MENU
klinika

Personazhi i qytetit

Pionerja e feminizmit në Korçë

27.08.2018 - 16:52

Në një shoqëri moderne e së shumti patriarkale, ku ekzistença e një figure mashkullore në jetën e një femre shihet si pikë referimi , të jetosh një jetë në triangularitetin e kundërt të kësaj rregulle, duket jo e zakontë. Megjithatë mësuesja e Sociologjisë dhe Filozofisë, në një gjimnaz të Korçës, Marjana Pashko, ka kaluar çdo pengesë a paragjykim steriotipik , duke mbledhur dhembjen që ka marrë të jetës për ta kthyer në forcë për të ardhmen.

E lindur në një familje korçare me tradita, Marjana u mbrujt me dashurinë për artin që në vogëli. Ëndërr e hershme e fëmijërisë së saj, sikurse kujton ajo në intervistë për Konica.al ka qenë të ishte aktore. Babai i saj ndahet nga jeta, kur Marjana ishte vetëm 15 vjeç dhe siç tregon ajo “figura e një mashkulli në jetën e saj dhe të vëllait ishte mëse e domosdoshme”. Megjithatë pavarësisht humbjes, sikurse rrëfen ajo, iu desh të mblidhte të gjithë energjitë e mbetura për të vazhduar shkollimin dhe për të hequr dorë nga ëndërra e fëmijërise.

“Ndoshta u shndërrova nga një vajzë çiltër dhe melankolike në një tip më energjik. Kjo nuk ndikoi negativisht në studimet e mia, përkundrazi çdo hap që ndërmerrja, çdo dëshirë e re, përpjekje bëhej më e fortë sepse e bëja edhe në emër të babait tim. Thosha “nëse do të bëj një zgjedhje të mirë për shkollën e lartë, ai do ishte krenar për mua” – tregon ajo.

Teksa në fillim të mijëvjeçarit të ri, Marjanës do i duhej të përballej me një zgjedhje tjetër. Të qëndronte në Korçë afër nënës së saj, apo të largohej drejt Tiranës për të ndjekur pasionin për aktrimin dhe teatrin.

“Jeta mori një drejtim krejtësisht tjetër. Unë pashë nënën time që të plakej para kohe dhe veten time që të bëhej më e pjekur, më e rritur, sepse ndoshta është shumë të them, që po ndihesha gjithnjë e më shumë grua. Ishte përballja me vështirësitë që e maturoi para kohe duke ndikuar në vendimin që do të merrte.

Ajo do të studionte në Universitetin e Korçës për Sociologji-Filozofi, sepse kështu do qëndronte më pranë njeriut të vetëm të familjes që i kishte mbetur, nënës së saj. Megjithë dallgëve të jetës që në vegjëli, Marjana tregon se ia dalë optimizmit që e karakterizon, burimin e të cilit ajo e shpjegon kështu:

“Shpirtin e kam mbushur me dashurinë për jetën, unë gjithmonë kam pasur dashuri për jetën dhe kam gjetur lumturinë në gjërat më të vogla që ndoshta njerëzve u kalojnë kështu pa i vënë re. Edhe në momentet e mia të pesimizmit gjithmonë kujtoj momentet kur kam patur më pak seç kam tani. Fakti që unë kam diçka më tepër se sa dje, tregon se kam diçka dhe përpjekjet e mia nuk kanë shkuar dëm”

Madje ajo nuk mund ta quajë kurrësesi të vajtur dëm as martesën e saj, paçka se iu desh të rriste e vetme djalin e saj. Ashtu sikurse feniksi që ngrihet mbi hirin e tij edhe kjo grua ia ka dalë të ngrihet mbi të kaluarën, të rindertojë të tashmen e të kontribuojë për të ardhmen duke I hapur rrugë lëvizjes feminist në Korçë.

Paralelisht me mësimdhënien në një gjimnaz të Korçës, ajo kontribuon në teatër, pa hequr dorë nga “dashuria e parë “ siç e quan , e njëkohësisht është një mama që rrit e vetme djalin e saj dhe një bijë po aq mbështetëse për nënën e saj, tanimë edhe një shembull për vajzat dhe gratë e qytetit te dritave.

Si kreu i lëvizjes feministe në Korçë ajo jo vetëm punon me gra që kanë një histori të ngjashme, që të gjejnë frymëzimin për të lënë pas të kaluarën, por organizon aktivitete sensibilizese për rritjen e kuotave të grave në vendimmarrje, evente letrare dhe çdo veprimtari që i shërben promovimit të figurës së vajzës dhe gruas në shoqëri. Marjana kërkon të bëjë atë që nëna e saj bëri me të, prej së cilës mban ende si thesar fjalët që i pat thënë dikur: Mos resht së jetuari jetën Marjana, nëse jo sot , kur ? Nëse jo ti, kush?…

Përgatiti: L.S.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN