MENU
klinika

Çmimet e tregut në Durrës

Një kokërr domate, sa frëngu pulën

24.08.2018 - 16:50

Jemi në stinën e verës por një kilogramë domatë kushton sa në dimër. Nëse del në tregun e fruta-perimeve në Durrës 1 kilogramë domate nuk e gjen poshtë 120 lekëve të reja madje në disa tregje shkon dhe 160 lekë të reja. Çmime që bien ndesh me indeksin e çmimit të së njëjtës periudhe me një apo dy vite më parë, kur kilogramin e domates e blije edhe me 40 lekë të reja.

Arsyeja është importi. Shqiptarët po ushqehen me perime të ardhura nga Greqia dhe Maqedonia. Domaten e tyre me shumë mundësi nuk e kanë parë me sy këtë verë. Çmimet e kripura janë një realitet i hidhur edhe në tregjet e Durrësit. Rritja e kërkesës si rezultat i turistëve dhe emigrantëve që janë kthyer pranë familjeve të tyre, por edhe mungesa e prodhimeve vendase në treg kanë bërë që çmimet të jenë disa herë më lart se normalja e viteve të fundit.

Nëse pyet tregtarët e pakicës bëjnë me dije se domatja vendase mungon në treg ndërsa grosistët e shesin atë me çmim shumë të lartë. Ata thonë se perimet e stinës janë të larta për shkak se ata fermerët që mbollën u është prishur prodhimi në fusha nga lagështira e tepërt e këtij sezoni.

“Është prishur domatja e fushës. Vetëm nga luhatja e temperaturave e çoi mallin dëm dhe ne po marrim me çmim të lartë nga shumica” – tregon një nga tregtarët në Durrës. Konsumatorët shprehen të irrituar pasi jo vetëm që mungon garancia e siguria tek këto prodhime por edhe ato që tregtohen janë me çmime super të larta për stinën. “Bishtajat po i blejmë sikur të jenë më mish brenda, 2 mijë lekë kilogrami” – thotë e nërvozuar një prej blerëseve.

Nga tregtarët e vegjël mësohet se ka nisur edhe importi i domates nga Greqia e Maqedonia për shkak se prodhimi i pakët në vend nuk mbulon kërkesën