MENU
klinika

Medalistët e Lojërave Mesdhetare

KOKSH shpërblen Gegën dhe Zenelin me 3 mijë euro

02.08.2018 - 15:49

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, me në krye presidentin Viron Bezhani dhe në prezencë të anëtarëve të tjerë të këtij institucioni, kanë pritur dje në zyrat e tyre dy medalistët shqiptarë të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”, atleten Luiza Gega dhe boksierin Krenar Zeneli.

Sportistët kanë qenë të shoqëruar nga trajnerët si dhe Presidentët dhe Sekretarët e Përgjithshëm të federatave përkatëse për të nderuar të gjithë ata që kontribuuan në këto arritje të aktivitetit të Mesdheut.

I pari që mori fjalën ishte presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, i cili pas falënderimeve për sportistët dhe trajnerët e tyre, për punën e bërë në nderimin e Shqipërisë në “Tarragona 2018”, konfirmoi mbështetjen e këtij institucioni ndaj sportistëve elitarë, me shpresën se rezultatet e mira jo vetëm do të vazhdojnë në të ardhmen, por do të jenë edhe më të shumta, edhe në disiplina të ndryshme.

Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi edhe faktin se me vendim unanim të Komitetit Olimpik ishte vendosur edhe një shpërblim, i cili mësohet se ka qenë prej 3000 eurosh për secilin. Ndërsa për Luiza Gegën ka pasur një shpërblim të dytë edhe nga Federata Shqiptare e Atletikës me vlerën prej 2 milionë lekësh.

Në “Tarragona 2018” ajo ishte sportistja e artë e Shqipërisë, duke qenë se me kohën 9 minuta, 27 sekonda e 37 të qindtat meritoi medaljen e arit në stafetën 3000 metra me pengesa, duke u shpallur jo vetëm kampione, por edhe rekordmene e këtij aktiviteti.

Dhe teksa Luiza Gega po vazhdon të stërvitet për pjesëmarrjen në Europianin e Atletikës në Berlin, që zhvillohet në datat 6-12 gusht, dje ajo shprehu falënderimet e saj për KOKSH-in dhe federatën për punën e bërë.

“Falënderoj Komitetin Olimpik për mbështetjen morale dhe sidomos për atë financiare që më ka dhënë, sepse është normale që për t’u përgatitur për turne të tillë nevojitet sidomos mbështetja financiare, – u shpreh për kamerat e pranishme të RTSH-së atletja.

Shpresoj shumë që ky bashkëpunim të vazhdojë, sepse objektivat e karrierës sime nuk janë mbyllur me medaljen e artë dhe rekordin e vendosur në Lojërat Mesdhetare. Jam krenare që jam atletja e parë që sjell një medalje të artë të këtij aktiviteti në Shqipëri, por do punoj për të pasur të tjera suksese të tilla”.

Bologna kërkon me ngulm “veteranin”

“Diamanti” italian drejt Arsenal!

Hera e parë që Lojërat s’do të nisin në stadium

Si do zhvillohet ceremonia hapëse e Olimpiadës

Tund rrjetën edhe Ibrahimoviçi shqiptar

VIDEO/ Kompani e nis mbarë, bavarezët shënojnë 14 gola