MENU
klinika

Heroi nga Fieri

Për Ardimirin e mirë!

17.08.2018 - 20:15

Ardimir Murataj, një djalë nga Fieri, për shkak të stresit të përditshëm prej papunësisë kishte dalë për peshkim. Fati e deshi që të ndodhej aty në momentin kur një nënë e dëshpëruar dhe e marrosur po përpiqej të mbyste dy vajzat e saj të mitura. Ardimiri ndërhyri në momentin kritik, duke shpëtuar vajzat nga vdekja dhe për një çast nënën nga marrëzia.

Disa media e kanë pasqyruar ngjarjen duke theksuar humanizmin, por edhe njerëz të ndryshëm në rrjete sociale e kanë përgëzuar heroin e ditës. Ndërsa ATA, të rëndësishmit e vendit, përfaqësuesit “de jure” të popullit, janë me pushime dhe mungesa e valëve të telefonit nuk i lejon të shkruajnë as ndonjë status e as të lëshojnë ndonjë urdhëresë rasti. Ose ndoshta janë ende duke testuar tregun e reagimeve publike, që të pozicionohen sipas interesit publik në mënyrë që të marrin edhe ata pakëz lavdi.

Nëse Ardimiri do t’i kishte shpëtuar dy vajzat me jahtin e tij luksoz, qeveritarët të ndjekur nga kameramanët e tyre personalë do të kishin vrapuar ta takonin e përgëzonin, e më pas të drekonin me heroin e ditës. Ose do duhej që viktimat të kishin një histori më pak fatkeqe sesa ajo e një drame familjare që dikush atje lart të denjonte të shkruante ndonjë status.

Por heroi, Ardimiri qëlloi një i ri i papunë, i cili nuk i plotëson kriteret e antiheroit që sot nderohet në Shqipëri dhe viktimat qëlluan bija të prindërve në krizë të thellë, të braktisur prej shtetit në hallin e tyre.

Sepse sot duhet të jesh me rekorde kriminale, me një dosje të hapur, me ca bodiguardë pas vetes, i shpallur në kërkim, deputet, kryetar bashkie, këshilltar, politikan apo doktor shkencash falso që të marrësh vëmendjen apo medaljen e mirënjohjes.

Duhet të lëpihesh si një kërmill i përjetshëm ose të vraposh si një lepur i frikësuar për të qenë në rrezen e shikimit të dikujt që i peshon urdhri më tepër sesa truri dhe zemra.

E në këto kushte na mbetet veç të falenderojmë dhe urojmë Ardimirin e njerëzishëm që t’i shkojë jeta mbarë e të mos humbë shpresat. Ndoshta kryetari i Bashkisë së Fierit apo të tjerë, do duan ca publicitet meqënëse zgjedhjet po afrojnë.

Jeta Toçilla Dedja

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj