MENU

Mjaft me “Mercedes”-in

Prezantohet limuzina e re e Putin

29.08.2018 - 18:36

Mjaft me “Mercedes”-in. Një makinë “e bërë në Rusi” është gati të hyjë në garazhin e Kremlinit, por me komponentë dhe teknologji të klasit botëror.

Këtë të mërkurë është zbuluar limuzina e re super luksoze, e cila do të përdoret nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Limuzina, e ndërtuar nën markën “Aurus”, pati daljen e saj të parë publike në muajin maj kur Putin e përdori atë në vend të një “Mercedes”-i në inaugurimin e tij për mandatin e ri presidencial.

Pas goditjes nga sanksionet e perëndimit, Rusia është duke zvogëluar varësinë e saj nga mallrat dhe teknologjitë e importuara.

“Aurus” prodhohet nga instituti kërkimor rus i njohur me akronimin NAMI, i cili është partner me prodhuesin rus të makinave “Sollers”.

Ministri rus i Industrisë, Denis Manturov, i cili mori pjesë në zbulimin e makinës të mërkurën, tha se kontratat për urdhrat tregtarë të makinave Aurus do të nënshkruhen duke nisur nga muaji i ardhshëm.

Ai tha se 120 automjete “Aurus” do të prodhohen vitin e ardhshëm, duke shtuar se automjeti pritet të hyjë në prodhimin serial deri në fillim të vitit 2020.