MENU
klinika

Muza e trishtuar e Izet Sarajliq

Lulja kundër thikës

17.08.2018 - 15:14

Nga prof SALAJDIN SALIHU

Izet Sarajliqi nuk lindi në Sarajevë, por ky ishte qyteti i tij. Aty, mbase, nuk ishte më i lumturi, por “gjeti njerëz që mund t’i donte”. “Sa herë që qytetit tim do t’i duhet një fjalë e brishtë unë do jem aty”, është një varg i tij. Sarajliqi nuk e braktisi Sarajevën edhe në kohë lufte. Aty këndoi përherë muza e tij. Aty vuajti e dashuroi poeti. Aty e shkroi librin “Përmbledhja sarajevase e luftës” (1992), një libër që vendosa ta përkthej në vitin 2001, përderisa jetoja në një zonë lufte. Shumë poezi janë përkthyer në bodrum, në prani fëmijësh të trishtuar. Janë përkthyer në kohë hekuri dhe pikëllimi. Dhe nuk e dija nëse libri i përkthyer do ta shihte dritën e botimit.

Ky libër është i veçantë për mua, jo pse e kam përkthyer dhe as nuk mund të konsiderohet si kryevepra e poetit, por sepse më mundësoi ta fitoja një luftë: atë kundër urrejtjes. Në këtë kohë të trazuar shumë shkrimtarë, intelektualë, historianë e gazetarë maqedonas, i kishin lyer penat me ngjyrën e urrejtjes dhe shkruanin kundër shqiptarëve ngjashëm sikurse kolegët e tyre serbë. Disa i njihja. Më parë hiqeshin si “liberalë”. Shkrimtarët,megjithatë, nuk janë engjëj.

Izet Sarajliqi është i veçantë për mënyrën se si shkruante, për mënyrën se si jetoi, për humanizmin dhe korrektësinë e tij. Ai nuk urreu as gjatë luftës së Bosnjës, për të cilën dikush thotë se filloi pas një vrasjeje që ndodhi në një dasmë, kurse të tjerë thonë se filloi më 6 prill 1992, pas rrethimit 1479 ditorë tëSarajevës, ku u vranë 10.615 njerëz, prej të cilëve 1.601 fëmijëdhe ku u plagosën 61.136 njerëz, prej të cilëve 14.946 fëmijë. Megjithatë, lufta kishte filluar më herët. Ajo ishte projektuar nga elitat intelektuale dhe politike serbe, diku në “Francuska 7” të Beogradit, ku gjenden selitë e Akademisë së Arteve dhe Shkencave Serbe dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë.

Shkrimtari Mirko Kovaç, një kundërshtar i histerisë nacionaliste serbe, tek “Elita më e keqe se turma”, jep dëshmi se “luftërat në Jugosllavi kishin filluar në kulturë”. Enver Kazaz, në studimin “Elita e ideologjisë dhe kultura e krimit”, shkruan se lufta, falë shkrimtarëve dhe intelektualëve, ishte mbartur nga letërsia dhe kultura në sferën ideologjike e politike. “Më pas u zhvendos në institucionet e sistemit vrastar. Duke u keqpërdorur stereotipat, duke krijuar imazhe negative për kombet tjera dhe duke u interpretuar historia si përleshje e përhershme ndërmjet kombeve, u krijua ideologjia e urrejtjes. Kështu u bë përgatitja morale për praktikimin e krimit”.

Boshnjakët ishin të papërgatitur për këtë luftë, sepse, siç thotë Sarajliqi, ata nuk ishin mësuar që të urrenin…
Izet Sarajliqi nëpërmjet poezisë iu kundërvu elitës intelektuale serbe, e cila i përkrahu vrasësit. Disa shkrimtarë serbë, madje,veshën uniforma ushtarake dhe dhanë urdhra për vrasje, shfarosje e dëbime njerëzish të pafajshëm. Kjo histeri mund të ilustrohet nëpërmjet dialogut të një shkrimtari boshnjak dhe vajzës së tij të vogël. E bija e pyet poetin (që kishte humbur pjesën tjetër të familjes) se ku ishte duke shkuar, kurse ai i përgjigjet: “Në front”. “E përse atje?”, pyet e bija. Poeti i përlotur ja kthen: “Sepse jam ushtar dhe po nuk shkova në front do të vijnë poetët serbë e do të na therin”…

Izet Sarajliqi luftoi me lule kundër thikës. Ndoshta duket çmenduri, por siç thotë një poet, fryma përherë ka triumfuar mbi shpatën dhe sfinksi i vdekjes është shkatërruar duke e dëgjuar fjalën “Njeri”. Sarajliqi është zëri i çiltër njerëzor në kohën e mizorisë, urrejtjes, çmendurisë, histerisë, vdekjes, shpërfytyrimit të njeriut. Ai është me viktimën, që përherë është fituese morale. Ai, siç ka thënë Giovanna Nicolai, është “zëri që këndoi lirshëm mbi rrënojat e Bosnjës”. Muza e tij nuk heshti në kohë lufte. Këndoi ajo për dashurinë, për njeriun. Në këtë kohë, megjithatë,muza e tij ishte e trishtuar. Poezitë e përmbledhjes mbi luftën në Sarajevë janë prozaike, njëfarë ditari i shkruar në vargje. Poeti shkruante poezi kur mbi kokë i fluturonin granata, që vinin edhe nga vendi ku jepte urdhra poeti mediokër, Radovan Karaxhiqi, i cili nuk do të kujtohet si poet, por si kriminel lufte.

Sarajliqi i kësaj përmbledhje nuk është poeti lirik që këndonte për dashurinë, për Sarajevën, për miqtë. Ai nuk shkruante për udhëtimet romantike me tren, që sikur lëviznin mbi shina dashurie; as për tramvajet e Sarajevës, që çonin drejt Ilixhës; as për shëtitjet me biçikletë nëpër shtigjet e fëmijërisë; as për erën që thurte poema dashnorësh të vdekur; as për vashëzën që donte të bëhej grua, pa e ditur se një ditë do të bëhej vejusha e ushtarit të ardhshëm. Ai nuk shkruante për puthjet e adresuara drejt një vashe ose për adresat e blerta; as për rrugët plot me ofshama dashurie; as për shtëpinë pa kitarë, që nuk vlente pesë para; as për koncertet e vjeshtës.

Ai shkruan për shpërfytyrimin njerëzor. Madje edhe togeri fashist, i cili në Luftën e Dytë Botërore ia kishte vrarë vëllanë, i dukej më njerëzor se sa kriminelët e ri. E lëndonte qëndrimi i poetëve serbë, megafonave të regjimit fashist të Millosheviqit, Karaxhiqit dhe Mlladiqit. Asnjë ndjesë prej miqve të dikurshëm serbë nuk i erdhi as kur u plagos. “Vdekja ishte bërë mjeshtre nga Serbia”, thoshte poeti Marko Veshoviq, i cili ndonëse i rrezikuar, sikurse Sarajliqi, tallej me vargjet e Karaxhiqit, veçanërisht me vargun: “Unë i kam shëruar edhe lesbejket”.

Sarajliqi, ky “kalorës i një bote të bukur, por të humbur”, iku i zhgënjyer. Në “Librin e lamtumirave” shkruan se kishte ikur koha e artit të madh. Ngushëllohet se së paku kishte jetuar në kohën e poetëve të mëdhenj europianë dhe të miqësive të mëdha ndërmjet poetëve. Sarajliqi ishte mik i madh. Edhe i poetëve shqiptarë. Një mik si ai nuk bëhet pjesë e spektaklit të marrëzisë dhe urrejtjes. Bardi boshnjak është njëri prej atyre që sot quhen “vertikalja morale e Ballkanit”.

Lufta përfundoi. Mbeti libri “Përmbledhja sarajevase e luftës”, ku nuk gjen asnjë thirrje për vrasje dhe urrejtje. Aty ka dashuri dhe zhgënjim. Sarajevës ende i mungon rruga që poeti e kërkoi për emrin e tij. Një rrugë e thjeshtë, ku nuk do të kishte vend për ata që urrejnë. Një rrugë e tillë i duhet çdo vendi. Dhe një poet si Sarajliqi i duhet çdo kombi…

KËNGA E FUNDIT PARALUFTE
Slavko Shantiqit

Para se të vdesim në botën e vargjeve tua
Do të vdesim në këtë botë
prej disa njerëzve të tjerë.
I huaj më është arti i tyre,
e huaj dashuria e tyre, në e paçin.
Të huaja mendimet e tyre me varre,
me urrejtje e paturpësi.
Të huaj më janë stemat

FATI SIPAS MËNYRËS SARAJEVASE

Në Sarajevë
në beharin e 1992-shit
gjithçka është e mundur;
pret në rend për një bukë,
dhe përfundon këmbëprerë
në traumatologji.

E thua se
kishe fat.

LUFTËRAT NË JETËRAT TONA

Marko Bashiqi mbijetoi
dy luftëra ballkanike dhe dy luftëra botërore.
Kjo është e pesta.

Për mua dhe brezin tim është lufta e dyta.

Për Vlladimirin
tetëmbëdhjetë muajsh
mund të thuhet
se gjysmën e jetës
e ka kaluar në luftë.

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët