MENU
klinika

Akuza politike

Kur Thaçi ra në dashuri me Berishën…

05.08.2018 - 14:35

Nuk i përmendi emrin megjithatë lidhjen mes personit dhe akuzave që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi lëshoi publikisht në llogarinë e tij zyrtare në Facebook e bënë të gjithë. Diskutimi për kufinjtë e Kosovës nuk ka nxehur vetëm debatin brenda faktorit politik kosovar, por është zhvendosur edhe në shtetin amë. Hashim Thaçi nuk kurseu akuzat indirekte për ish kryeministrin Sali Berisha, ndaj të cilit rëndon thyerja e embargos së OKB-së ndaj ish Republikës Jugosllave duke bërë tregti me naftë me shtetin e Milosheviçit si dhe dorëzimi i dyshimtë tek serbët i disa eksponentëve të njohur të UÇK-së të cilët deri në fund të viteve ’80 stërviteshin nga shteti shqiptar. Por ku bazohen të tilla akuza të presidentit Thaçi në adresë të ish kryeministrit Berisha?

Në librin e tij të kujtimeve ish presidenti i Malit të Zi, Momir Bulatoviç në kohën kur vendi i tij ishte pjesë e asaj çka kishte mbetur nga Republika Jugosllave, tregon se mes tij dhe ish presidentit Berisha ka pasur një marrëveshje për të furnizuar me karburant ish Jugosllavinë. Një marrëveshje e cila nuk ekziston e shkruar por që ishte e materializuar si e tillë në kufirin shqiptaro-malazez. Pëllumb Kulla, ish ambasadori jonë në OKB në vitet ’90 tregon se në një nga mbledhjet e Këshillit të Sigurimit në qershor të 1995-ës, koordinatori i BE/OSBE-së, Ambasadori Antonio Napolitano ka paraqitur dëshmi me foto të përmasave të mëdha ku nuk lihej asnjë shteg dyshimi për atë po ndodhte në kufirin shqiptaro-malazez; autobotë në rradhë dhe asnjë polic afër tyre që të kujtonte shtetin. “Mund të mbroheshim edhe ngaqë botet nuk e kishin në ballë destinacionin. Ama, kish plot transportime me hajvanë, fuçira të vendosura në barka të remuara nga fshatarë që përshkonin liqenin e Shkodrës dhe Bunën. Ishte një dëshmi e rëndë” – kujton ambasadori Kulla në një intervistë të dhënë kohë më parë për një të përditshme shqiptare.

E vërteta është se Shqipëria në fund të viteve ’80, pas vdekjes së Enver Hoxhës e kishte përmirësuar raportin e saj me Kosovën duke pranuar stërvitjen e disa eksponentëve të rëndësishëm të UÇK-së mes tyre dhe Adem Demaçin, Xhavit Halitin e të tjerë të cilët përgatiteshin pranë ushtrisë popullore shqiptare, si dëshmi e mbështetjes që vendi komunist jepte për rrëzimin e pushtetit të Milosheviçit. Por me ardhjen e Berishës në krye të vendit, marrëdhënia me Serbinë njohu përmirësim, aq sa u riaktivizuan marrëveshje të vjetra mes dy vendeve sikurse ajo e dorëzimit të shtetasve që shkelnin ilegalisht kufirin. Në vitet ’70, pas ftohjes së gjatë, regjimi i Hoxhës kishte zgjedhur të zbuste disi raportet me fqinjin verior duke pranuar dorëzimin e çdo shtetasi që shkelte ilegalisht kufirin shqiptar, në këmbim të dorëzimit të ndërsjellë të atyre shqiptarëve që tentonin të arratiseshin. Riaktivizimi i kësaj marrëveshje në vitet 1992-1994 mund të jetë shkak i arrestimit dhe deportimit të disa prej luftëtarëve të UÇK-së nga toka shqiptare.

Do të ishin këto ngjarje që do e ashpërsonin marrëdhënien midis ish presidentit Sali Berisha dhe një prej eksponentëve kryesorë të UÇK-së, Hashim Thaçi. Një gjë është e sigurtë se “armiqësia” e PD-së nuk ishte me një emër të vetëm të lëvizjes së Kosovarëve për çlirimin nga Serbia por me të gjithë strukturën e UÇK-së, e cila dukshëm anonte nga e majta dhe ishte për rrjedhojë jasht kontrollit të PD-së. Megjithatë mes Thaçit dhe Berishës ka pasur një moment ‘pajtues’ që një nga dëshmimtarët e kohës shumë pranë tyre e kujton kështu:

“Ishte e shtuna pranverore e vitit 1999 dhe Hashim Thaçin e gjeje atë ditë në Tiranë, të shoqëruar nga Fatos Klosi, drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar në atë kohë. Takimet e tij ishin të ngjeshura me klasën politike shqiptare, ndaj dhe presidenti Rexhep Meidani kishte pranuar ta priste Thaçin në një nga vilat qeveritare, pasi kreu i shtetit nuk dilte në zyrë në fundjavë. Takimi ishte fiksuar në ora 13, menjëherë pas takimit që Thaçi do të kishte me Berishën në mesditë. Por në takimin me presidentin Meidani, Thaçi do të mbërrinte me një orë vonesë”. Për dy persona që ishin sharë në distancë, takimi i parë rezultoi të ishte një “dashuri me shikim të parë”. Megjithatë shpërthimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dëshmoi se diçka e re mund të ketë ndodhur në raportin e tij me Berishën.

Akuzat për strehim të Bin Ladenit, apo një nga të akuzuarit për krime lufte si Arkadi nga goja e një kreu shteti nuk mbajnë më era “politikë”. Dukshëm, dikush mund t’i ketë treguar ndonjë koment të rezervuar që Berisha mund të ketë bërë në adresë të Thaçit, apo Berisha është duke e dëmtuar Thaçin me reagimet e tij fill një javë pas vizitës së këtij të fundit në Luginën e Preshevës, ose të dyja bashkë. Por nëse Thaçi nuk është kursyer në akuza duke u kufizuar veç në mospërmendjen e emrit, Berisha shfaqet më strateg në reagimin e tij. Ai zgjedh të nxjerrë gështenjat me duart e zyrtarëve të PD-së.

Tritan Shehu, më shumë se në cilësinë e ish ministrit të jashtëm në kohën e qeverisë Berisha të atyre viteve, kujtohet edhe si kreu i shoqërisë “Shqiponja” e krijuar posaçërisht për tregtinë e karburantit me republikën jugosllave gjatë viteve të luftës që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Berisha la zgjedhur të qëndrojë pas kuintave sa kohë që në “letër” nuk përmendet konkretisht emri i tij. Por teksa akuzat ashpërsohen me eksponentë të tjerë të PD-së me ose pa lidhje, sikurse reagimi më i fundit i deputetit Murrizi, ajo çka bie në sy është dobësimi i qëndrimit të faktorit politik shqiptar në një kohë të rëndësishme për Kosovën dhe gjithë shqiptarët që mund të kthejnë për herë të parë faqen e historisë duke çelur një kapitull të ri në marrëdhëniet me fqinjët.