MENU

Kush ishte Pol Sezan?

Pol Sezan, tragjiku i vetmuar

18.08.2018 - 09:41

Midis piktorëve të cilët konsiderohen si baballarët e artit modern, krahas Van Gogut, Gauginit, Lautrecit, Seuratit, një vend të rëndësishëm zë edhe Sezani. Sepse ky shok dhe bashkëudhëtar i impresionistëve, i cili mori pjesë në luftërat e tyre të para, i duroi mbi kurriz, më fort nga të tjerët, talljet e filistinëve, për shumë vjet u dëbua nga skena shoqërore dhe u syrgjynos, si të thuash, nga shekulli i tij, ky njeri u rrit në mënyrë të padukshme brenda kohës së tij, për të jetuar gjatë përtej saj.

Vepra e tij ka zënë vendin e duhur në histori. Sot është shumë e vështirë të hamendësohet se sa guximtare pat qenë dikur ajo vepër me tipare origjinale dhe sa fort të nxiste për kontradiksion. Atje vërejmë marrëdhëniet e tij të thella dhe të komplikuara ndaj traditës; ato, në ditët e sotme, pa dyshim duken më të qarta nga sa u dukeshin bashkëkohësve të tij. Po ta shohësh me kujdes, Sezani qëndron në udhëkryqin e zhvillimit historik, ku natyralizmi i prejardhur nga epoka e Rilindjes (dhe i zhvilluar nga ana e impresionistëve deri në konsekuencat më kulminante dhe të njëanshme) arrin fundin e rrugëtimit, ndërsa tendencat antinatyraliste degëzohen në të gjitha drejtimet.

Vepra e Sezanit mbart patosin barok, por edhe dëshirën për një harmoni klasike, ajo i qëndron pranë si rrymës romantike, ashtu dhe asaj realiste në artin e shekullit të 19-të. Koloristët dhe plastikët, arkitektët dhe dramatikët e formës – Verone dhe Karavaxhio, Rubens dhe Pusin, Le Nain dhe Greko, Delakrua dhe Kurbe, po ashtu dhe Domie, mund të përmenden si paraardhës dhe mësues të tij. Ishte vetë Sezani ai që theksonte kontekstin tradicional të synimeve të tij, kur deklaronte për shembull se “dëshironte ta ringjallte Pusinin sipas natyrës” ose “donte ta bënte impresionizmin diçka aq të fortë e të qëndrueshme, siç është arti muzeal”. Një vit para se të vdiste, në një letër drejtuar Roxher Marksit, ai shprehej: “Sipas mendimit tim, njeriu nuk mund t’i përshtatet së kaluarës, por mund t’i shtojë asaj vetëm një hallkë të re”.

Mirëpo, kontributi i tij artistik lidhej në shumë drejtime me të ardhmen, sepse atë e ndoqën ekspresionistët dhe fauvistët, kubistët dhe mbrojtësit e abstraksioneve radikale, po ashtu siç u lidhën edhe punonjësit e neorealizmit, pa përmendur këtu masën e epigoneve, që e përmbytën botën me një sezanizëm formal. “Po të më përgatitin një triumf, – i shkruante mjeshtri plak, i pa përkëdhelur nga suksesi, Rouaultit të ri, – atëherë mos e beso; po të orvaten që në emrin tim të themelojnë një shkollë të re, atëherë u thuaj se nuk e kanë kuptuar kurrë dhe nuk e kanë dashur kurrë atë që kam krijuar unë”. Kështu mbrohej Sezani nga epigonet e tij, njëkohësisht edhe nga interpretuesit e veprës së tij, të cilët deshën ta ngrinin atë në gogmë. Megjithëse shqetësohej dhe fliste shumë për mjetet e artit të tij, nuk donte që ta konsideronin si shpikës të një mënyre të re pikturimi, por vetëm si krijues veprash individuale dhe origjinale. “Ajo që të tërheq më shumë në art, – shprehej, – është vetë personaliteti i artistit”.

Piktura e tij kundërshton çdo interpretim, që kërkon ta reduktojë në një formulë të thjeshtë. Ajo mbron origjinalitetin e saj krijues edhe në kulmin e përpjekjeve për një stil mbipersonal. Atë s’duhet ta konsiderojmë si një ekzemplar metodik, edhe nëse është vijosur së tepërmi me logjikën e parashtrimeve të saj, por aq më pak s’duhet ta ulim deri në shkallën e një ilustrimi të thjeshtë të një teorie arti, e cila u çlirua rastësisht nga autori i saj dhe u mor shënim nga shokët e tij. Shpeshherë citohet thënia e Sezanit, marrë nga një letër drejtuar Emile Bernardit, se: “natyra duhet të trajtohej me cilindër dhe me sferë”, thënie e cila përdoret si çelësi shpjegues i pikturave të tij.

Vepra e Sezanit është fytyra e vërtetë ose maska ideale e personalitetit të tij. Në krahasim me veprën, fati njerëzor i artistit del, si të thuash, në plan të dytë, ai fat duket varfanjak, thuajse tepër i zakonshëm kur vihet përkrah monumentit që ka lënë pas. Jeta e tij nuk karakterizohet nga ngjarje të mëdha e të bujshme, që mund t’i falnin zbukurimin e jashtëm.

Ajo s’përmban asgjë nga fatet dhe jeta e një Van Gogu ose Gaugini, që i tërheqin aq shumë romancierët: asgjë që mund të krahasohej me Borinagen, si dhe asgjë që mund të krahasohej me Tahitin. Po ta shohim me vëmendje, del se ishte jeta e një njeriu që mendonte se ekzistenca të kallte tmerrin. Ishte jeta tragjike e një të vetmuari, vetmi të cilën e mbushte dhe e kompensonte me piktura. Ishte jeta e një burri të turpshëm, tepër të prekshëm, tmerrësisht sensibël dhe, nga ana tjetër, këmbëngulës e i paepur, i cili përpiqej që qënien e thyeshme njerëzore ta armatoste me formën e fortë, t’i bëhej mbështetje dhe të ngrihej mbi të me anë të veprës artistike që synonte tek absolutja.

Një jetë e dhënë pas artit dhe e shtrydhur nga veprat, por pikërisht për këtë arsye ajo nuk mund të shihet veçmas veprave të tij. Ajo përfshihet në to, me gëzimet e saj më të thella dhe me dramat e saj më të vërteta, me perpjekjet dhe luftërat e mëdha për t’ia arritur të paarritshmes dhe me ditët e saj të qeta, të mbushura plot punë, gjërat më të mira të cilat morën formë me ngjyrat mbi pëlhurën e pikturave të tij – jeta e artistit paraqitet në vepra me çastet e saj të dhimbshme dhe fatlume, që ndjekin njëra-tjerën në vijat e penelit të tij dhe mbeten mbi tablo, të dukshme si vazhda rrugësh.

Pol Sezani lindi më vitin 1839 në Aix-En-Provence, me baba me origjinë italiane dhe në shekullin e 18-të zuri vend në Francën e Jugut.

Talentin Sezani e zbuloi në moshën 20-vjeçare. Ai iu nënshtrua vullnetit të rreptë të të atit dhe filloi të studiojë jurisprudencë, por në të njëjtën kohë merrte pjesë në kurse vizatimi pranë shkollës së artit në Aix-it, kopjonte piktura të parëndësishme në muzeumin e qytetit, torturohej me vështirësitë e fillestarit dhe ëndërronte heshturazi Parisin.

Çastet më të bukura të vetmisë së tij ishin kur takohej me shokët: me Pisaron, Monetin, Renuarin dhe plakun Montiçeli, si dhe me shokun e tij të rinisë Zolanë, të cilin e vizatonte herë pas here edhe në Medan. Mirëpo, marrëdhënia e tyre u prish përgjithmonë, kur Zolai, në vitin 1886, i dërgoi romanin “Vepra”, ku Sezani zbuloi vetveten tek heroi i trishtuar i romanit, piktori Claude Lantier, një karikaturë e ekzagjeruar me tiparet e karakterit dhe ngjarjeve të jetës së tij, kështu që u ndje i fyer nga shoku, të cilin e pandehte më të afërtin dhe i ishte shumë mirënjohës për fjalët e mira dhe ndihmën materiale në çastet e vështira, shok i cili së fundmi tregoi se nuk ia kishte kuptuar kurrë qëllimin dhe përpjekjen, por para së gjithash i nënvleftësonte aftësitë e tij artistike.

Në njëfarë mënyre vdekjen e zgjodhi vetë. Më 15 tetor, duke vizatuar në natyrë të hapur, e zuri një shtrëngatë e fortë. E gjetën pa ndjenja përpara qytetit dhe e sollën në shtëpi. Vdiq pas një jave më 22 tetor 1906. Çudi, sepse u ngrit edhe nga shtrati i vdekjes për të pikturuar.

Në krijimet e fundit të Sezanit filloi të ndjehej sërish shpirti romantik, i cili përshkonte veprat e rinisë së hershme. Fjalën e mori përsëri spontanja instiktive dhe e ndjeshme e natyrës, e penguar për një kohë të gjatë nga një disiplinë e fortë. Intensiteti dhe forca ndriçuese e bojës u rrit, format filluan të merrnin trajta më shqetësuese, vija e penelit më e gjerë dhe nervoze. Diçka e tillë dallohet qartë tek “Kopshtari Vallier”, një nga pikturat e fundit që bëri Sezani.

Në punimet e viteve të fundit dilte mali Sën Viktuar, shpatet e të cilit i kishte ngjitur shpesh në rini. Matur me sy të vëmendshëm, soditur se si ngrihej mbi bazën prej shkëmbi, duke llogaritur çdo vogëlsi, për ta ridhënë përsëri në pikturë në formën e tij arkitektonike bashkë me natyrën që e rrethonte… Në fund, me formën e atij mali, ai projektoi ndjenjën e tij himnizuese dhe patetike. Masivi madhështor duket shumë i afërt, maja e mprehtë e malit ngrihet vullkanike nga brendia e tokës, duke qëndruar si mbi fron përmbi panoramën rreth e qark; me fushat, kopshtet dhe pyjet e saj, zhytet në kaltërsinë e çelët… sikur ai mal të ishte simboli i qëllimeve të larta, i ëndrrës kozmike, i dashurisë së Sezanit për natyrën dhe mallit për të arritur të paarritshmen.

Përktheu Migena Elezi