Tjetër disfatë për ekipet kombëtare shqiptare. Kombëtarja e femrave në volejboll ka pësuar sot në mbrëmje humbjen e tretë në eliminatoret e Kampionatit Europian.
Volejbollistet kuqezi u mundën 3-0 (25-19, 25-23, 25-14) nga Zvicra, ndeshje e luajtur në fushën e kësaj të fundit. Kjo padyshim që mbetet ndeshja më e mirë e kombëtares në këto eliminatore (pas humbjeve me Kroacinë e Austrinë), një sfidë ku vajzat kuqezi, sot të drejtuara nga trajneri Roland Tarja, iu afruan fitores.
Por sërish ajo mbeti një tabu për këto eliminatore, ndaj Shqipëria mbyll Grupin B pa asnjë pikë pas tri sfidave të para. Takimi në shumicën e kohës ka qenë i ekuilibruar, me vajzat kuqezi që tentuan të arrijnë diçka në fushë edhe pse në setin e parë, pas pikës së 12-të, janë vendaset që marrin frenat e lojës dhe fitojnë 25-19.
Por, në setin e dytë loja është mjaft e ekuilibruar, madje vajzat kuqezi udhëheqin deri në 4 pikë (12-8), por pa mundur ta ruajnë avantazhin deri në fund. Zvicra arrin të rikuperojë dhe në fund fiton 25-23, një set që me pak kujdes mund të ishte fituar edhe nga Shqipëria.
I ekuilibruar nis edhe seti i tretë, por ashtu si në dy sfidat e para, Shqipëria shpejt nis të tolerojë dhe të dorëzohet, duke i dhënë mundësi kombëtares së Zvicrës të shkëputet dhe fitojë 25-14 dhe krejt takimin 3-0.
Edhe në këtë sfidë vijon eksperimentimi me afrimin e vajzave të reja në kombëtare, madje shumë prej tyre luajtën në formacionin bazë, duke fituar përvojë në evente të tilla ndërkombëtare. Ditën e diel (26 gusht), kombëtarja kuqezi për vajza do të luajë në “Feti Borova” ndeshjen e radhës, atë të kthimit ndaj Zvicrës, takim që çel edhe fazën e dytë të këtyre eliminatoreve.