MENU
klinika

Biblioteka e Durrësit

Libri nuk del asnjëherë “nga moda”

21.08.2018 - 15:48

Në epokën digjitale, kur E-book dhe rrjetet sociale duket se po sfidojnë çdo ditë ekzistencën e librit-letër në formatin klasik me të cilin Guttenbergu ia prezantoi njerëzimit shekuj më parë, Biblioteka e qytetit të Durrësit ka një fluks prej 120 vizitorësh në ditë. E themeluar që në 10 shtator të vitit 1945 me një fond prej 6000 mijë titujsh, ky institucion tashmë ka rritur fondin e tij të botime me plot 200 mijë vëllime, duke u pasuruar me 291 tituj të rinj çdo vit.

Në banak, aty ku priten kërkesat për çdo anëtar të bibliotekës së Durrësit, qëndron një grua e cila ka më shumë se 30 vjet që shërben në këtë institucion. Memorja e saj është një dëshmi e gjallë e fluksit dhe llojit të lexuesve që frekunetojnë këtë vend. “Vizitorët tanë do t’i ndaja në tre kategori – tregon ajo – “ata që janë besnikë të sallës së leximit, të cilët vijnë çdo ditë për të shfletuar gazetat, kryesisht mosha e tretë, studiuesit që rrëmojnë periodikisht për literaturë shkencore, dhe së fundi pastaj janë të apasionuarit e librit të cilët nuk kanë moshë; mes tyre mund të gjesh të vegjël e të rritur” – vijon më tej punonjësja e bibliotekës.

Në sallën e leximit rastisim pikërisht me një nga lexuesit e “kategorisë së parë”, siç i quante punonjësja e bibliotekës. Gëzimin e gjen çdo ditë këtu në mjediset e sallës së leximit. Ai vetë tregon se marrëdhënien me librin e ka pasur të pandashme që në vogëli. Edhe pse ai mban mbi supe tashmë 78 vite, vijon të mos e tradhëtojë “mikun” e tij besnik, dhe vendos të vi çdo ditë në bibliotekë. “Është pjesë e ritualit të ditës sime të shfletoj gjithë shtypin e ditës ku mund ta gjej këtu dhe pa pagesë” – tregon ai.

Ndërkohë për ata që zgjedhin të marrin librin në shtëpi, do t’u duhet që ta sjellin brenda 15 ditësh. Punonjësja e bibliotekës tregon se nuk janë të rralla rastet e “hajdutëve të librave”. “Ka nga ata që nuk i sjellin librat, por ka sanksione për to, megjithëse ndonjëherë vihemi në vështirësi për gjetjen e adresës, pasio në kartela ndodh të mos jepen të dhënat e sakta”. Megjithatë, ashtu si në çdo bibliotekë, materialet me vlerë të veçantë arkivore shërbehen vetëm në sallën e leximin.