MENU
klinika

Urat më të rrezikshme në vend

Për cilën urë do të bien këmbanat?

18.08.2018 - 16:48

Duhet të kishte qenë një mëngjes i zakonshëm punë për 43 jetët të cilët u ndërprenë në mes mëngjesin e të martës që lamë pas, kur ura 51 vjeçare Morandi në Xhenova të Italisë u shemb në kulmin e trafikut të një prej veprave infrastrukturore më strategjike pasi lidhte gadishullin italian me jugun e Francës dhe Spanjës. Shembja e pjesshme e kësaj strukture ngre dyshime mbi nivelin e mirëmbajtjes së veprave të tilla inxhinierike të cilat me kalimin e viteve amortizohen ndërkohë që fluksi i automjeteve që i shfrytëzojnë ato sa vjen e shtohet.

Një shqetësim që nuk ka kufinj dhe që prek të gjithë, përfshi dhe Shqipërinë. Në një vëzhgim të Konica.al evidetohet se cila është gjendja e disa prej urave dhe mbikalimeve të ndërtuara dekada më parë, ndërhyrjet që kanë pësuar së fundmi sëbashku me vlerën e investimit si dhe gjendjen aktuale të saj, në gjykimin e ekspertëve të fushës inxhinierike.

Ura e Bardhajve

Ura e Bardhajve në Shkodër është ndërtuar në vitin 1995 dhe pas 23 vitesh rrezikon të shembet. Kjo urë lidh 5 mijë banorë të fshatit Bardhaj me qytetin dhe anasjelltas. Degradimi i urës ka ardhur si pasojë e dëmtimeve të shumta tek bazamenti, bordurat mbrojtëse dhe këmbët e saj. Prurjet e dendura të lumit Kir e kanë gërryer ndër vite, ndërkohë që ndërhyrja e vetme në urë është e nivelit “kozmetik” pasi në vitin 2015 i është nënshtruar asfaltimit të sipërfaqes së saj.

Ura e Bahçallëkut

Ura e Bahçallëkut është një ndër më të rëndësishmet në Shkodër. E ndërtuar në vitin 1970, kjo urë shërben për hyrjen dhe daljen në qytet dhe mbi të kalojnë me qindar makina në ditë, përfshirë dhe ato të tonazhit të lartë. Bazamenti i urës është dëmtuar rëndë për shkak të prurjeve të fuqishme të lumit Drin dhe në periudhën e dimrit, gërryerja që ajo pëson është më e madhe. Mbrojtëset anësore të urës janë dëmtuar në atë masë saqë paraqet rrezikshmëri të lartë për këmbësorët, banorë të lagjes, kryesisht fëmijët e vjetër. Në këto kushte në vitin 2015 një investim me vlerën e 370 milionë lekëve, bëri të mundur ndërhyrjen në këtë urë vetëm për ngritjen e barrierave mbrojtëse si dhe për asfaltimin e sipërfaqes së saj.

Ura e Spatharit

Ura e Spatharit, është ngritur menjëherë pas përfundimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Gjatë viteve të komunizmit, kjo urë ruhej nga policia dhe ushtria për shkak të rëndesisë së saj strategjike, ndërkohë që sot gjendja e saj është problematike. Këmbët e urës dhe bazamenti i saj janë dëmtuar nga ujrat e rrëmbyer të hidroncentralit. Në këtë urë, mjaft të rëndësishme për komunikimin e Shkodrës me Vau e Dejësit nuk është investuar asnjëhërë që pas rënies së komunizmit.

Ura e Drinit

Ura e Drinit është ndërtuar së bashku me ngritjen e hidrocentralit të Komanit në vitet 1979-1980. Ashtu sikurse Ura e Spatharit, edhe kjo urë ruhej nga ushtria dhe çdo 3 muaj inspektohej siguria e saj. Aktualisht kjo urë rezulton të jetë e dëmtuar në këmbët e saj. Pas 38 vitesh, Koorporata Elektroenergjitike bëri të mundur në fillim të këtij viti vetëm asfaltimin e saj.

Ura e Turanit 

Në Korçë një pjesë e urave janë monumente kulture të kategorisë së parë, e megjithatë rrezikojnë shembjen. Ura e fshatit Turan në Korçë që shërben për të lidhur fshatin me qytetin e Korcës , është në prag të shembjes . Çdo një orë në këtë urë kalojnë mbi 30 banorë dhe 25 mjete transporti. Me një fond prej 75 mijë dollarësh, kjo urë u asfaltua dhe shtyllat e saj mbajtëse u fortifikuan, falë një projekti të Bashkisë së qytetit në vitin 2014-të. Por sërish objekti për shkak të vjetërsisë ka nevojë për rikonstruksion të plotë. Në vitin 2017 , ajo ishte në planin për rikonstruksion e aksit rrugor Korçë –Voskopojë , megjithatë nuk u rikonstruktua.

Ura e Vinçanit

Ura që lidh fshatin Vinçan me qytetin e Korcës është një nga ato ura që përmbytet çdo vit në dimër pasi lumi del nga shtrati. Ndërhyrjet në këtë object me gjatësi prej 12 metrash janë të pakta. Edhe pse një urë e vogël, në një orë përmes saj kalojnë 20 deri në 30 kalimtarë ndërkohë që numërohen deri në 26 automjete në orë. Ura e Vinçanit është e njohur edhe në kronikën e zezë pasi për amortizimi i saj është bërë burim aksidentesh. Veçanërisht në dimër, mbi këtë urë nuk mund të kalohet as me automjete, sikurse tregojnë vetë banorët e zonës.

Ura e Shën Joan Prodhomit

Ura e Shën Joan Prodhomit në Voskopojë është një nga monumentet e kulturës së qytetit e cila është rrënuar ndjeshëm me kalimin e dekadave. Kjo urë lidh Voskopojën me Kishën e Shën Joan Prodhimit e cila vizitohet çdo vit nga shumë turistë. E veçantë për arkitekturën e saj , kjo urë është e përbërë nga dy qemerë të punuar me gurë . Nderhyrjet e fundit qenë ato të vitit 2016 , që nuk përfshinin restaurimin e këmbëve të urës. Drejtoria Rajonale e Kultures Kombetare Korçë , nuk është shprehur lidhur me ndonjë projekt për restaurimin e kësaj ure e cila dita- ditës përbën edhe më tepër rrezik për banorët dhe turistët .

Ura e Dajlanit 

Një tjetër urë afro njëshekullore është ajo e Dajlanit në Durrës. E ngritur në fillim të shekullit të XX, në vitin 1914, kjo urë shërbente për peshkimin në tonelata peshku, ndërkohë që aktualisht është shëndrruar në një nyje strategjike për lidhjen e qytetit të Durrësit me përiferinë e tij. Ur aka një fluks të dendur trafiku çdo ditë dhe në të është ndërhyrë për të fundit herë 4 vite më parë. Me një vlerë prej 8 325 mijë eurosh, në këtë urë u ndërhy kryesisht për rehabilitimin e nënkalimit dhe rrethrrotullimit të saj.
Por nëse urat janë shqetësim në qytete të tjera për shkak të degradimit, në Gjirokastër ato janë shqetësuese në mungesën e tyre.

Aty ku s’ka ura për këmbësorët në autostradë

Mbi 30 persona kanë humbur jetën ne autostradën Tepelenë-Gjirokastër-Kakavije vetëm gjatë dekadës se fundit dhe të gjitha si pasojë e mungesës së mbikalimeve. Janë të shumtë banorët e zonave përreth ku kalon ky aks kombëtar që rrezikojnë çdo ditë jetën kur kalojnë në këmbë autostradën. Pjesa e parë e segmentit Tepelenë-Gjirokastër është ndërtuar gjatë mandatit të dytë të qeverisë Berisha me vlerën e 20 milionë eurove. Ndërkohë që segmenti i dytë Gjirokastër- Kakavijë është rikonstruktuar disa vite më parë. Në asnjë nga këto projekte infrastrukturore nuk është parashikuar ndërtimi i mbikalimeve për këmbësorët.

Policia zbardh ngjarjen e rëndë/ Shkaktoi vetëmbytjen e vajzës 9-vjeçare!

Zhdukja e nënës me fëmijët/ Arrestohet bashkëshorti

Njëri prej të miturve është gjetur i pajetë në ujërat e lumit Drin!

Bashkëshorti denoncoi të zhdukur gruan dhe tre fëmijët!

“Duhen përgatitje për skenarin më të keq”

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani! A po përsëritet historia?

“Çifti u godit me sende të forta dhe me mjete prerëse”

Policia sqaron dinamikën e krimit në Dropull