MENU
klinika

Analiza/ Albert Çaçi

Plani i shekullit

20.08.2018 - 14:21

Ka një konflikt të pazgjidhur në botë që zgjat prej 70 vitesh, ai israeliano-palestinez dhe që tashmë ka hyrë në një fazë gangrenizimi.

Janë të shumtë ata që në gjithë këto vite kanë synuar ta zgjidhin për të evituar gjithë atë gjak të derdhur, tensione permanente, mundime dhe sakrifica të mëdha, por të gjithë kanë dështuar.

Dhe tashmë një njeri që po i habit të gjithë me mënyrën e tij të veprimit jashtë çdo lloj sjellje të mëparshme diplomatike, me metoda aspak ortodokse, por me një vendosmëri të habitshme po përgatit një plan që e ka quajtur Plani i Shekullit. Ai tashmë është në përfundim dhe synon ta zgjidhë definitivisht këtë konflikt legjendar.

E di shumë mirë që është një ndërrmarrje super e vështirë, por e ka shumë të qartë se nëqoftëse do ta zgjidhë mund të konsiderohet njeriu më i suksesshëm mbas Luftës së dytë Botërore dhe askush tjetër nuk mund ta meritojë më shumë çmimin Nobel për Paqe se ai dhe gjithë bota do t’i jetë mirënjohës.

Ky është presidenti i SHBA, Donald Trump.

Trump gjithë jetën e tij nuk është marrë me gjëra të vogla. Objektivat e tij kanë qënë gjithmonë gati të pamundur, por falë aftësive të tij (që shumë nuk ja njohin) ja ka dalë t’i realizojë.

Sipas gazetës së njohur israeliane Haaretz plani i ri nuk kufizohet vetëm të ripropozojë formula të vjetra që duhet të zgjidhnin çështjet fondamentale të konfliktit si ajo e kufirit, e sigurisë dhe e statusit të Jeruzalemit.

Pikërisht në të kaluarën përqëndrimi vetëm në këto tema që nuk kanë marrë në konsideratë gjithë spektrin e problemeve, që duke e ballafaquar me realitetin janë shumë të komplikuara, kanë sjellë dështimet e njëpasnjëshme.

Plani i Trump që natyrisht do të merret edhe me këto çështje të pashmangshme, tenton një qasje më pragratiste dhe më të gjerë që mund të sjellin përmirësimin e jetës për të dy palët.

Thelbi i planit, në dallim nga e shkuara, tenton së pari një qasje primare ekonomike dhe synon në rritjen e ekonomisë palestineze dhe forcimin e lidhjeve ekonomike me Israelin.

Objektivi themelor është një përmirësim i menjëhershëm dhe i fuqishëm i gjendjes ekonomike të palestinezëve që sot janë ndoshta një nga popujt më të varfër të botës. Sipas Trump një ndryshim radikal i gjendjes ekonomike të palestinesëve mund t’i bëja ata më racionalë dhe pragmatistë.

Planet e mëparshme kanë tentuar zgjidhjen vetëm midis dy vendeve kurse plani i Trump synon që të përfshijë vendet arabe në një kuadër rajonal që kanë interesa strategjike konveniente me Israelin.

Këta vende janë Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara, Egjipti dhe Jordania, pra vendet sunite që ndajnë së bashku objektivin për të bllokuar gjysëm hënën e kuqe shite të aksit Iran, Irak, Siri, Liban.

Trump ka lënë jashtë planit Rusinë , BE dhe gjithë vendet shite, si dhe Turqinë. Ai nuk parapëlqen shumë aktorë në planet e tij pasi gjykon se më shumë e pengojnë me qasjet e tyre të ndryshme me rajonin.

Figura qëndrore ku Trump synon të mbështetet është Princi i ri i Mbretërisë Saudite, Muhammad Bin Salman, përçues i një koncepti të ri në marrëdhëniet me Israelin në kuadrin e kundërvënies së Iranit.

Në këtë kuadër heqja e kartës palestineze që tund blloku Shiadhe Erdogani është një objekti rilevant që do të ketë peshë në ekuilibrat e rinj të Lindjes së Mesme.

Natyrisht Lindja e Mesme ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe Israeli dhe Sunitët kanë tashmë interesa të përbashkëta kundër penetrimit shia pavarësisht se disa nga ata nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe ekonomike me Israelin (me përjashtim të Egjiptit dhe Jordanisë).

Plani synon që të marrë një mbështetje në fillim nga Israeli dhe vendet arabe sunite pavarësisht nga pozicioni i palestinezëve që në fillim parshikohet intrasigjent.

Epiqendra e planit do të jetë Gaza dhe Cisjordania. Administata amerikane synon një investim masiv, të menjëhershëm në projekte ekonomike në Sinain verior që të mund të ndryshojë rrënjësisht situatën e degraduar sociale ekonomike të Gazes.

Objektivi primar është që Autoriteti Palestinez të rivendoset në Gaza duke ja hequar Hamasit që e qeveris prej 11 vitesh dhe që e ka çuar në shkatërrim total.

Këtu Trump synon që të involvojë petromonarkite të investojnë disa miliardë dollarë për të ribërë nga e para Gazën.

Praktikisht sot Gaza e qeverisur nga Hamasi ka një situatë ekonomike apokaliptike dhe pothuajse është në agoni të plotë. Një popullsi prej 1,9 milion banorë, me 56% nën 18 vjeç e ndodhur në rethim, po privohet nga cdo mjet jetese dhe mbi ta gjitha nga mungesa e ujit.

OKB ka llogaritur që me këtë mungese të ujit dhe energjisë elektike (që sot furnizohet nga Israeli), me shkallën e papunësisë më të lartë në botë mbas vitit 2020 në Gaza nuk mund të jetohet më.

Prerja e ndihmave të Autoritetit palestinez (reth 350 Milion dollare në vit në foma të ndryshme) ka rënduar së tepërmi situatën por kjo bën pjesë në strategjinë e Trump për të rrituar presionin në maksimum dhe e kombiniuar me embargon israelite disa dhjetvjeçare ta detyrojë Gazën që për të marrë frymë, në fund të pranojë planin e tij.

Strategjia e rritjes së presionit eshtë një mjet i preferuar i Trump që funksionoi me Kim Jong, që u detyrua të ulet në bisedime dhe që tashmë ka nisur ndaj Iranit.

Trump është koshient se nuk mund t’i lërë të kënaqur të dyja palët, dicka do të humbin por në fund të fitojnë një paqe për të cilën kanë aq nevojë.

Ai është i bindur se më të vështirë do ta ketë me palën israelite pasi palestinezët e rethuar, të rrënuar dhe të braktisur nga vendet sunite nëqoftëse nuk do të pranojnë në fund nuk do të kenë alternativë.

Por tashmë Trump është i vendosur që kërkojë faturën edhe Israelit. Mbas gjithë mbështetjes që i ka dhënë në njohjen e Jeruzalemit dhe çvendosjen e ambasadës amerikane, rritjen e fuqishme të ndihmës ushtarake, prishjes së marrëveshjes me Iranin (që ka qenë një kërkesë permanente e Israelit), tashmë edhe Israeli ka detyrimin që të bëhet pjese dhe ta pranojë planin e Trump.

Plani është në detajet e fundit dhe ndoshta në shtator do t’ju paraqitet palëve.

Aplikimi i tij nuk do të jetë një gjë e lehtë dhe Trump e ka shumë të qartë. Por me të vërtetë është një gjë shumë e madhe dhe ai ka bindjen se do t’ja dalë pikërisht aty ku kanë dështuar të gjithë para tij.

Në fakt sfidat, në kufijtë e pamundësisë janë ato që i pëlqejnë Trump, pasi gjithë jeta e tij si bisnesmen dhe politikan ka vërtetuar këtë mënyrë spektakolare të qasjes ndaj objektivave.

Dhe nuk është çudi që t’ia dalë , edhe për habi të gjithë atyre që luftojnë me çdo mjet dhe pa pushim dhe që presin dështimin e tij dhe që nuk janë të paktë.

Por këtë radhë nëqoftëse do t’ia dalë nuk bëhet fjalë për një sukses personal të tij po për një arritje madhore që mund të ndikojë në paqen globale, ndoshta për gjithë këtë shekull dhe për këtë do t’i jetë mirënjohëse gjithë bota.

Nga Albert Çaçi