmadhat e një kishe të bukur, me kybe të lartë, me një kapele relikesh (eshtnash) e me ndërtesa të mëdha.” Kështu e përshkruan dom Gaspër Gurakuqi abacinë qe sipas tij i është kushtuar Shën Sofisë në Shat.
Vetem dy orë në lindje të Shkodrës në menyrë mistike mund të soditet natyra dhe rrënojat e këtij manastiri të hershëm.
Kisha e madhe e manastirit përbën pikën qëndrore të krejt kompleksit. Me një hapësirë prej 27 metra gjatësi dhe 8 gjerësi ku në pjesën ballore ngrihet kulla e këmbanores rreth 15 metra e lartë e vetmja që i ka qëndruar stoike të gjitha kohërave.
Pak hapa larg kishës dhe paralel me të ndodhet kisha e vogël, prej së cilës ruhet vetëm pjesa e prapme. Veçoria e kësaj kishe qëndron në të pasurit dy kate. Aty janë edhe dy apsida që qendrojnë mbi njëra-tjetrën.
Sipas burimeve historike në mënyrë të veçantë konsullit austriak Teodor Ipen, kisha apo manastiri janë ndërtuar rreth shek. Xlll dhe i kushtohr Shën Nikollës (Nikolaus).
Mbetet sfidë e historianëve në të ardhmen për të saktësuar këtë dyshime.
Shati përmendet në disa dokumente historike si psh: Në një dekret të senatit venecian të vitit 1346 “Giorgio Strazimiro Balsa Scutari, Drivasto cum suis pertinentiis et castrum Sati cum dohana Dagno”.
Në vitin 1510 Shati rezulton i shkatërruar.
Këto rrënoja edhe të shkatërruara mbartin madhështinë fizike e potenciale të kohës.
Ndërhyrje dhe ndërgjegjësim për këtë abaci shekullore, do te pasuronte kujtesën dhe lartësonte dinjitetin tonë.