MENU
klinika

Nga Sali BYTYÇI

Para listës së veteranëve të pastrohet Akademia

28.08.2018 - 10:14

Nga Sali BYTYÇI/


Nëse vërtet duam drejtësi, atëherë e para është Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës që duhet pastruar prej akademikëve të rremë, pastaj të zbritet në nivele të tjera. Pra, jo të fillohet nga bishti, po nga koka, sepse nëse një kokë është e ndytë, ajo do të prodhojë ndytësi në vazhdimësi, ndërsa me bishtin është lehtë: ai mund të hiqet!
Një shoqëri e mbajnë në këmbë parimet, ndërsa kur shkelen parimet nga nivelet më të larta, nga koka, bishti nuk mund të gjykohet pse i ka shkelur ato.

Ndërsa Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës jo vetëm që i shkel rregulloret e veta, po ajo me ligj e ka ligjësuar krimin dhe korrupsionin. Prandaj, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës tani është më afër një organizate kriminale, sesa një akademie të shkencave dhe të arteve! A nuk është kriminalitet financimi në emër të shkencës dhe të artit i njerëzve që kurrë nuk kanë bërë as shkencë as art?

Qenësia e së keqes nuk është te madhësia e saj, po te thellësia, te rrezja e veprimit të saj.

Në vazhdim, do të përpiqem të argumentoj pse kjo Akademi tani më tepër i ngjan një organizate kriminale sesa një akademie të shkencave dhe arteve.

Si bëhen zgjedhjet në Akademi?

Në Rregulloren e Akademisë, për propozimin dhe zgjedhjen e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të 11 majit 2016, në Nenin 4, thuhet: “1. Seksionet e Akademisë paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve të rregullt dhe të anëtarëve korrespodentë të Akademisë. 2. Këshillat e fakulteteve të universiteteve publike dhe këshillat shkencorë të instituteve publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës, paraqesin propozimet për zgjedhjen e anëtarëve korrespondentë të Akademisë”.

Sipas kësaj rregulloreje, del se të parët që kanë të drejtë për propozimin e anëtarëve korrespondentë janë seksionet e Akademisë, pastaj vijnë këshillat e fakulteteve publike dhe të instituteve publike, që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës!! Me të tillë rregullore, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mënyrë krejt demokratike, përzgjidhen ata që do të bëhen anëtarë të kësaj akademie! Pastaj si të mos u bindemi fjalëve të Mehmet Krajës që “Pushteti absolut i injoranteve dhe i të korruptuarve, do të thoshte Sokrati, i vendosur përmes sistemit demokratik, është më i keq se çdo diktaturë”, (Rikthimi i kohëve të errëta, Mehmet Kraja, GAZETAEXPRESS, e hënë, 16 korrik, 2018).

Pra, sipas Rregullores së kësaj Akademie, në mënyrën më demokratike kanë të drejtë “të tjerët” të propozojnë emra për të hyrë në akademi, po edhe kjo akademi, krejt në mënyrë demokratike, e ka të drejtën e vet të bëjë propozime kush duhet të përzgjidhet, pastaj përmes procedurave më demokratike të mundshme, do të përzgjidhet më i miri!!!
Kështu janë përzgjedhur shumë anëtarë që kanë hyrë tashmë aty, po kështu do të përzgjidhen edhe në të ardhmen akademikët e Kosovës! Dhe objektiviteti nuk do të mungojë kurrë! Kështu forcohet institucioni më i lartë shkencor dhe kulturor i vendi!

Kështu, me të tillë rregullore, në këtë akademi arrijnë të hyjnë njerëz që gjithë jetën e tyre kanë arritur të botojnë një libër të vetëm të mjerueshëm, siç është Jusuf Bajraktari, ose me vetëm libra mësimorë, edhe disa të tjerë; kështu, me një rregullore të tillë, krejt në mënyrë “demokratike”, arrijnë të hyjnë në këtë akademi njerëz të tillë, të cilët veprën kryesore e kanë për gjuhën e gazetave, dhe një gjysmë libri tjetër, siç është Bardh Rugova; kështu, me një rregullore të tillë, krejt në mënyrë “demokratike”, ama më demokratiken në këtë botë, sepse kanë të drejtë të përzgjedhin edhe “ata” të tjerët, po edhe “ne” kemi të drejtë të përzgjedhim, në këtë akademi arrijnë të hyjnë njerëz të cilët veprën jetësore që kanë arritur ta botojnë është e folmja e rrethit të tyre, siç është Mehmet Halimi, apo edhe ata që gjatë gjithë jetës së tyre nuk e kanë shkruar asnjë libër!

Paramendojeni po ta kishte një rregullore të tillë Komisioni i Veteranëve të UÇK-së, jo 60 mijë, po 600 mijë veteranë do t’i bënte deri më tani, dhe e gjithë kjo e mbështetur në Ligj!

Për korrupsionin intelektual në akademi

1: Ribotimet

Në rregulloren e Akademisë, në nenin 20, pika 1 dhe dy, shkruan: “1. Akademia nuk i boton dorëshkrimet që janë botuar në tërësi te një botues tjetër, përveç prezantimeve në projekte të veçanta. 2. Dorëshkrimet e reja nuk merren në konsideratë për botim nëse më parë janë botuar më shumë se 25% e tekstit të dorëshkrimit”. (RREGULLORE PËR VEPRIMTARINË BOTUESE TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË ARTEVE TË KOSOVËS, Në Prishtinë, më 21 mars 2017 Nr. Ref.: 266/2).

Po kjo akademi vazhdimisht e ka shkelur këtë nen, sepse Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka ribotuar:

1. Librin e Ali Aliut “Don Kishoti te shqiptarët” (2005), me 228 faqe. Ky libër së pari është botuar maqedonisht. Ja çfarë shkruan Ali Aliu në fjalën hyrëse të këtij libri: “Me një sinqeritet dhe qëllim të mirë kjo vepër së pari i është ofruar lexuesit maqedonas…”; tri faqe më tej: “Dhe më në fund do të doja t’ia zbuloja lexuesit maqedonas një fshehtësi të sinqertë. Ky libër, me këtë përfytyrim dhe projektim, për herë të parë si integrum, po paraqitet para lexuesit maqedonas” (10).

Kështu shkruan në botimin e Akademisë, Prishtinë Është ribotuar nga Akademia në vitin 2005; po në të njëjtin vit ky libër, “Don Kishoti te shqiptarët” është botuar në kompletin e veprave të Ali Aliut në Shkup, nga shtëpia botuese “Serembe”, Shkup 2005, në vëllimin e tretë. Po edhe pse Ali Aliu në fjalën hyrëse thotë se ky libër së pari i është ofruar lexuesit maqedonas, në biografinë e tij shkruan se libri “Don Kishoti te shqiptarët” është botuar nga “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1996;

2. Libri i Sabri Hamitit, “Studimet letrare” (2003), me 744 faqe, përbëhet nga shkrime që kanë qenë të botuara më parë në libra të veçantë nga “Rilindja”, po janë ribotuar këtu;

3. Libri i Ibrahim Rugovës, ”Kritika” (2007), me 598 faqe, është ribotim, përmbledhje të librave të botuara më parë;

4. Veprat poetike të Esad Mekulit, Enver Gjerqekut (2 libra me poezi!), Ali Podrimjes, Besim Bokshit, Eqrem Bashës, pastaj edhe të Fatos Arapit etj., kanë qenë të botuara e të ribotuara, po janë ribotuar edhe nga akademia;

5. Kompleti i veprave të Ali Podrimjes, në dhjetë vëllime (2013), është ribotim komplet, ndërkaq një libër, vëllimi VI, është ribotim i botimit me poezi të zgjedhura nga “Toena” e Tiranës, me përzgjedhësin Bashkim Kuçuku.

Ky vëllimi i veprave të Ali Podrimjes (i gjashti), që është i njëjti me librin me poezi të zgjedhura nga Bashkim Kuçuku (“Toena”, Tiranë, 2002), i ka gjithsej 352 faqe. Nga ff. 7-311 janë poezitë, ndërsa nga 311-341 është shkrimi i Bashkim Kuçukut “Shprehja moderne e etnisë”. Letra është cilësore, libri është me kopertina të forta dhe me mbështjellës; madhësia 21.87 tabakë; tirazhi 500 kopje; formati A5 (14.8x21cm);

6. Libri “Poezi” i Pjetër Budit (Akademia, Prishtinë 2006), është ribotim nga Budi, “Poezi”, botimi i “Rilindjes”, 1986, i përgatitur nga Rexhep Ismajli;

7. Kompleti i veprave te Idriz Ajetit, botuar nga “Rilindja” më 1985, është ribotuar në Akademi më 1998.
Dhe nuk janë vetëm këto.

Librat që i përmenda para se të ribotoheshin nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, janë botuar nga botues të tjerë dhe jo më shumë se 25%, që sipas rregullores së akademisë nuk ribotohet, po 100%. Autorët e tyre për to, disa një herë e disa më shumë se një herë, i kanë marrë një herë honorarët!

Tani kush po i merr edhe ata pak metelikë të dedikuar për kulturën në Republikën e Kosovës? A nuk është kjo Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?

2. Pseudoteoritë dhe pseudomonografitë:

Kjo e ashtuquajtur Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës përveç që riboton, gjë që shkel Rregulloren e saj, boton jo pak edhe pseudoteori dhe pseudomonografi, si dhe tekste të ricikluara nga libri në libër.

Ndër pseudoteoritë dhe pseudomonografitë që i ka botuar kjo akademi është libri i Ali Aliut “Don Kishoti te shqiptarët”. Gjatë leximit, kuptojmë se ky libër, që në të njëjtën kohë është pseudoteori dhe pseudomonografi, është i krijuar nga shkrimet e mëparshme të Ali Aliut, apo nga fjalimet e tij të rastit, në promovime e përvjetorë të ndonjë krijuesi, po që këtu janë të përzgjedhura, ndërsa pjesës më të madhe të tyre autori ua shton vetëm emrin me Don Kishot.

Në këtë libër eseistik, për Ali Aliun, të gjithë krijuesit për të cilët shkruan këtu, janë donkishotë, nga De Rada e deri te Xhevahir Spahiu!

Ndërsa pseudoteori dhe pseudomonografi, po edhe riciklime të teksteve të mëparshme, janë librat e Sabri Hamitit: “Tematologjia”, “Albanizmat” dhe “Utopia letrare”.

Kjo akademi boton vepra joshkencore dhe joartistike. I tillë është libri i Rexhep Ferrit, pastaj libri i Besim Bokshit, “Varia”, botim me kopertina të trasha dhe me mbështjellës të bukur, më shumë se gjysma e tij përbëhet nga fjalë përshëndetëse dhe fjalë rasti!

3. Për shkencën dhe artet që bëhen aty

Akademia e Kosovës emërtohet si akademi e “Shkencave dhe e Arteve” dhe, sipas kësaj, gjysma e bujtësve të saj janë shkencëtarë, gjysma artistë! Po sa është e tillë kjo akademi?
Se sa janë këta shkencëtarë dhe sa artistë, shihet kur të analizohen apo edhe kur të shfletohen librat që janë botuar aty.

Pasi jam marrë në raste të tjera më gjatë me “shkencën” që bëhet në këtë Akademi, shkurt do të shqyrtoj librin e fundit të Sabri Hamititi, “Utopia letrare”.

Si tërësi ky libër nuk ka të bëjë fare me shkencën, sikur edhe çdo libër, i botuar para këtij libri nga Sabri Hamiti.

Të hyj sa më shpejt në temë, duke u nisur nga një gjë e thjeshtë, gati e pafajshme, siç është faqja 235, e “Utopisë letrare”, të Sabri Hamitit, pjesa e gjashtë e emërtuar “Xhan”, e kapitullit “Erosi në letërsi”. Para se ta përshkruajmë në tërësi këtë pjesë të shkurtër, bëhet pyetja: Çfarë lidhje ka erosi me “utopinë letrare”?!

Po e shkëpusim një pjesë të vockël nga libri, e cila shumë mirë flet edhe për krejt materien e krejt librit.
“6. Xhan

​Përsëri e përherë do të mbetemi të kurthuar në ëndrrën metafizike të Xhani-it (fjala perse), që imagjinon të bashkojë, të lidhë përgjithnjë trupin e shpirtin. Kjo po dihet: si një idealitet, kurse variantet e diskurseve të dashurisë nuk mbeten veçse variante të përpjekjeve e të dhembjeve njerëzore për ndarjen e trupit e të shpirtit.

​A nuk e këndoi Dante Beatriçen te Jeta e re nëpërmjet gjuhës shqipe të Koliqit:

​Aq e njerzishme e aq’ e hijshme gjanë

​Grueja e eme kur gjint ajo përshëndetë…

Tri pika.”

​Tani bie fjala, çfarë lidhje ka fjala persiane “xhan” me vargjet e Dante Aligierit për Beatriçen, të përkthyera nga Koliqi? Mos ndoshta fjalën “xhan” të persishtes e gjen te përkthimi i Koliqit, te vargu i parë: “e hijshme gjanë”(?). Fjala “xhan” e persishtes në asnjë variant nuk gjendet në vargjet e Dantes, të përkthyer nga Koliqi, po as nga të tjerët.

​Në vazhdim japim edhe dy variante të tjera të përkthimit të këtyre dy vargjeve të Dantes në gjuhën shqipe, nga Arshi Pipa e Mark Ndoja:

​Aq fisnike tregohet zonja ime,

​Aq e hijshme kur botës i përfalet,

(Përkthimi i Arshi Pipës, në Lyrika evropiane moderne, f. 11)

​Të gjanë aq e njerzishme e aq bujare

​Kur shkon tuj përshëndetun zonja ime,

(Mark Ndoja, Ferri, Purgatori, Parajsa, në kopertinë të librit)

​Sabri Hamiti këtë shkrim të shkurtër, e përfundon me “Tri pika”, që sipas tij përfundon edhe vargu i dytë i poezisë së Dantes për Beatriçen. Po as te Pipa, as te Ndoja, nuk ka tri pika, po presje, sepse ideja e nisur në vargun e parë, shtjellohet pa asnjë retiçencë deri në vargun e katër të kësaj poezie.

Si përfundim, 1. Si e arsyeton autori përdorimin e fjalës perse “xhan”, në këtë pjesë të shkurtër, dhe 2. Çfarë lidhje ka fjala perse “xhan”, me poezinë e Dantes për Beatriçen, pastaj si arsyeton përfundimin e kësaj pjese me “Tri pika”?!

Kur flitet për romanin realist, thuhet se, nëse në fillim të romanit shihet e varur një pushke, në fund të romanit ajo pushkë duhet të kërcasë! Po pushka e Sabriut “xhan”, qëndron si dekor në këtë pjesë të teksti të tij, pa bërë bam fare!

Në fund, është e tepërt të shpjegoj fjalën “gjanë” te përkthimi i Koliqit apo “të gjanë” te përkthimi i Ndojës: “gjanë” d.t.th. “ngjanë”, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me fjalën perse “xhan”!

E lëmë se të gjitha të tjerat që i shqipton Sabri Hamiti në tekstin e shkurtër “Xhan” janë në rregull, po si mund t’i këndojë Dante Aligieri Beatriçes te “Jeta e re” me gjuhën e Koliqit?!

T’i kthehemi utopisë letrare.

Cilat janë burimet e imagjinatës utopike shqiptare, sipas Sabri Hamitit: “Kanuni moral i Lekës, Historia e Skënderbeut, malli i kërkimit të gjenezës si ukroni, zbulesa e krishterë, fantazitë hipernatyrale epike, mitologema e qëndresës e rebelimit dhe e lirisë, duken si bërthama të arsyes e të imagjinatës utopike shqiptare” (22). Çfarë lidhje ka Kanuni i Lekës me Historinë e Skënderbeut, po Kanuni dhe Historia e Skënderbeut çfarë lidhje kanë me Zbulesën e krishterë? Zbulesa e krishterë çfarë lidhje ka me “Bagëti e bujqësi” të Naimit? Kështu, mund të bëhen pyetje pa fund, po që mbeten pa përgjigje.

Në këtë libër, me titull “Utopia letrare”, nga faqja 157 deri në faqen 185, është pjesa “III. Shtesa – Biografitë e autorëve”!!! Në këtë pjesë Sabri Hamiti fut biografitë e Tomas Morit, Tomazo Kampanellës, Frensis Bejkënit, Naim Frashërit, Sami Frashërit, At Zef Pllumit, Jevgenij Ivanoviç Zamjatinit, Xhorxh Oruellit, Horhe Luis Borhesit, Anton Pashkut, Ismail Kadaresë dhe Agron Tufës.

Për Anton Pashkun thotë: “Anton Pashku lindi më 8 kallnor të vitit 1937…”; për Ismail Kadarenë thotë: “Ismail Kadare ka lindur më 28 janar 1936 në Gjirokastër”.

Për Anton Pashkun thotë “lindi”, për Kadarenë “ka lindur”; për Anton Pashkun thotë se ka lindur “më 8 kallnor”, për Ismail Kadarenë “më 28 janar”!

Fundi fundit, çfarë duhen biografitë e autorëve në një libër akademik?! Përse Hamiti ka nevojë t’ia tregojë lexuesit “akademik” biografitë e Naim Frashërit, të Sami Frashërit, të Ismail Kadaresë apo të Anton Pashkut?!

Bartjet e teksteve nga libri në libër, deri tek “Utopia letrare”

Sabri Hamiti është i njohur si bartës i teksteve nga teksti në tekst, nga librat e parë e deri tek i fundit. Këtu vetëm po i regjistroj tekstet e librave të mëparshëm që i ka bartur nga librat e tjerë në librin e fundit, “Utopia letrare”.

1. Për romanin “Oh” të Anton Pashkut:

Triumfi i inteligjencies (6. Utopia negative) – Sabri Hamiti, Arti i leximit, Prishtinë 1983, f. 28-32;

Triumfi i inteligjencies (6. Utopia negative) – Sabri Hamiti, Vetëdija letrare, Prishtinë 1989, f; 400-404.
Anton Pashku: Oh (1.Utopia negative) – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 123-126.

1. Për “Fratin e Pashallarëve” të At Zef Pllumit:

At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve – Sabri Hamiti, At Zef Pllumi, “Albas”, 2013, f. 23-35;

At Zef Pllumi: Frati i Pashallarëve – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 85-95.

2. Për shkollën socrealiste:
6. Shkolla socrealiste – Sabri Hamiti, Tematologjia, Prishtinë 2005, f. 42-43;

II. Shkolla socrealiste – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 195-197.

3. Për bioletrën/ideoletrën:

Bioletra/Ideoletra (ideja) – Sabri Hamiti, Bioletra, Prishtinë 2000, f. 38-45;

I.Bioletra/Ideoletra – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 190-195.

4. Për mungesën e realizmit në letërsinë shqipe:

2.Pse mungon Realizmi? – Sabri Hamiti, Albanizma, Prishtinë 2006, f. 126-133;

III. Realizmi? – Sabri Hamiti, Utopia letrare, Prishtinë 2013, f. 197-202;

Janë katër tekste që barten prej librave të tjerë në këtë libër, disa për herë të parë e disa për herë të dytë barten nga libri në libër.

Siç shihet, teksti për romanin “Oh”, i botuar në librin “Arti i leximit”, më 1983, bartet në librin “Vetëdija letrare, (1989), dhe në fund, për të dytën herë, në librin “Utopia letrare”, botim i Akademisë së Shkencave, 2013!

Kur i lexojmë shkrimet e Sabri Hamitit, dhe të tjerëve si ky, në libra të botuar edhe me firmën e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nuk mund të mos i bëjmë pyetje vetes, si: çfarë është studimi letrar, është shkrim që i “nxin” faqet pa ndërmjetësimin e logjikës, apo është shkrim që bazën e ka në një logjikë? Nëse studimi letrar është shkrim diskursiv pa ndonjë logjikë, atëherë shkrimet e Sabri Hamitit dhe të sivëllezërve të tij, janë krejt në rregull. Po nëse studimi letrar mbështetet në logjikë, atëherë pas çdo fjalie të shkruar nga Sabri Hamiti dhe sivëllezërit e tij, duhet të vihen shumë pikëpyetje.

Kjo është shkenca që e “prodhon” Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?!

Këta janë akademikët e shtetit më të varfër të Evropës dhe të Ballkanit, po të cilët paguhen më së shtrenjti, së paku në këtë pjesë të Evropës! Përveç pagave maksimale, që i marrin, këta marrin edhe honorarë për të tilla “shkenca” dhe “arte”, me sa di unë, 200 euro për një tabak (16 faqe), plus të gjitha këto dokrra i botojnë në letër të shtrenjtë dhe me kopertina luksoze, me mbështjellës!

Dhe çfarë janë veprat e tyre? Pseudoteori, plagjiatura, improvizime.

5. Për mungesën e një neni që sanksionon plagjiaturën

Për botimin e librave plagjiaturë në këtë Akademi kam shkruar gjerë e gjatë dhe këtu nuk do të merrem me këtë temë, por vetëm do të shtoj se askund në Rregulloren e Akademisë nuk përmendet plagjiatura, d.t.th. plagjiatura me ligj nuk sanksionohet.

Kështu e ka miratuar Kuvendi i Kosovës Ligjin për Akademinë dhe kot është të zgjatemi në këtë pikë. Akademikët i përfitojnë të gjitha privilegjet e parapara me ligj, për privilegje ata e shkelin edhe ligjin që e kanë krijuar vetë, të cilin pa asnjë ndryshim ua ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, por në rregulloret e punës së tyre nuk ekziston një nen sado i vockël, me të cilin do të sanksionohej plagjiatura.
Shkurt, hajnia intelektuale, pasi nuk sanksionohet me ligj, në këtë akademi është e ligjshme!

6. Për politizimin e akademisë

Mehmet Kraja thotë se edhe bari përreth universitetit të Prishtinës është i politizuar, po ndërsa flet për barin në oborr të huaj, nuk përmend faktin që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është institucioni më i politizuar në Kosovë.

Për t’u pranuar në akademi, deri tani, ose është dashur të jesh i LDK-së, apo i ndonjë bishti të LDK-së, ose i Luginës së Preshevës, ose i të dyjave, për të tjerët nuk kishte vend.

Ndërsa deri në kohët e fundit Akademia ishte organ i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i satelitëve të saj, në zgjedhjet e fundit, “me konsensus”, në analogji me krijimin e bordeve, edhe në Akademi filluan të depërtojnë edhe njerëzit e PDK-së. “Kaq unë” e “kaq ti”! Pra jo njerëz të shkencës dhe të arteve, po njerëz të politikës. Tamam pazar!

Më tepër se gjysma e anëtarëve të Akademisë aty kanë hyrë përmes politikës, duke qenë në poste të larta politike!

Të tjerë kanë hyrë duke qenë të Luginës së Preshevës ose që kishin lidhje me Luginën.

A hyhet në akademi me kryevepër gjuhën e gazetave? (Bardh Rugova)

A hyhet në Akademi me një libër për Gjakovën me rrethinë, kur Gjakova ishte vetëm një qytezë? (Jusuf Bajraktari)

A hyhet në Akademi me të folmen e Karadakut? (Mehmet Halimi)

A hyhet në Akademi pa asnjë vepër?

7. Për mospranimin e propozimeve në akademi të atyre që i kanë mbushur 65 vjet

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës është akademi honorifike, që do të thotë akademi nderuese! Në akademitë honorifike hyjnë njerëz të shquar të një vendi, jo për të bërë shkencë dhe art aty, por si nderim për veprën që kanë bërë. Dhe, sipas kësaj logjike, ata që do të t’i kontribuonin shkencës dhe artit të hynin në akademi si vlerësim për punën e tyre jetësore, pasi u akomodua brezi i vjetër i njerëzve të një kaste, në Ligjin e fundit të Akademisë, studiuesve që mbushin 65 vjet, iu mbyllen dyert e akademisë!

Vendosja e një kufizimi të tillë, nuk është vetëm një akt perfid, që në të njëjtën kohë është edhe akt i ulët, po është edhe një akt që i cenon të drejtat e njeriut! Askund nuk ndodh kështu.

Përfundim

A i kujtohet kujt një ide që ka dalë nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, e cila pastaj i ka shërbyer zhvillimit të përgjithshëm të popullit të Kosovës? Përveç pjesëmarrjes, me pagesë, për matjen e tokës së Kosovës, me ç’rast iu falën Malit të Zi 8 200 hektarë, po territori i Kosovës doli me më shumë kilometra sesa i ka të shkruara, në asnjë projekt kombëtar kjo akademi nuk është angazhuar kurrë! Krahas angazhimit për ta zvogëluar territorin e Kosovës, kjo akademi angazhohet edhe për një gjuhë të veçantë të Kosovës, që ndryshon nga gjuha standarde, të cilën e përdorin të gjithë shqiptarët!

Sa i përket shkencës që krijohet në të ashtuquajturën Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, them se, aty ku takohet fjala persishte “xhan” me fjalë shqipe “gjanë”, pastaj “kanuni moral i Lekës” me “Zbulesën e krishterë”, aty ku Kanuni ka personazhe dhe ku në këngët e kreshnikëve ka qytetërim të lashtë antik, aty është edhe fundi i çdo logjike, fundi i shkencës dhe i artit, fundi i asaj për të cilën banorët e Akademisë i gëzojnë të gjitha ato privilegje: “shpërblimet” më të larta në rajon: paga që emërtohet “shpërblim” 1500 euro, honorarët e majmë për çdo faqe të letrës që e nxijnë, rytbet, zyrat moderne, shpenzimet që i bëjnë në ato zyra, plus edhe 6 muaj pasi të vdesin, nga 1500 euro t’u shkojnë në llogaritë e pasardhësve të tyre!

Ndërsa këta akademikë i gëzojnë të gjitha këto privilegje, perspektiva e Kosovës, sidomos e të rinjve të Kosovës është mbyllur, të cilët pastaj marrin botën në sy për të siguruar një vend pune, për të siguruar një të ardhme të cilën ia kanë ngrënë politika dhe përkrahësit e kësaj politike, ku përkrahësja më e madhe e kësaj politike, është e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës!

Që politika nuk ka punë me moralin, këtë e kanë mësuar të gjithë nga Makiaveli, por që edhe Akademia e Shkencave edhe e Arteve të Kosovës të mos ketë punë me moralin, këtë nuk e kishte menduar as dijetari fiorentinas.

Por jo vetëm që kjo akademi nuk ka të bëjë fare me moralin, por me shkeljen e nenit 20 për ribotimet, me ç’rast përfitojnë padrejtësisht nga buxheti i Republikës së Kosovës personat të cilëve u ribotohet libri; me aplikimin e nenit 11, pika 1, sipas të cilit në përzgjedhjen e kandidatëve për të hyrë në akademi të parat kanë të drejtë seksionet e akademisë, pastaj të tjerët; me politizimin e skajshëm, me ç’rast në akademi hyjnë vetëm njerëzit e një profili politik, klanor e krahinor; me botimin e pseudomonografive, pseudoteorive dhe veprave pseudoshkencore; me mungesën e nenit që do të sanksiononte plagjiaturën; me marrjen e pagave dhe të honorarëve më të lartë në rajon, me hyrjen në Akademi me një libër apo pa asnjë libër fare, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës jo vetëm që nuk është institucioni më i lartë i shkencës dhe i kulturës në Kosovë, po tani është kthyer në një organizatë të kriminalizuar!

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit